Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Kundërthëniet rreth Asociacionit

Foto: Mitrovicë e Veriut

*Përgatiti Fitim Gashi

“Plani modern” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përmbajtja e të cilit nuk i është prezantuar ende publikut, vazhdon të nxisë polarizime të brendshme. Është bërë më shumë se një muaj qëkur emisarët euro-perëndimorë e sollën në Prishtinë Draft-statutin e Asociacionit, për të cilin më pas pati diskutime në Bruksel, në margjinat e Samitit të BE-së, dhe në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë. Edhe pse opinioni nuk ka njohuri për Draftin, kryeministri Albin Kurti dhe vartësi i tij Besnik Bislimi thanë se e kanë pranuar, teksa arsyetuan mospublikimin e tij me ruajtjen e konfidencialitetit në negociata. Por, në seancën e Kuvendit, ku u diskutua për dialogun, Kurti tha se “kanë insistuar në parime dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft-statut i cili njëmend i respekton këto principe”, megjithëse shtoi se ka vërejtjet dhe kritikat e veta, por që nuk mund t’i bëjë publike për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit. Pranimin e dokumentit e ka arsyetuar me urgjencën që ia kanë shpalosur emisarët euro-perëndimorë, duke e quajtur “shans unik”.

“Nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë dhe unë e pranoj si pjesë të paketës”, tha Kurti. Në këmbim të pranimit të Draftit, Kurti deklaroi se ka kërkuar prej Bashkimit Evropian statusin e vendit kandidat dhe angazhim për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe në NATO.

Por, sipas tij, problemi është te Serbia, që po refuzon ta nënshkruajë propozimin euro-amerikan për Asociacionin, bashkë me Marrëveshjen bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksin për zbatimin e saj, të arritur në Ohër më 18 mars.

Kushtëzimet e tilla me përfitime afatshkurtra në procese të tjera deri tash kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi BE-ja ka insistuar që palët të fokusohen te zbatimi i obligimeve dhe të mos vendosen parakushte.

Qëndrimet e shprehura nga liderët e tjerë pas diskutimeve për draftin e statutit shpërfaqin mungesën e debatit brenda-institucional për adresimin e vërejtjeve rreth dokumentit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se ka çështje që krijojnë dykuptimësi në Draft-statut, teksa shfaqi shpresën se ato do të eliminohen para se të dërgohen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Ajo bëri të ditur se ka përgatitur komente me shkrim, të cilat u janë përcjellë të gjithë akterëve të përfshirë në përgatitjen e draftit.

Prej arritjes së marrëveshjes së parë në vitin 2013, Asociacioni është obligim që i përshkruhet Kosovës.

Kërkesa për ta pasur nënshkrimin e Vuçiqit në një çështje që supozohet të jetë e brendshme për Kosovën duket e pakuptimtë, nëse kjo nuk po bëhet me qëllimin që të blihet kohë dhe topi të hidhet te pala tjetër, duke e ditur se është zotuar që nuk nënshkruan dokumente të cilat ia rikonfirmojnë Kosovës subjektivitetin ndërkombëtar. Kurti dhe Vetëvendosja sa ishin në opozitë vazhdimisht akuzonin qeveritë e kaluara se Serbinë po e bëjnë hisedarë në rregullimin e brendshëm të Kosovës, duke iu referuar marrëveshjeve nga dialogu që nisi si teknik e përfundoi në politik, përfshirë atë për Asociacionin.

Por, më shumë sesa nënshkrimi i palës tjetër, shqetësim do të duhej të përbënin kompetencat që i përshkruhen Asociacionit, nëse konfirmohet një draft të cilin e publikoi ish-kryeinspektori i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI).

Drafti prej 11 faqesh, në mesin e objektivave që ia përshkruan Asociacionit, është se “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”. Megjithëse aty thuhet se drafti nuk i kalon “vijat e kuqe” të Kosovës, mbetet e paqartë se çfarë është nënkuptuar me “autonomi substanciale” për komunitetin që gëzon më së shumti të drejta në Kosovë. Referencë për Asociacionin janë Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, si dhe dokumenti i parimeve për themelimin e Asociacionit i 25 gushtit 2015. Për këtë të fundit, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt, duke i parë problematike kompetencat që i janë veshur, e që shkojnë drejt një niveli të tretë qeverisës.

Mënyra si po tentohet të instalohet Asociacioni nuk ka mbështetje as nga opozita, e cila në të kaluarën kishte nënshkruar marrëveshje për themelimin e këtij mekanizmi. Por, tash thonë se drafti që e kanë parë ka shqetësime serioze, pasi flet për një shtrirje territoriale të komunitetit serb dhe vetëmenaxhim të tyre nëpërmjet Asociacionit si instrument.

Çështja e Asociacionit ka shkaktuar kundërthënie edhe në mesin e komunitetit serb. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk konsideron se Asociacioni do t’i zgjidhë problemet e tyre, “edhe pse po prezantohet si diçka e madhe”. Ai e sheh problematik integrimin e strukturave të Serbisë brenda Asociacionit, në kuptimin që ky mekanizëm nuk ka kapacitet t’i pranojë të gjithë ata punonjës që marrin paga prej shtetit serb.

Por, Rashiqit i ka reaguar drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Sipas tij, kjo është përpjekje për ta minimizuar rolin e Asociacionit për serbët, teksa ka përsëritur se “Marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 parashohin vazhdimin e funksionimit të të gjitha institucioneve serbe, të cilat, ndryshe nga situata aktuale, do të mbrohen nën ombrellën e AKS-së”.

Kosova dha zotim për themelimin e Asociacionit, ani pse Serbia nuk u është përmbajtur deri në fund marrëveshjeve të kaluara lidhur me strukturat paralele, si parakusht për krijimin e këtij mekanizmi. Në vazhdimësi ka refuzuar t’i shuajë ato, duke i ndërlidhur me themelimin e Asociacionit. Formacioni Mbrojtja Civile, përkatësisht pjesëtarët e saj, që është dashur të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës, të njëjtën kohë e kanë vazhduar aktivitetin ilegal në veri duke cenuar sigurinë e vendit.

Zbatim nuk po gjejnë as marrëveshja e fundit dhe aneksi për implementimin e saj, brenda të cilit është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Nenet e para të Marrëveshjes bazë përmbajnë elemente të cilat janë interpretuar si “njohje de facto”, pasi Serbia obligohet t’i njohë simbolet shtetërore dhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimet e fundit në Bruksel, në margjinat e Samitit të BE-së, kërkoi riformulim që do të nënkuptonte ndryshimin e Marrëveshjes bazë. Pala kosovare nuk pati kërkesa të tilla për ndryshim të marrëveshjes. Vetëm iu kthye kërkesës që dokumentet të nënshkruhen prej palëve, në mënyrë që ato të bëhen valide dhe të nisë zbatimi.

Nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte e ka përsëritur ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Por, përveç pajtimit për hapat e radhës, pas takimit të fundit me zëvendëskryeministrin Bislimi, ai nuk ka treguar se cilët janë këta hapa dhe kornizën kohore kur duhen plotësuar. BE-ja ka shfaqur paqartësi edhe sa i përket insistimit për ta nënshkruar marrëveshjen, duke deklaruar prej fillimit se palët janë dakorduar t’i zbatojnë marrëveshjet, megjithëse u mungon nënshkrimi. Deri tash ka dalë të jetë i pamjaftueshëm dhe jo i përfillshëm kushti vënë palëve se përparimi drejt integrimit në BE do të varet nga niveli i zbatimit të marrëveshjes. BE-ja është kritikuar për qasje selektive në raport me palët, si pasojë e tensioneve në veri.

Derisa për Kosovën mbesin në fuqi masat sanksionuese, Serbisë nuk i janë vendosur ato, me gjithë kërkesën e udhëheqësve të Kosovës që e fajësuan shtetin serb për organizmin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sa herë që dialogu ka ngecur, Serbia i ka vënë në shërbim strukturat e saj për të krijuar tensione në veriun e populluar me shumicë serbe. E ka bërë këtë përmes dezinformatave dhe narrativave se kinse Qeveria e Kosovës ka për qëllim dëbimin e serbëve, e jo realizimin e të drejtave të tyre. Kjo situatë u provua më 24 shtator, vetëm 10 ditë pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, i cili nuk prodhoi kurrfarë rezultati. Kosova u ballafaqua me sulm të paprecedent terrorist nga grupi sulmues që kishte hyrë prej territorit të Serbisë, e në krye të të cilit ishte deri atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. Megjithëse sulmuesit u zmbrapsën, institucionet vendore vazhdojnë të alarmojnë për rrezikun e një sulmi tjetër nga fqinji verior, nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.