Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Lajmet e rreme, sfidë serioze për demokracinë tonë të brishtë

Tony Blair nuk ishte fare në Kosovë për 25-vjetorin e çlirimit të Ferizajt më 12 qershor kur edhe iu shpalos shtatorja në bulevardin që mban emrin e këtij ish-kryeministri britanik. Por menjëherë pas lajmit për ceremoninë që u mbajt në rrezet përvëluese të diellit, plasi debati në rrjetet sociale për shtatoren e tij. Gjatë derdhjes së tij në bronz, skulptorin e saj e kishin vizituar edhe gazetarë mediash të mëdha ndërkombëtare, si Reuters, për t’i treguar botës se Kosova po nderonte Blairin për rolin e tij vendimtar gjatë bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë. Derisa në rrjetet sociale kritikët po vinin në dyshim përafrinë e shtatores me imazhin real të Blairit, gazeta britanike “The Independent” në shkrimin e 13 qershorit shkruante që në titull se njerëzit janë të bindur se shtatorja e “Toniblerit” në Kosovë ishte e Jason Donovanit, ylli australian i “Neighbours”.

“Ish-kryeministri mori pjesë në shpalosjen në Bulevardin Blair, dhe iu drejtua deputetëve në një seancë speciale në parlamentin e Kosovës”, thuhej ndër të tjera në paragrafin e dytë të shkrimit, megjithëse në ceremoni u lexua vetëm letra që Blair ua kishte dërguar nismëtarëve të shtatores. Është e qartë se gazeta e njohur britanike nuk e kishte verifikuar fare kohën e përfundimit të vizitës së Blairit dhe mungesën e pjesëmarrjes së tij.

Informacione të ngjashme të pasakta hasen shpesh në media serioze tradicionale, që në kohën e revolucionit teknologjik e konkurrencës së ashpër virtuale bien në kurthin e lajmeve të pakonfirmuara sherri i shpejtësisë së lajmit. Natyrisht se mediat serioze i korrektojnë lëshimet e paqëllimshme, por lajmet e rreme po sfidojnë edhe shoqëritë më të zhvilluara e me traditë të madhe të shtypit, sikurse Britania e Madhe e Shtetet e Bashkuara.

Deputetët britanikë qysh më 2017 ngritën një grup që edhe më parë kishte shprehur shqetësime për ndikimin e lajmeve të rreme pasi konsideronin se mund të ktheheshin në kërcënim për demokracinë. Grupi hetimor, i themeluar nga komisioni për media, kulturë dhe sport i Dhomës së Përfaqësuesve, do të përcaktonte definicionin e lajmeve të rreme dhe do të identifikonte ndikimin që mund të kenë ato gjatë përhapjes së tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Por përhapja e rrenave të qëllimshme politike nuk ka të ndalur kurrkund, derisa teknologjia po vazhdon vrullin e zhvillimit.

“Gjithashtu do të ekzaminojë nëse makinat e kërkimit dhe kompanitë e mediave sociale, si ‘Google’, ‘Twitter’ dhe ‘Facebook’, duhet të marrin më shumë përgjegjësi për kontrollimin e lajmeve të rreme, dhe nëse shitja dhe vendosja e reklamave në uebfaqe ka inkurajuar ngritjen e tyre”, shkruante gazeta tjetër britanike “The Guardian”, teksa jepte lajmin për themelimin e Komisionit. Ardhja e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 2016 vetëm sa u dha edhe më shumë zemër politikanëve populistë që qëllimshëm t’i përdornin lajmet e rreme për të fituar më shumë vota. Kjo ndodhi në kohën kur e djathta ekstreme nisi të anatemonte grupe të mëdha qytetarësh të vendeve perëndimore, duke përdorur edhe gjuhë raciste dhe paralajmërime për dëbim të evropianëve me prejardhje të ndryshme etnike e fetare.

Bota mbarë po vazhdon të përballet me sfidat e mëdha që paraqesin lajmet e rreme, derisa shtrirja dhe ndikimi i mediave sociale po vazhdon të zgjerohet. Sprova do të jetë veçanërisht kritike sivjet pasi miliarda njerëz po dalin në zgjedhje në të katër anët e globit. Aktorët e lajmeve të rreme –  sikurse u dëshmua me hetime serioze në Shtetet e Bashkuara për ndikimin e Rusisë në zgjedhjet e 2016-së – janë mekanizma të organizuar shtetërorë që ndërmarrin operacione masive, duke përfituar prej avancimeve teknologjike të inteligjencës artificiale. Ata shfrytëzojnë edhe mungesën e rregullativave kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtje nga të pavërtetat në mediat sociale.

“Miliarda njerëz do të votojnë në zgjedhje të rëndësishme sivjet – rreth gjysma e botës sipas disa përllogaritjeve – në një prej praktikave më të gjera dhe më me pasoja në mbamendjen njerëzore. Rezultatet do të ndikojnë sesi bota do të drejtohet gjatë dekadave të ardhshme”, paralajmëron “New York Times”, teksa analizon ndikimin e dezinformatave në proceset më të mëdha zgjedhore. Gazeta njujorkeze alarmon gjithashtu se narrativat e rrejshme dhe teoritë e konspiracionit kanë marrë përmasa të një të lige botërore në ngritje. “Pretendimet e pabazuara për kurdisje zgjedhjesh kanë goditur besimin në demokraci”.

Ekspertët e marrëdhënieve me publikun thonë se fushatat e ndikimit të huaj vazhdimisht po i thellojnë sfidat e brendshme polarizuese, derisa njëherësh po i përdorin me të madhe mundësitë që i ofron inteligjenca artificiale për të krijuar realitete të paqena. Gjigantët e kërkimit virtual vazhdojnë të akuzohen se kanë zbutur siguresat kur vjen puna te fushatat qëllimkëqija në kohë zgjedhjesh.

“Pothuajse çdo demokraci është nën presion pavarësisht teknologjisë”, vlerëson Darrel M. West, ekspert i Institutit Brookings, duke shtuar për NYT-in se fushatat dezinformuese vetëm sa i shtojnë mundësitë për ligësi e dashakeqësi politike kundër pushtetit lokal, qendror a mbinacional.

Derisa shoqëritë me traditë dhe institucione të fuqishme demokratike dhe ligjore prej lajmeve të rreme e fushatave dezinformuese, shumë më të vështirë e kanë këtë betejë të vazhdueshme vendet me demokraci të re e në ndërtim e sipër, si Kosova. Fushatat dezinformuese nxiten dhe financohen edhe nga grupe dhe individë të fuqishëm brenda partive, derisa lidershipi i aprovon me heshtje pavarësisht rrezikut afatgjatë të qëllimeve të tyre. Janë kinseportale e llogari të ndryshme në rrjetet sociale, prapa të cilave nuk dihet se kush qëndron. Janë njerëz që shquhen me njëfarë kreativiteti në qasjen e tyre keqinformuese! Përdorin emra e shkurtesa qytetesh, duke ia shtuar një “press” a “info” prapa për ta shitur si portal serioz, ku njerëzit denigrohen personalisht e familjarisht në kohë debatesh e vendimesh të caktuara politike, të rëndësishme për qytetarët, por që kalojnë pa ndonjë diskutim të mirëfilltë argumentues. Ato janë instrumente virtuale që njollosin individë jo vetëm nga radhët e opozitës politike, por edhe ata që mendojnë ndryshe duke qenë pjesë e partisë apo e koalicionit politik në qeverisje lokale a qendrore. Publikojnë akuza të pabazuara, duke prekur në çështje të ndjeshme, si vlerat e luftës, apo e kaluara kinse e dyshimtë patriotike.

Vorbulla e rrenave”, sikurse titullohet raporti i 2023-s i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), i përshkruan edhe narrativat dezinformuese që janë përhapur viteve të fundit në Kosovë. Raporti i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, pos faktimit të fushatave dezinformuese në fusha të ndryshme, nxjerr përfundimin se gjatë një eksperimentimi social është vënë në pah brishtësia dhe mungesa e njohurive bazë në lidhje me konsumin e sigurt të informacionit nga zyrtarët publikë. Hartuesit e vlerësojnë si alarmues faktin që një numër i konsiderueshëm zyrtarësh publikë e besuan informacionin e rremë gjatë eksperimentit social.

“Të dhënat e përgjithshme janë shqetësuese, veçanërisht fakti që një numër i madh zyrtarësh do të shpërndanin informacionin te palët e tjera, apo edhe do ta shpërndanin pa e verifikuar informacionin”, thuhet në “Vorbullën e rrenave”. “Ky studim nënvizon nevojën për promovimin e edukimit mbitmediat dhe aftësive të të menduarit kritik për të parandaluar përhapjen e dezinformatave”.

Përvoja e deritanishme me lajmet keqinformuese tregon se ky edukim duhet të jetë gjithëpërfshirës. Raporti “Vorbulla e rrenave”, ndër rekomandimet kryesore, e sheh të domosdoshme që mediat t’i verifikojnë faktet përpara publikimit, por bën thirrje edhe për krijimin e qëndrueshmërisë qytetare kundrejt dezinformimit dhe forcimit të kapaciteteve të organeve rregullatore të medias. “Institucionet shtetërore duhet gjithashtu të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të zhvillojnë strategji për të kundërshtuar fushatat informative kundër Kosovës”.

Ligjëruesit e Departamentit të Gazetarisë të UP-së ka kohë që kanë nisur një fushatë vullnetare për ta bindur Ministrinë e Arsimit për ta futur edukimin medial si lëndë obligative për shkak të mungesës së kompetencës profesionale të mësimdhënësve të edukatës qytetare për të ligjëruar mbi keqinformimin dhe mediat. E kur kjo shikohet në raport me mundësitë e pafundme teknologjike për ta përdorur komunikimit masiv, pasojat për shoqërinë dhe demokracinë do të jenë të gjera dhe afatgjata.

Ky artikull u përgatit nga Sbunker, si pjesë e projektit “Fuqizimi i qëndrueshmërisë së komunitetit kundër dezinformimit”, mbështetur nga TechSoup Global, në kuadër të Programit për Aktivizmin Digjital.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.