Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Plagosja që riktheu tensionet

Plagosja e dy të rinjve serbë me armë zjarri në Shtërpcë, vetëm pak ditë pas largimit të barrikadave në veri, rindezi polemikat mes Kosovës e Serbisë. Të plagosurit e moshës 11 dhe 21 vjeç nga fshati Gotovushë e Komunës së Shtërpcës janë jashtë rrezikut për jetë. Ngjarja ndodhi në natën e Krishtlindjeve Ortodokse, ku një grup serbësh ishin mbledhur për të festuar afër rrugës kryesore. Sipas versionit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari, në pamundësi për të lëvizur me veturë drejt Qendrës së Skijimit në Brezovicë shkaku i bllokimit të rrugës, është fjalosur me serbët dhe më pas ka nxjerrë revolen duke shtënë fillimisht në ajër e më pas në drejtim të turmës, me ç’rast dy të rinjve serbë u shkaktohen plagë në trup.

Pak orë pas sulmit, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin 32-vjeçar (A.K), pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), por që në kohën e sulmit nuk ishte në detyrë zyrtare.

Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj kërkoi nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Sipas përshkrimit të të gjithë ngjarjes nga ana e Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se A.K, më 6 janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta dy të lënduarit. Pas një mosmarrëveshjeje verbale aty për aty, A.K e nxjerr revolen e markës “Mossberg”  dhe gjuan dy herë, duke i goditur të dëmtuarit. Si pasojë e goditjeve atyre u shkaktohen lëndime trupore dhe fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës.

Ndaj A.K po ashtu ekziston dyshimi i bazuar se në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje duke kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Me përdorimin e armës ai ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe, siç thuhet në raportin e Prokurorisë, në pamundësi që të kyçet me veturë në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole gjuan pesë herë në ajër, me ç’rast kryen veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Ky rast nxiti reagime të shumta, derisa liderë vendorë e diplomatë të huaj kërkuan zbardhjen e rrethanave të cilat janë duke u hetuar nga organet përkatëse. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçarë është akt i patolerueshëm dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Sipas saj, institucionet e vendit janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t’u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë.

Edhe kryeministri Albin Kurti e dënoi sulmin mbi dy të rinjtë serbë, duke thënë se i dyshuari pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.

Ndërkaq ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, teksa dënoi sulmin në Shtërpcë, tha se mirëpresin reagimin e menjëhershëm nga Policia e Kosovës.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, u shpreh i tronditur nga sulmi ndaj dy fëmijëve në Shtërpcë, duke thënë se ai nuk mund të ketë asnjë justifikim.

Reagime pati edhe nga udhëheqësi i Misionit të Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, i cili e kualifikoi të pakuptimtë sulmin ndaj të rinjve serbë.

Përveç zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë, rasti u kundërshtua edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, që thanë se plagosja e një fëmije dhe një të riu të komunitetit serb nga një pjesëtar i FSK-së është krim i papranueshëm.

Bllokimi i rrugëve

Tashmë është bërë shprehi që sa herë ka incidente të tilla dhe nuk sqarohen të gjitha rrethanat, politikanët serbë të manipulojnë dhe nxjerrin përfundime lidhur me motivet dhe arsyet e sulmeve.

Pak orë pas incidentit, serbët u grumbulluan dhe për disa orë bllokuan me goma të veturave dhe drurë të dyja drejtimet e rrugës që shpijnë për në Shtërpcë. Më pas, kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, takoi zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Ferizaj, nga të cilët mori zotimin për shtimin e masave e sigurisë, duke shqyrtuar edhe mundësinë e vendosjes së kamerave në pikat kyçe. Jevtiç po ashtu kërkoi të vendosen pika kontrolli në fshatrat Drajkovc dhe Jazhincë, të shtohet prania e policisë në stacionet e autobusëve kur fëmijët vijnë dhe dalin nga shkolla, si dhe të shtohet patrullimi i policisë në rrugët kryesore të Shtërpcës.

Lidhur me rastin foli edhe nëna e njërit prej të lënduarve, por që i ndryshoi deklaratat. Ajo fillimisht tha se arma nuk ishte drejtuar kundër djalit të saj, por ka pasur të shtëna në tokë. Por më pas deklaroi se ka qenë tentativë për vrasje me paramendim të djalit të saj, ashtu siç në fakt pretendojnë edhe përfaqësuesit serbë të Kosovës dhe ata në Serbi.

Lista Serbe akuzoi Kurtin për plagosjen e të rinjve

Rasti i plagosjes së të rinjve serbë u keqpërdor nga politikanët serbë, të cilët iu rikthyen akuzave ndaj kryeministrit Kurti se po planifikon dëbimin dhe vrasjen e serbëve. Në fakt, secilin incident, përfshirë grabitjet e kohëpaskohshme në lokalitetet e populluara me shumicë serbe, Serbia i ka politizuar. Kjo ka ndodhur edhe në rastet kur organet e rendit i kanë kualifikuar si vjedhje, që nuk janë ndërlidhur me një etni të caktuar.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, publikoi një video në “twitter” me fëmijën e plagosur, me mbishkrimin se ai u qëllua “vetëm sepse është serb dhe se kjo është fytyra e vërtetë e Kosovës”.

Ndërkaq Lista Serbe, që organizoi një protestë në Shtërpcë, po ashtu fajësoi Kurtin duke thënë se të gjitha incidentet dhe problemet po vijnë për shkak të politikave të tij. Megjithëse nuk janë zbardhur ende motivet e plagosjes dhe rasti është në hetim, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, deklaroi se ndaj të rinjve serbë u qëllua vetëm për shkak të etnisë.

Image

Ky rast shpërfaqi edhe përplasjet mes subjektit kryesor që përfaqëson serbët e Kosovës dhe politikanëve të tjerë serbë, të cilët konsiderohen më lojalë e bashkëpunues me udhëheqësit shqiptarë.

Kësisoj, Lista Serbe i akuzoi përfaqësuesit serbë në qeveri se nuk guxuan t’i kundërvihen Kurtit për t’i mbrojtur serbët, qoftë në veri apo jug të Kosovës, porse Nenad Rashiq e Rada Trajkoviq po luftojnë vetëm për poste.

Megjithëkëtë, Rashiq, që ishte emëruar ministër për Kthim dhe Komunitete në dhjetorin e 2023-tës, pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, foli për rastin e plagosjes. Madje, deklarata e tij për një medium serb nxiti reagime, pasi fillimisht sulmin e cilësoi të qëllimshëm dhe me motive etnike. Por mediave shqiptare iu tha se deklarata e tij u keqinterpretua pasi i është referuar vetëm sqarimit të organeve të hetuesisë. Edhe këtë kundërthënie të Rashiqit, Lista Serbe e shfrytëzoi për ta sulmuar për jokonsistencë në qëndrime.

Plagosja në Shtërpcë u shkaktua vetëm pak kohë pasi u mundësua liria e lëvizjes në veriun e populluar me shumicë serbe. Në drejtim të rrugëve që shpijnë drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak, serbët për 19 ditë vendosën mjete të rënda, pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq, nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarëve dhe zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri. Pengesat u hoqën dhe pikat kufitare u rikthyen në normalitet pasi Gjykata Themelore ia ndryshoi masën Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

*Përgatiti Fitim Gashi.

Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.