Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Kryetarë të komunave me legjitimitet të “kontestuar”

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat veriore pa Listën Serbe e cila deri tash ka përfaqësuar komunitetin shumicë serb, ringjalli narracionet kundërthënëse lidhur me shkaqet që çuan në bojkotimin e zgjedhjeve nga shumica serbe.

Derisa liderët kosovarë fajësuan Serbinë se përmes propagandës ndërhyri në veri duke kërcënuar e shantazhuar serbët nëse dalin në votime, pala tjetër e përforcoi qëndrimin se ky është episodi i radhës nëpërmjet të cilit synohet dëbimi përfundimtar i serbëve duke e “pushtuar” veriun.

Pushtetin komunal në veri për herë të parë e morën shqiptarët, ku nga dy komuna do t’i kenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike. Nga aspekti kushtetues e ligjor zgjedhjet ishin të rregullta, por shqetësime janë ngritur sa i përket legjitimitetit për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa incidente. Por votimet nuk u mbajtën në objektet shkollore meqë kontrollohen nga serbët në veri, të cilët nuk lejuan që ato të shndërrohen në qendra votimi. Kësisoj, autoritetet e Kosovës vendosën kontejnerë mobilë në pika të ndryshme duke zëvendësuar rreth 70 për qind të qendrave të zakonshme të votimit.

Organizata të shoqërisë civile të cilat vëzhguan zgjedhjet kanë folur për ambient jo të favorshëm, duke e cilësuar gjithë procesin si improvizim me arsyen se qendrat e votimit kanë qenë të vendosura përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara. Gjithashtu, shumica e vendvotimeve u fuzionuan në qendra alternative të dhe numri i votuesve të regjistruar për qendër arriti deri në rreth 6 mijë sosh.

Mbarëvajtja e procesit zgjedhor u sigurua nga Policia e Kosovës, e cila ka qenë e pranishme në të gjitha pikat e votimit, duke bërë që procesi të përmbyllet pa asnjë incident.

“Përderisa në zonat e banuara nga komuniteti serb ka pasur bojkotim pothuajse të plotë të zgjedhjeve, në zonat e banuara nga komuniteti shqiptar, është evidentuar një trend më i lartë i daljes në votime. Në këtë mënyrë, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”, thuhet në vlerësimin e “Demokracisë në Veprim”.

Kryetarë me 100 vota

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga rreth 45 mijë votues me të drejtë vote vetëm 1 mijë e 567 morën pjesë në votime, që shënon daljen më të ulët në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, me vetëm 3.4 për qind. Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje fitoi në Leposaviq me 100 vota (73.5 për qind). Kandidati i VV-së për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, mori 553 vota (66.9 për qind). Në Zubin Potok, fitues doli Izmir Zeqiri i Partisë Demokratike me 197 vota, ndërkaq në Zveçan, Ilir Peci (PDK) me 114 vota. Kandidatja e vetme e pavarur nga komuniteti serb, Sllagjana Pantoviq e cila garoi në Zveçan mori vetëm shtatë vota. Pantoviq gjatë votimit për zgjedhjet e 23 prillit por edhe në shtëpinë e saj, gjatë tërë kohës është përcjellë nga Policia e Kosovës. Siguria fizike e kandidatëve por edhe e qytetarëve ka qenë brenga e autoriteteve të Kosovës para dhe gjatë zgjedhjeve.

Atmosferë frike

Daljen e ulët në zgjedhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ia atribuoi atmosferës së frikësimit dhe shantazhit. Sipas tij, “bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri”.

Ndërkaq presidentja Osmani tha se “ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”.

Në anën tjetër, zyrtarët serbë bojkotimin e zgjedhjeve e quajtën triumf të politikës së tyre, teksa akuzuan Prishtinën zyrtare edhe vendet perëndimore që përkrahën mbajtjen e tyre pa pjesëmarrjen e serbëve.

Pavarësisht deklaratave, pretendimet për shantazhe e frikësime nuk janë shoqëruar me denoncime pranë autoriteteve kompetente.

Politikanë që nuk i takojnë Listës Serbe janë ankuar publikisht për presione e kërcënime pasi u tërhoqën nga gara zgjedhore. Partia e Serbëve të Kosovës dhe iniciativa qytetare, “Mbijetesa Serbe” i përmenden largimet nga puna prej institucioneve të Serbisë të cilat funksionojnë në Kosovë. Madje sipas tyre, 8 zyrtarëve në Komunën e Leposaviqit u janë ndalur pagat.

Por kur prokurorët kanë nisur hetimet, ata nuk kanë pranuar të dëshmojnë në gjykatë. Në Prokurori zyrtarisht nuk është proceduar asnjë informatë për këto kërcënime.

Pak ditë para zgjedhjeve, autoritetet e Beogradit ashpërsuan masat ndaj serbëve në veri të cilët nuk iu bindën Listës Serbe. Policia e Serbisë arrestoi në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, Dragan Nikoliqin dhe Dushan Tomoviqin, duke i akuzuar se janë pjesë e grupit kriminal që udhëhiqet prej dy personave shqiptarë, të cilët kanë për qëllim rrezikimin e rendit juridik të Serbisë. Por avokati i Nikoliqit, Ivan Niniq, tha se akuza i është mveshur pasi bashkëshortja e klientit kandidoi për Kuvendin Komunal në Leposaviq.

Edhe ata pak serbë që morën vota për Kuvendet Komunale, pas zyrtarizimit të rezultateve, refuzuan t’i marrin mandatet. Partia Serbe e Kosovës, që udhëhiqet nga Aleksandar Jabllanoviq, njoftoi se kandidatët e tyre për këshilltarë, Slavisha Jevtiq dhe Milutin Iliq, kanë fituar mandate me nga një votë të vetme, duke kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’i anulojë ato. Kjo parti u tërhoq vetëm dy ditë para zgjedhjeve, megjithëkëtë emrat e kandidatëve figuruan në listën votuese, e cila ishte shtypur para dorëheqjeve të tyre.

Kthimin e serbëve në institucione, BE-ja e ndërlidh me Asociacionin

Me kërcënimet dhe shantazhet nuk u mor Bashkimi Evropian, i cili njohu të drejtën e Kosovës për t’i mbajtur zgjedhjet, por të njëjtën kohë tha se rezultati i tyre nuk krijon zgjidhje afatgjate. Sipas BE-së “kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe pasiqë Kosova ta mundësojë këtë kthim. Për BE-në është e domosdoshme që urgjentisht të krijohet mundësia “ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, si dhe rikthehen në polici dhe gjyqësor në veri të vendit”.

Por kjo situatë është e tillë që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Rikthimi i mundshëm i serbëve nuk u shqyrtua as në kuadër të diskutimeve që çuan në Propozimin e Bashkimit Evropian dhe pajtimin e proklamuar. Fakti se marrëveshja u arrit para datës që ishte caktuar më herët për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ajo do të duhej t’i hapte rrugë rikthimit të serbëve në institucione dhe pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.

Pavarësisht se ujdia u proklamua si sukses nga ana e BE-së, presidenti i Serbisë Vuçiq e përsëriti në disa raste se nuk mund të ketë zbatim të saj pa themelimin e Asociacionit. Krijimin e tij, i cili trajtohet në kuadër të nenit 7 dhe 10 të Propozimit të BE-së, Serbia e vendosi si parakusht për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Pavarësisht daljes së ulët, procesi zgjedhur nuk u kontestua as nga SHBA-ja që përgëzoi institucionet për krijimin e rrethanave që ato të mbahen, ndërkohë shprehu keqardhje se jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje.

Pas zgjedhjeve, sfidë do të jetë ushtrimi i mandatit nga kryetarët shqiptarë. Përfaqësues të Listës Serbe kanë thënë se “nuk do të lejojnë që komunat në veri të udhëhiqen nga ata që morën 2 për qind të votave”. Porosinë e ka përçuar nënkryetari Milan Radojçiq, i cili prej vitesh është në arrati. Por as ai as Lista Serbe nuk kanë treguar çfarë masash mund të ndërmarrin për t’i sfiduar kryetarët shqiptarë, në pjesën ku popullata lokale shpesh është nxjerrë në rrugë për t’i mbrojtur vendimet politike të Beogradit. Në aspektin ligjor, njëra prej masave është peticioni i qytetarëve. Sipas ligjit, kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga 20 përqind e votuesëve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës.

Ndërkohë autoritetet janë shprehur të gatshme që të garantojnë sigurinë me rastin e inaugurimit të kryetarëve që u zgjodhën më 23 prill.

Megjithëkëtë ka paralajmërime edhe nga vetë shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, për rrezikun e përshkallëzimit të situatës e cila do ta minonte marrëveshjen e Ohrit. Në takimin e 2 majit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb është diskutuar edhe për situatën pas zgjedhjeve në veri. Borrell ka thënë se paraqiti një propozim, por nuk ka treguar se cili është ai duke shtuar se “liderët nuk arritën ndonjë lloj pajtimi dhe kam frikë që do të ballafaqohemi ndoshta me ndonjë situatë kritike”.

Serbët u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës fundvitin e shkuar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në RKS. Kjo situatë imponoi zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar, por pas tensioneve në veri që u shoqëruan edhe me sulme mbi zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me kërkesën e ndërkombëtarëve, ato ishin shtyrë më 23 prill.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

*Përgatiti Fitim Gashi

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.