Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Kundërthëniet e Policisë pas plagosjes në veri të Kosovës

*Përgatiti: Ridona Berisha

Në mbrëmjen e 10 prillit, afër urës së Bistricës, në magjistralen Leposaviq-Zveçan është plagosur M.J nga Zveçani, shofer taksie. Sipas raportimeve fillestare, kryesisht nga mediat serbe që e raportuan rastin, ai është plagosur nga një pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës (PK), afër postbllokut të vendosur në dhjetor të vitit 2022.

Pas publikimit të lajmit nga: Kosovo Online dhe Kossev në lidhje me plagosjen, PK ka ndryshuar deklaratat dy herë brenda ditës. Fillimisht e ka mohuar plagosjen e qytetarit duke thënë në njoftimin për media se PK-ja nuk ka qenë e përfshirë në ndonjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj një grupi apo personi të caktuar.

Ndryshimi i deklaratës së Policisë

Vetëm pas dy orësh, PK-ja demantoi veten përmes një tjetër njoftimi për media, në të cilën theksoi se “si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

Policia e ka hedhur fajin tek pjesëtarët e saj që nuk e kanë raportuar rastin, ndonëse ajo zonë mbikëqyret nga kamerat e sigurisë. Megjithatë, PK-ja ka suspenduar zyrtarin policor “pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”.

Lidhur me rastin, ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, ka dhënë versionin e tij se si ka ardhur deri tek plagosja. Sipas Sveçlës, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. “Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, ka shkruar Sveçla.

Sipas Arber Bekës nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) hetuesit kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. “Në këtë fazë të hetimeve është herët të flasim për motivin e fshehjes potenciale të raportimit të rastit”, ka thënë ai.

30 Ditë paraburgim ndaj policit që shtiu me armë

Ndërkaq më 13 prill, Gjykata Themelore në Mitrovicë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim policit të dyshuar, kurse tre të tjerët janë në arrest shtëpiak. “Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’ dhe manipulim me prova, ndërsa tre policët e tjerë, po ashtu, dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”, ka raportuar Betimi për Drejtësi.

Policia kritikohet për mungesë profesionalizmi

Pas deklaratave kundërthënëse të Policisë dhe përpjekjes për të mos e raportuar plagosjen nga policët, si rrallëherë me tone kritike ndaj PK-së ka reaguar edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier. Ai ka shprehur shqetësimin për mohimin fillestar të PK-së, duke kërkuar hetime kredibile.

Kanë reaguar edhe UNMIK-u, KFOR-i, duke kërkuar prej institucioneve vendore të kryejnë hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit. Ndërsa EULEX ka paralajmëruar shtimin e prezencës me forca rezervë për të patrulluar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ngutinë e PK-së për ta mohuar përfshirjen e zyrtarëve të saj pa kryer ndonjë hetim paraprak, e ka dënuar edhe YIHR KS duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse për vendosjen e drejtësisë në këtë rast.

Në anën tjetër, zyrtarët e Serbisë plagosjen e kanë ndërlidhur me pretendimin se ekziston një plan shtetëror për frikësimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova. Ata e kanë përsëritur edhe kërkesën për largimin e PK-së nga veriu i populluar me shumicë serbe, megjithëse PK-ja ka mandat për ofrimin e sigurisë në gjithë territorin e vendit.

I ashtuquajturi drejtor i “Zyrës për Kosovë dhe Metohi”, Petar Petkoviq, ka fajësuar Albin Kurtin duke thënë se ai ka për qëllim ta destabilizoj situatën. “Kurti nuk dëshiron paqe, ai nuk dëshiron të zbatojë asgjë për të cilën është rënë dakord”, ka theksuar Petkoviq.

Ndërkaq Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, praninë e forcave speciale në veri, e konisderon burim të incidenteve të reja.

Pas rastit, me 12 prill serbët marshuan te Ura e Bistricës, dhe nisën një peticion me kërkesën për largimin e forcave speciale nga veriu.

Kurse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mblodhi në Rashkë në një takim politikanët serb të Kosovës ku paraqiti pesë konkluzione, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në atë pjesë.

Megjithë marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës e Serbisë, pas së cilës pati thirrje që të shmangen incidentet në veri, ato vazhdojnë të jenë prezente. Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunash, të cilat janë planifikuar të mbahen më 23 prill, janë djegur edhe disa vetura të qytetarëve të cilët i konvertuan targat në RKS.

Lista Serbe nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në takim me Vuçiqin, pjesëmarrjen e ka kushtëzuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.