Iniciativa e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e njohur si “Ballkani i Hapur” vazhdon të jetë një nga temat më të debatueshme në Kosovë dhe rajon. Takimi i fundit i kësaj nisme, i cili u organizua në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 8 qershor, përveç shteteve anëtare, në cilësinë e vëzhguesve ishin edhe Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Në anën tjetër, Kosova ishte shteti i vetëm nga rajoni që refuzoi ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski, për pjesëmarrje në këtë takim.
Sidoqoftë, ajo çfarë nxiti më shumë debat në lidhje me takimin si dhe me iniciativën e ‘’Ballkanit të Hapur’’, ishte deklarata mbështetëse e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili duke kritikuar BE-në tha që “ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur“. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO-ja dhe BE-ja duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”.
Kjo deklaratë nxiti një varg reagimesh nga Kosova në lidhje më Ballkanin e Hapur, duke interpretuar se, meqë iniciativa mori ‘’mbështetjen” nga diplomati rus, përpos që ajo duhet të refuzohet nga institucionet e Kosovës, njëkohësisht duhet pasur kujdes se kjo iniciativë mund të jetë pro-ruse dhe pro-serbe.
Një interpretim të tillë çorientues, e ka bërë shefi i kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela në llogarinë e tij në tëitter, duke shpërndarë njëkohësisht lajmin që Lavrov mbështetë “Ballkanin e Hapur”. Në këtë rast, Vela ka shpërndarë një link të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve, Tass e cila në vete është problem, duke pasur parasysh faktin që Komisioni i Pavarur për Media, me qëllim të parandalimit të dezinformimit të opinionit publik, ka ndaluar përkohësisht nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse në Kosovë.
Më tutje, pretendimet e ministrit të jashtëm rus janë vënë në pikëpyetje si nga pjesëmarrësit e këtij takimi, ashtu edhe nga ambasadori i ShBA-së në Beograd. Diplomati amerikan Christopher Hill tha se është aty për të mbështetur Ballkanin e Hapur dhe se Lavrov ishte sarkastik, meqë nuk e pëkrahë këtë iniciativë. Reagime të ngjashme në mbështetje të kësaj iniciative pati nga emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Komisioneri për Fqinjësi e Zgjerim i BE-së, Olivér Várhelyi.
Më 8 qershor është mbajtur konferenca e përbashkët për media, ku udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë u mblodhën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, për herë të parë kanë marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesve liderët e Malit të Zi dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, që deri tash kishin refuzuar të marrin pjesë në këto takime.
Por deklarata kundërthënëse rreth Kosovës ka pasur edhe prej vetë pjesëmarrësve, para dhe gjatë takimeve në Ohër.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar në Facebook se me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviq, ai është bërë zyrtarisht pjesë e “Balkanit të Hapur”. Megjithëkëtë, Abazoviq mohoi se shteti i tij po i bashkohet “Ballkanit të Hapur”.
Lidhur me pjesëmarrjen e tij në konferencë, Abazoviq e bëri të qartë se nuk do të ketë anëtarësim në “Ballkanin e Hapur” gjatë ngjarjes së organizuar në Ohër. Ai tha se, po merr pjesë vetëm në cilësinë e vëzhguesit, edhe pse u proklamua një marrëveshje lidhur me projektin që shkurton distancën mes Velipojës dhe Ulqinit, me ndërtimin e urës mbi Lumin Buna. Ai përmes postimeve në “Twitter” ka thënë se Ballkani Perëndimor ka një vend në BE, dhe Mali i Zi si lider në integrim është gati të jetë shembull pozitiv në këtë proces.
Lidhur me këto qëndrime, portalet në Kosovë kanë shpërndarë tituj çorientues.
Gazeta Blic ka shpërndarë lajm të rremë pa e konfirmuar postimin e Ramës ku pretendohet se Mali i Zi i është bashkuar zyrtarisht “Ballkanit të Hapur”, dhe ka konstatuar në titull të lajmit që Edi Rama nuk është marrë me Kosovën. Përkundrazi, Rama ka përmendur Kosovën gjatë samitit duke thënë se e respekton vendimin për të mos iu bashkuar iniciativës.
Në anën tjetër, Periskopi.com në përshkrimin e artikullit në Facebook, ka pretenduar po ashtu se edhe Mali i Zi i është bashkuar “Ballkanit të Hapur”.
Përkundër kërkesës së ShBA-së, deri tash Qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, për të cilin ish-Qeveria Hoti kishte marrë obligime nga marrëveshja e zotimeve të 4 shtatorit të vitit 2020, në Uashington.
Përveç faktit se nga ky projekt përfituese është Serbia, udhëheqësit aktual kanë refuzuar pjesëmarrjen edhe me arsyen se bashkëpunimi rajonal duhet të nxitet në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është lansuar më 2014-ën në Gjermani.
* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”