Vazhdimësi e shkeljes së të drejtave dhe persekutimit të serbëve në Kosovë e kanë quajtur disa politikanë dhe media në Serbi moslejimin e vizitës së Patriarkut serb Porfirije në Manastirin e Pejës, ku planifikonte ta mbante një meshë. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thanë se vizita nuk iu lejua për shkak të deklaratave të mëhershme të Patriarkut, që nxisin përçarje ndëretnike.
Pak ditë pasi iu refuzua vizita në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e takoi Patriarkun serb Porfir, ku pjesë e drekës së përbashkët ishte presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i sanksionuar nga SHBA-ja.
Vuçiqi ka shkruar në “Instagram” se “populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj persekutimit brutal që nuk mund të ndalet lehtë”.
“Ne do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet politike dhe do të bëjmë gjithçka për popullin tonë në Kosovë dhe natyrisht nuk do të pajtohemi kurrë për një Kosovë të pavarur”, ka shkruar ai.
Qëndrimin e Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë e kanë shpërndarë disa media serbe si: Novosti.rs, Informer.rs, Nsuzivo.rs, Novimagazin.rs, Telegraf.rs. Në një deklarim për RTS, Vuçiqi ka akuzuar edhe Perëndimin për tolerimin e sjelljeve të Prishtinës.
Refuzimi i vizitës së Patriarkut serb ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve.
Misioni i UNMIK-ut ka shkruar në llogarinë zyrtare në “Facebook” se Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ziadeh, po ndjek nga afër refuzimin e hyrjes së Patriarkut serb Porfirije, i cili planifikonte të merrte pjesë në Meshën e Kishës Ortodokse Serbe në Pejë.
“Ndërsa ruajtja e lirisë së lëvizjes është një kërkesë, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, qasja në objektet fetare është një komponent i domosdoshëm i realizimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe në veçanti i së drejtës për të praktikuar fenë nga të gjitha komunitetet. PSSP-ja përsërit thirrjet e saj për angazhim konstruktiv për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për t’i dhënë përparësi dialogut mbi veprimin e njëanshëm”, shkruan në reagimin e UNMIK-ut.
Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur për refuzimin e hyrjes në Kosovë të Patriarkut serb Porfirije, duke thënë se Kosova e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat e ndërsjella.
“Duke e refuzuar hyrjen e tij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare, por gjithashtu në mënyrë flagrante e ka injoruar rëndësinë e Kishës Ortodokse Serbe që vazhdon ta ketë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës. Bashkimi Evropian vazhdon të bëjë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve që janë arritur”, ka deklaruar ai.
Marrëveshja për vizita zyrtare flet vetëm për procedurat që ndiqen prej momentit kur bëhet kërkesa për vizitë. Sipas Marrëveshjes, udhëheqësit fetarë bëjnë pjesë në grupin e dytë, ku njoftimi duhet të bëhet të paktën 48 orë përpara dhe çdo vërejtje duhet të ngrihet brenda 24 orëve të para.
“Institucioni që bën kërkesën do të dërgojë njoftimin drejtpërdrejt te ZN-ja (Zyra Ndërlidhëse) e palës se ku do të zhvillohet vizita, duke dërguar një kopje (cc) për ZN-në e palës kërkuese për vizitë. ZN-ja, e cila ka pranuar njoftimin, do ta konfirmojë menjëherë pranimin. Nëse në afatin e caktuar nuk ka përgjigje, atëherë vizita konsiderohet e miratuar”, përcaktohet në Marrëveshjen e cila kishte hyrë në fuqi nga 1 dhjetori i vitit 2014. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, përmes një deklarate për media pas takimit në Bruksel për zbatimin e Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, ka përmendur deklaratat nxitëse të Patriarkut serb ndaj shtetësisë së Kosovës, si arsye për refuzimin e vizitës.
“Patriarku Porfirije ka aplikuar për vizitë. Kur aplikon do të thotë që pala kosovare ka për detyrë ta nxjerrë një përgjigje dhe përgjigja mund të jetë pozitive dhe negative. Nëse përgjigja është pozitive, nuk është shkelje e Marrëveshjes, por nuk është shkelje e Marrëveshjes as përgjigjja negative. Por, pastaj mund të flasim për arsyet pse Kosova në këtë moment e ka parë të rrugës të mos e lejojë një vizitë të tillë. Në këtë rast duhet me i pa edhe qëndrimet e palës serbe rreth dialogut, duhet të shihni për shembull faktin që Serbia ka krijuar trupë për ta sulmuar dhe shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin implementues, duke penguar Kosovën në integrime evropiane”, ka thënë Bislimi. Ai ka përmendur deklaratat online dhe sulmet që Patriarku Porfirije i bën në drejtim të institucioneve të Kosovës, ku thotë që ”serbët në Kosovë ndiqen dhe persekutohen vetëm se janë serbë”.
“Mendoj që kjo është e padinjitetshme për përfaqësuesit religjiozë, të cilët do të duhej të promovonin afërsi mes njerëzve, e jo përçarje mes grupeve etnike”, ka theksuar Bislimi.
Në njërën prej këtyre videove, që vazhdon të qarkullojë në rrjete sociale, Patriarku Porfirije flet për atë se si Kosova është vjedhur nga Serbia.
“Kosova nuk është vetëm çështje gjeopolitike, përkundrazi, është tema e identitetit tonë. Patriarku ynë i ndjerë Irinej, me fjalët e tij të thjeshta, thoshte se nëse diçka jepet, nuk mund të kthehet, nëse diçka vidhet, ajo gjithmonë mund të kthehet. Për 6 shekuj, Kosova ka qenë një histori lutjeje, temë lutjeje për ne serbët. Pas 6 shekujsh ne mbetëm në Kosovë dhe Kosova mbeti brenda Serbisë”, deklaron mes të tjerash Porfirije.
Ky nuk është rasti i parë ku refuzohen vizitat e ndërsjella, pasi ato edhe në të kaluarën janë shoqëruar me polemika mes Kosovës e Serbisë.
Në nëntor të vitit 2021, Serbia ua pati refuzuar kërkesën për vizitë dyditore katër ministrave të Qeverisë së Kosovës në Luginë të Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”