Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Kosova pa përgjigje ndaj kërcënimeve me bomba

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin e panikut mes popullatës.

Që nga fillimi i agresionit së Rusisë mbi Ukrainën, alarmet për bomba ishin të zakonshme edhe në vendet e tjera të rajonit. Edhe pse ende nuk dihet nëse kërcënuesit me bomba të rrejshme kanë lidhje me shtetet prej ku u dërguan mesazhet, mënyra dhe institucionet ku u dërguan kërcënimet ishin të ngjashme në të gjitha shtetet. Cak ishin kryesisht shkollat dhe aeroportet. Kërcënimet vijnë si nga akterët joshtetërorë, ashtu edhe nga ata shtetërorë. Prandaj, siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje kritike për sigurinë kombëtare.

Në Kosovë, shumica e sulmeve ndodhën në periudhën e pranverës 2022, ku u targetuan disa nga vendet më të frekuentura publike, si shkollat publike, Universiteti i Prishtinës dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Kërcënimet ndodhën në një momentum të vështirë për vendin, në kohën kur tensionet në veri ishin të larta, me ç’rast i kontribuuan rritjes së panikut.

Policia e Kosovës (PK) raporton për Sbunker se në vitin 2022 në Kosovë janë evidentuar gjithsej 48 raste të kërcënimeve me bomba përmes sistemeve kompjuterike, ndërsa vetëm 9 në vitin pasues. Me gjithë numrin e madh të kërcënimeve, institucionet relevante nuk kanë treguar nëse i kanë identifikuar autorët dhe nuk dihet nëse ata operojnë brenda apo jashtë vendit.

Megjithatë, këto kërcënime vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh për vendin dhe institucionet kosovare mbeten jo të mbrojtura mirë. Në këto rrethana, është i domosdoshëm krijimi i një infrastrukture më të mirë kibernetike, në mënyrë që të evitohen sulme të tilla në të ardhmen.

Kërcënimet ndaj shkollave dhe aeroportit

Kërcënimi i parë serioz që rriti panikun mes popullatës dhe mori vëmendjen mediatike ishte kërcënimi ndaj gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, në maj 2022. Sulmuesit dërguan këtë mesazh në email-in zyrtar të shkollës: “Bombing Xhevdet Doda School”.

Personeli i shkollës ka lajmëruar rastin menjëherë dhe, brenda pak minutave, objekti i shkollës ishte rrethuar me shirita dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) e specialistë për eliminimin e mjeteve eksplozive. Drejtori i shkollës, Azem Jaha, rrëfen për Sbunkerin situatën me të cilën u provuan për herë të parë:

Pasi erdhën policët, i njoftuam për kërcënimin që kemi pranuar“, tha Jaha. Tutje, ai shtoi: “Nxënësve u kemi thanë që duhet me liru shkollën, pa panik. Brenda pak minutave, objekti është zbrazur”.

Pas evakuimit të nxënësve, hapësirat e shkollës janë kontrolluar nga njësitet policore antibombë, përfshirë njësitin e qenve të stërvitur për identifikim të objekteve të dyshimta. Megjithatë, njësiti policor nuk ka arritur të identifikojë asnjë bombë, duke e vlerësuar situatën si alarm të rrejshëm.

Shkolla e mesme “Xhevdet Doda”, Prishtinë

Sipas Jahës:“Policia nuk ka lënë vend pa kontrolluar. Por, nuk është gjetur asgjë, fatmirësisht. Si pasojë e kësaj, disa orë mësimore u humbën atë ditë”. E gjithë kjo procedurë e kontrollimit, që rezultoi me alarm të rremë, zgjati rreth tri orë.

Mirëpo, kërcënimi me bombë në shkollën “Xhevdet Doda” nuk është rasti i vetëm.

Azem Jaha, Shkolla e mesme “Xhevdet Doda”

Fillimisht, në janar 2022, u dha alarm i rrejshëm për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Pas hetimeve të Policisë, krejt çfarë u gjet ishte një çantë, por jo edhe bombë brenda saj.

Kërcënimi tjetër ndodhi në maj ndaj Universitetit publik “Hasan Prishtina”. Pas dy muajsh, ky universitetet u kërcënua sërish. Por, njësitet “antibombë” të PK-së nuk gjetën asnjë bombë, në asnjërën prej rasteve.

Alarmet me bomba u dhanë në periudha të caktuara, jo vetëm kur kishte zhvillime të brendshme politike, por edhe gjatë tensioneve Kosovë-Serbi.

Kërcënimet vazhduan në qershor, në kohën kur u organizuan dy protesta në Prishtinë. Pati kërcënime në rajone të ndryshme, përfshirë komunat veriore që popullohen me shumicë serbe.

Kjo situatë sfidoi kapacitetet e PK-së, e cila hasi në vështirësi që të kryejë kontrolle të detajuara në lokacione të ndryshme në të njëjtën kohë. Megjithëkëtë, në fund, të gjitha alarmet rezultuan të rrejshme. Pavarësisht nga kjo, situata u vlerësua shqetësuese për faktin se cak ishin institucionet arsimore të të gjitha niveleve. Me këtë rast, zyrtarë qeveritarë i shtuan thirrjet që të mos krijohen shqetësime dhe panik, por nuk dhanë ndonjë informacion për burimin e kërcënimeve.

Saga e fluturimeve Prishtinë-Mynih dhe Prishtinë-Romë

Me kërcënime për bomba nuk u kursye as Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Aeroporti ishte alarmuar dy herë në qershor 2022.

Fillimisht, u dyshua se një mjet shpërthyes ishte në aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë. Kërcënimi për bombë ishte bërë gjatë kohës sa aeroplani ishte në fluturim, duke krijuar shqetësim të madh tek udhëtarët. Pas aterrimit të aeroplanit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, është bërë evakuimi i pasagjerëve nga Policia e Kosovës, e cila kreu edhe kontrollet brenda në bagazh, por nuk gjeti asgjë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”

Me datë 16 qershor 2022, pati një kërcënim tjetër me bombë. Udhëtarët që ishin në bordin e linjës Prishtinë-Mynih kanë treguar se kërcënimi ishte i nivelit të lartë. Kësisoj, aeroplani ishte detyruar të devijojë për në Shkup, në pritje të udhëzimeve bazuar në situatën në Aeroportin e Prishtinës dhe askush nuk ishte lejuar të dalë nga avioni. PK, pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, kishte vërtetuar se këto informacione ishin të rrejshme.

Kërcënimet me bomba në Aeroportin e Prishtinës krijuan probleme të jashtëzakonshme për autoritetet. Përveç aspektit të sigurisë, kërcënimet ndikuan në vonesa të shumta, gjë që e ndërlikoi punën në aeroport.

Valentina Gara, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”

Çdo alarm i rrejshëm ka shkaktuar vonesë në fluturime“, u deklarua për Sbunker zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara. Sipas saj, në rast të kërcënimeve me bomba, të cilat ishin prezente edhe më 2023, aeroporti ka një plan emergjent që aktivizon të gjitha autoritetet relevante të sigurisë, përfshirë PK-në, FSK-në dhe KFOR-in.

Në kohën kur u intensifikuan alarmet për bomba, në Beograd u mbajt festivali i përvitshëm “Mirëdita Dobërdan”, që ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit nëpërmjet kulturës e artit. Por, ceremonia hapëse ishte ndërprerë pas një alarmi për bombë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD). Për rreth gjysmë ore, hapësira ishte kontrolluar nga njësiti për çminim, që më pas konfirmoi se alarmi ishte i rrejshëm. Njoftimi për bombë kishte ardhur nga e njëjta adresë elektronike prej nga është lëshuar një tjetër njoftim për bombë pas hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë”. Edhe ky doli të jetë alarm i rrejshëm.

Sulme nga kompjuterë të paidentifikuar dhe IP të ndryshme

Gjatë vitit 2022, edhe sistemet qeveritare të Kosovës janë ballafaquar me sulme kibernetike të llojit “DdoS”, duke shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Faqja e Kryeministrisë, ato të disa ministrive, ajo e Policisë së Kosovës, Platforma e-Kosova dhe disa media, kanë qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike.

Me sulme kibernetike u përball edhe një prej telefonive kryesore – Telekomi i Kosovës. Zyrtarë të tij patën thënë se sulmi është kryer nga 30 mijë kompjuterë të paidentifikuar dhe me IP adresa të ndryshme.

Marrë parasysh përmasat e sulmit, ekspertë të sigurisë kibernetike i kërkuan Qeverisë që urgjentisht t’i bllokojë të gjitha IP-të nga Irani, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.

Sulmet kibernetike në Kosovë u bënë të njëjtën kohë kur u konfirmua se Irani kishte depërtuar thellë në të dhënat e Qeverisë së Shqipërisë.

Sipas një analize të Microsoft-it, sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë janë të motivuara politikisht dhe prapa tyre qëndrojnë akterë që janë të lidhur me Qeverinë e Iranit. Pas sulmit, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke përzënë stafin diplomatik të Ambasadës nga Tirana.

Institucionet e Kosovës në terr informativ

Edhe pse numri i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve ishte tejet i lartë, autoritetet relevante kosovare, përfshirë këtu Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë dhe Gjykatën, nuk kanë arritur të identifikojnë burimin e sulmeve dhe nuk kanë deklaruar asgjë rreth hetimeve apo ndonjë aktakuze potenciale.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që merren me çështje të sigurisë, thonë se kërcënimet zakonisht vijnë kur ka tensione politike ose sociale, që kanë për qëllim shkaktimin e frikës, polarizimin e shoqërisë dhe fryrjen e ndarjeve etnike.

Gjatë vitit 2022 sistemet qeveritare u ballafaquan me sulme kibernetike të llojit “DdoS”

”Zhvillimet politike brenda Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë mund të influencojnë situatën e sigurisë. Kujdes të shtuar duhet pasur me deklaratat publike, në ato momente kur mund të shkaktojnë tensione”, ka deklaruar Leureta Lumi (QKSS).

Sipas Lumit, alarmet mund të mendohen si përpjekje për rritjen e ndjenjës së pasigurisë, por ajo nuk e përjashton as mundësinë që situata të tilla të ndikojnë në vendimmarrjen politike.

“Në të njëjtën kohë e kemi faktorin ndërkombëtar, i cili në momente kritike mund të bazohet në situatat e krijuara, tensionet në vend, për marrjen e vendimeve të rëndësishme për Kosovën”, thotë ajo.

Leureta Lumi, QKSS

Lumi shton se kërcënimet kanë për qëllim shqetësimin e publikut dhe ndërprerjen e aktiviteteve të rregullta, deri në përpjekjen për të shkaktuar panik dhe pasiguri në shoqëri.

“Por, kjo nuk do të thotë që këto kërcënime nuk janë pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike”, ka thënë ajo.

Shkollat kanë qenë më të prekura nga kërcënimet me bombë, sepse prindërit dhe komuniteti janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo lloj kërcënimi që mund të ndikojë në sigurinë e fëmijëve, shton Lumi.

Kjo e bën shkollën një objekt të lehtë për ata që duan të shkaktojnë trazira ose të marrin vëmendje”, shprehet ajo.

Në kohën kur sistemi i arsimit në Kosovë konsiderohet i dobët, sidomos pas pandemisë, sipas Lumit, këto kërcënime vetëm sa e kanë thelluar këtë gjendje, për shkak të humbjes së orëve të mësimit.

Zgjerimi i njohurive për t’u ballafaquar me kërcënime të rrejshme

Sulmet kibernetike kanë shtruar nevojën për zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme për t’u ballafaquar me kërcënime të tilla. Kjo për faktin se përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është zgjeruar me shpejtësi prej vitit 2000.

Sipas statistikave botërore, përdorimi i internetit në Kosovë është në masën 90.4 për qind.

Megjithatë, institucionet përkatëse nuk duket se kanë ndërmarrë ndonjë hap të rëndësishëm në këtë drejtim.

Por, kjo nuk i ka ndalur nxënësit kosovarë t’i zgjerojnë njohuritë për t’u ballafaquar me kërcënime të rrejshme.

Përdorimi i internetit në Kosovë është në masën 90.4 për qind

Drejtori i shkollës “Xhevdet Doda” në Prishtinë, Azem Jaha, ka treguar se pas kërcënimit që kanë pranuar, nxënësit tashmë organizojnë ligjërata vetëdijesuese rreth sulmeve kibernetike.

Edhe në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thonë se përmirësimi i protokolleve të reagimit në rastet e kërcënimeve me bomba është jetik.

Kjo përfshin trajnimin e stafit të shkollave dhe institucioneve të tjera, përmirësimin e komunikimit ndërmjet autoriteteve dhe publikut, si dhe investimin në teknologji për identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të tilla. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e ndikimit të kërcënimeve të rrejshme dhe në rritjen e sigurisë së publikut”, ka theksuar Leureta Lumi.

Nevoja për ngritjen e kapaciteteve

Informatat që ka kërkuar Sbunkeri nuk janë vënë në dispozicion nga PK-ja dhe institucionet e tjera hetuese. Në dokumente qeveritare konfirmohet se sulmet kibernetike që janë shtuar vitet e fundit përbëjnë problem serioz.

Natyra pa kufij e krimit kibernetik ka kontribuar në përhapjen e gjerë të aktiviteteve kriminale, kupërfshihen kompjuterët dhe sistemet e informacionit. Qeveria, vitin e kaluar, miratoi Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2023-2027, ku tregon hapat e ndërmarrë në ngritjen e infrastrukturës ligjore që synon parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit kibernetik. Aty parashihen gjashtë objektiva strategjikë në adresimin e këtij problemi, mes të tjerash krijimi i kapaciteteve ligjore dhe institucionale të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, promovimi i programeve vetëdijesuese për sigurinë kibernetike, mbështetja në zhvillimin e sektorit privat në sigurinë kibernetike, ndërtimi i bashkëpunimit të qëndrueshëm kombëtar e ndërkombëtar, avancimi i aftësive hetimore dhe ushtarake të sigurisë kibernetike.

Edhe pse Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës posedon kapacitete teknike dhe trajnime të nevojshme për t’i hetuar krimet kompjuterike, mbetet sfidë një përgjigje më efektive e zbatimit të ligjit, duke u fokusuar në zbulimin, gjurmimin dhe ndjekjen penale të kriminelëve kibernetikë. Institucionet duhet të angazhohen që të ndërtohet besimi te qytetarët se të gjitha llojet e krimit trajtohen me përgjegjësi dhe efektivitet.

Deri tash nuk ka pasur raste të depërtimit dhe dëmtimit serioz të sistemeve me të dhënat shtetërore, por ky rrezik mbetet real.

Aktivitetet e ndryshme kriminale kanë mjaftuar për t’i evidentuar dobësitë e rrjeteve kompjuterike në Kosovë. Sipas të dhënave, target i sulmeve kompjuterike deri më tani janë llogaritë e përdoruesve, sistemet bankare dhe faqet e internetit. Qeveria duhet t’i përmirësojë kushtet që policia t’i kryejë detyrat e veta në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe trendet e krimit. Referuar zhvillimeve në këtë fushë, Qeveria duhet ta aplikojë një metodologji për mbledhjen e statistikave kibernetike dhe të konsiderohet mundësia që çdo vit të publikohen të dhëna mbi sulmet kibernetike.

Kjo do të siguronte rritjen e njohurive të punonjësve të organeve hetuese, por edhe të qytetarëve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike.

 

As rajoni nuk është imun

 

Nga marsi i vitit 2022, kërcënime pati edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. 

Serbia i ka ndërlidhur kërcënimet me situatën në Ukrainë, ku zyrtarë shtetërorë atje thanë se po synohet t’u bëhet presion për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Policia në Serbi pati njoftuar se tetë kërcënime kishin burimin nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria, si dhe nga një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia.

Serbia arrestoi edhe tre të mitur, që dyshohen se kanë porositur mbi 80 kërcënime me bomba në shkolla ​​në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.