Disa media dhe zyrtarë serbë kanë përhapur spekulime të paqëndrueshme lidhur me qëllimin e seancës së përbashkët të mbajtur më 20 dhjetor 2024, mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Ata kanë pretenduar se ky tubim kishte për qëllim krijimin e “Shqipërisë së madhe”, një narrativë që është keqinterpretuar, duke shpërfillur faktet dhe qëllimet e vërteta të kësaj ngjarjeje.
Një artikull i publikuar në Informer.rs, platformë e njohur për përhapjen e dezinformatave, është një shembull i këtij keqinterpretimi. Më datë 21 dhjetor 2024, ky portal ka shpërndarë një artikull me titullin: “Vetëm krijimi i botës serbe mund ta ndalë ‘Shqipërinë e madhe’! Vulin: Po Vuçiqi, po të bënte një propozim të tillë, do të bombardoheshim menjëherë”. Artikulli pretendon se seanca e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ishte thjesht një mbledhje e zakonshme politike, por një manifestim kundër Serbisë dhe serbëve.
Në artikull përfshihet një citat i nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga SHBA-ja, i cili përshkruan se një nismë e ngjashme, po të bëhej nga Serbia, do të kishte çuar në përgjigje ushtarake të NATO-s, duke iu referuar bombardimit të saj. Vulini i referohet gjithashtu “Shqipërisë së madhe” si një projekt i mbështetur nga Perëndimi, që ka për qëllim të krijojë një rrezik të drejtpërdrejtë për Serbinë.
”Bashkimi Europian hesht ndaj thirrjes së Ramës për shembjen e dialogut dhe po ashtu kërkesës që fajtore të bëhet Serbia, BE-ja hesht për krijimin e Shqipërisë së madhe, jo vetëm se nuk është kundër krijimit të saj, por sepse “Shqipëria e madhe” është një projekt europian, siç ishte dhe krijimi i Shqipërisë më 1912, krijimi i zonës së pushtimit dhe krijimi i lëvizjes balliste në vitin 1941, mbështetja për çdo separatizëm në Serbi dhe në fund bombardimi i Serbisë”, ka thënë Vulini.
Këto komente janë të pabaza dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e asaj që ndodhi në këtë seancë. Më 20 dhjetor 2024, ligjvënësit e Kosovës dhe Shqipërisë mbajtën një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama, si dhe presidentja Vjosa Osmani. Përmes një deklarate të të dyja vendeve, ata u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në arritjen e objektivave strategjikë.
Sipas deklaratës së përbashkët që u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kosova dhe Shqipëria zotohen ta bashkërendojnë “agjendën kombëtare për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike”. Por, kurrkund në deklaratë nuk thuhet se angazhohen për krijimin e “Shqipërisë së madhe”, ashtu siç u keqinterpretua nga zyrtarë e media serbe.
Në këtë seancë, Rama foli edhe për obligimet që derivojnë nga dialogu Kosovë-Serbi. Tha se Kosova, duke e zbatuar marrëveshjen pavarësisht asaj se çfarë bën Serbia, duhet t’i dëshmojë bashkësisë ndërkombëtare se është e gatshme për integrime. E përmend edhe “bashkimin kombëtar”, por si dy vende në Bashkimin Europian. “…Jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet, dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytetin e përbashkët, Brukselin”, ka thënë Edi Rama.
Kjo nuk është hera e parë që media serbe spekulojnë pa u mbështetur në fakte se Kosova dhe Shqipëria kanë për qëllim krijimin e “Shqipërisë së madhe”. Edhe vendimin e mëhershëm të Kosovës dhe Shqipërisë për heqjen e kontrolleve kufitare, disa media serbe e patën interpretuar si projekt drejt “Shqipërisë së madhe”.
Pretendimet për t’i paraqitur kinse si kërcënim për Serbinë mbledhjet e përbashkëta dhe vendimet mes Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete të pavarura, nuk kanë asnjë bazë dhe janë përpjekje për të minuar paqen dhe integrimin e rajonit.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”