Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim rrugor rikthen shqetësimet për tensione etnike

S

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Ura e Ibrit është bërë simboli i ndarjes fizike dhe etnike mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndonëse u hap për lëvizjen e këmbësorëve, ajo vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim rrugor.

Së fundmi, Kryeministri Albin Kurti deklaroi se do ta hap urën e Ibrit, duke theksuar se “I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Mirëpo kjo gjë po kundërshtohet nga komuniteti serb në veri, nga disa anëtarë të opozitës dhe shoqërisë civile, dhe vendet e QUINT-it, duke nxitur reagime të ashpra.

Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës dhe veprimet e ndërmarra për hapjen e Urës për qarkullim të automjeteve, ka rikthyer shqetësimet për përshkallëzim të tensioneve ndëretnike dhe situatës së sigurisë në veri të vendit.

Reagimi i serbëve lokal

Reagime të shumta erdhën nga zyrtarë serb në Serbi dhe komuniteti serb në Kosovë. Këta të fundit shprehën reagimin e tyre përmes një proteste paqësore më 7 gusht duke theksuar se nuk janë të pajtimit me vendimin për hapjen e urës.

Përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë u ankuan se qeveria Kurti po ushtron represion ndaj tyre. Ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, Nikolla Kabashiq tha se përpjekjet për tejkalimin e problemeve me dialog kanë dështuar.

“Kjo është forma më demokratike e qëndrimit të njerëzve që jetojnë në veri. Ne nuk e pranojmë atë vendim, i cili është marrë me pretekstin e lirisë së lëvizjes. Sigurisht që edhe tani ka liri lëvizjeje. Kalojmë urën dhe shqiptarët vijnë në veri. Vijnë në dyqanet tona, farmacitë…”. – tha Kabashiq, i cili është në mesin e zyrtarëve serb që patën dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, në nëntor 2022.

Ndërsa nga shoqëria civile serbe thanë se insistimi për hapjen e Urës për trafik është vetëm në funksion parazgjedhor të kryeministrit Albin Kurti

Për të mënjajuar reagimet e shumta, Qeveria e Kosovës organizoi  një diskutim publik me serbë lokal. Por, megjithë thirrjen e kryeministrit, vendimi i qeverisë veçse ishte marrë pa një konsultim paraprak, duke u thirrë në marrëveshjet e Brukselit, të cilat flasin për hapjen e urës. Rjedhimisht, organizimi i diskutimit ishte vetëm një tentativë për të diskutuar.

Me 13 gusht 2024, një letër e nënshkruar nga 415 gra iu dorëzua Karabinierëve në urën kryesore të Ibrit dhe ishte dedikuar për komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash përmes të cilës apelohet  që ura të mos hapet.

Kryeministri Kurti, që nga viti 2019, paralajmëronte vazhdimisht inicimin e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës.

Reagimet nga KFOR-i dhe ambasadorët e QUINT-it

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një deklarate pas takimit e bëri të qartë se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.

Ndërsa në BE u përmend mundësia e shtimit të sanksioneve ndaj Kosovës, krahas atyre që vazhdojnë të mbesin në fuqi.

“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës, vitin e kaluar, është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky, në të vërtetë, nuk është shtensionim. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”,  deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së.

Më 6 gusht 2024, ditën kur zyrtarët qeveritarë inspektuan Urën e Ibrit dhe ndërmorrën veprime për ngjyrosjen e hapësësirave përreth, KFOR-i, doli me një deklaratë publike ku tregoi gatishmëri edhe të ballafaqohen me këdo që me veprimet e tij e cenon situatën  e sigurisë.

“Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan në deklaratën e KFOR-it.  

Reagimet nga Zyrtarë serb dhe tendencat për nxitje të tensioneve

Në kundërshtim të hapjës së urës serbët lokal organizuan një protestë më 6 gusht 2024. Protesta u mbyll u qetë dhe pa incidente por pati përpjekje që masa të nxitet kur zyrtarë serb keqinformuan me pretendimin se shqiptarët po poashtu për përgatitin një kundër tubim në ditën e protestës.

Një ditë para protestës, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se ish kryetari i Mirovicës së Jugut, Agim Bahtiri, po përgatit një kundërtubim në Mitrovicë, “pas urdhrit që ka marrë nga kryeministri Albin Kurti për t’i provokuar serbët”.

“… pashë vetë Bahtirin që me urdhër të Kurtit tashmë ka planifikuar kundërmiting në përgjigje ndaj tubimit serb nga ana tjetër e urës…“, deklaroi Vuçiq.

Agim Bahtiri ka pasur një postim ku bënë thirrje për një tubim madhështor nga qytetarët e të dyja komunave, por nuk e ka specifikuar datën se kur mund të mbahet ajo.

Edhe pse spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur, tensionet rreth saj vazhojnë të jenë larta.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.