Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Kërkohet shtyrja e vendimit për dinarin, Qeveria thirret në mbrojtje të kushtetutshmërisë

Ndalimi i përdorimit të dinarit si valutë në Kosovë është vendimi i radhës i autoriteteve të Kosovës, që nxiti reagimin e serbëve. Valuta zyrtare e shtetit të Serbisë është përdorur në komunat veriore për realizimin e pagesave në të gjithë sektorët.

Edhe pse legjislacioni dhe rregulloret në fuqi përcaktojnë se Euro është valuta e vetme zyrtare në vend, institucionet që nga përfundimi i luftës janë në dijeni se dinari përdoret si valutë zyrtare në mesin e serbëve. Kjo ka qenë e dukshme dhe është toleruar edhe në bizneset në veri, të cilat edhe çmimet e produkteve i kanë me dinarë.  Ndalimi i të gjitha transaksioneve të valutës monetare Dinar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) u interpretua nga Lista Serbe si tendencë për dëbimin e serbëve nga Kosova. Por, këto janë hedhur poshtë nga autoriteti që nxori vendimin.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në mbledhjen e mbajtur më 27 dhjetor 2023, miratoi rregulloren që hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, sipas së cilës monedha e vetme për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thotë Neni 35 i rregullores.

Sipas saj, valutat jo-euro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryhen pagesa ndërkombëtare e të përdoren për këmbim.

Por, siç përcakton rregullorja, këmbimi mund të bëhet vetëm përmes institucioneve që ajo i licencon për këtë shërbim.

Ndërkombëtarët u zunë në “befasi”

Vendimi i autoriteteve që nga shkurti të zbatohet ky vendim nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, që kërkuan shtyrjen e tij.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas një takimi me guvernatorin e BQK-së, Ahmeti Ismaili, tha se duhet të ofrohet kohë e mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik, për ta zbutur ndikimin negativ te qytetarët.

“Përsërita shqetësimet e ShBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para”, tha Hovenier.

Ndërkaq, për ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ishte një “befasi e panevojshme”.

Edhe vendet e QUINT-it shprehën shqetësim për ndikimin e rregullores, duke theksuar efektin që mund ta ketë në shkolla e spitale.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores, në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia. Pas një shkëmbimi për këtë çështje me kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë më të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”, thuhet në njoftimin e QUINT-it.

Qeveria thirret në mbrojtje të kushtetutshmërisë

Por, kryeministri Albin Kurti, i cili priti në zyrë përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, nuk dha sinjale se mund të ketë shtyrje të tij. Përmes një komunikate për media, Zyra e kryeministrit sqaroi se kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimin e autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.

“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore, që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë te Neni 35 i saj, i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme sipas Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatën dërguar mediave.

Duke iu përgjigjur ankesave të shumta, edhe zëvendësi i Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi, tha se nuk ka pasur si të anulohet diçka që nuk ka qenë e lejuar asnjëherë më parë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se në rregulloren e BQK-së për “Operacionet me Para të Gatshme”, as Dinari e as monedhat e asnjë shteti tjetër fqinj nuk janё përmendur fare në tekstin prej 40 faqesh të kësaj rregulloreje. Sipas tij, çfarëdo interpretimi tjetër është i pasaktë dhe synon manipulimin e opinionit publik. “Natyrisht se e një rëndësie të veçantë është edhe përcaktimi i valutës e cila lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare, e që në rastin e Kosovës është vetёm valuta EURO. Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”, është shprehur ai.

Bashkimi Evropian kërkon palët ta zgjidhin çështjen në kuadër të dialogut të Brukselit. Edhe pse janë në dijeni se vendimi ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e transparencës së qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë, megjithatë në BE kanë përmendur shqetësimet lidhur me ndikimin që ka në komunitetet me shumicë serbe.

“Veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, kanë thënë në BE.

Ata kërkuan periudhë të mjaftueshme tranzitore, që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar.

Zyrtarët qeveritarë vazhdimisht thirren në Kushtetutë kur marrin vendim të tilla si ky për Dinarin, edhe pse ka raste të tjera kur vendimet e autoriteteve nuk zbatohen. Moszbatimin e njërit prej tyre, i cili ka të bëjë me pronat e Manastirit të Deçanit, ua ka rikujtuar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Jam shumë i lumtur kur shoh thirrje që të zbatohet Kushtetuta e Kosovës, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë Neni 11”, ka thënë Abbott.

Pretendimi i Listës Serbe

Lista Serbe sërish e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për vendimin, duke thënë se ai është vazhdimësi e planit për t’ua pamundësuar jetesën serbëve në Kosovë.

“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, dhe pasi nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani vendosi që ta ndalojë Dinarin në Kosovë dhe kështu ta kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Madje, sipas drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vendimi synon eksodin e popullit serb.

Foto:Dnevnik.rs

Vendimi për Dinarin u mbulua gjerësisht edhe nga mediat në Serbi dhe ato lokale në veri të vendit. Disa prej tyre transmetuan edhe pakënaqësi të qytetarëve, të cilët kanë shprehur frikën se nuk do të mund t’i marrin rrogat dhe pensionet nga Serbia. Prej përfundimit të luftës, Serbia ka mirëmbajtur disa prej institucioneve të cilat Kosova i konsideron paralele. Numri më i madh i të punësuarve është në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, që funksionojnë me sistem të Serbisë. Profesori i Fakultetit Ekonomik Paralel të Mitrovicës së Veriut, Sreçko Milaçiq, e ka cilësuar vendim të motivuar politikisht, përmes të cilit synohet ”rrumbullakimi i shtetësisë të Kosovës”. “Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka për qëllim lehtësimin e jetës në Kosovë, jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët”, është shprehur ai.

Për vite me radhë, dinarët në Kosovë kanë hyrë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Komunën e Leposaviqit. Ato para pastaj i transportonte kompania për transport të parave “Henderson”.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.