Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Serbia iu rikthye narrativës se Masakra e Reçakut ishte trillim

Në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Reçakut, politikanë e disa media serbe rikthyen narracionin se krimi monstruoz i konstatuar edhe nga organizata ndërkombëtare është trillim dhe gënjeshtër.

Sipas tyre, masakra u përdor si pretekst për ta nisur një fushatë masive mediatike kundër ish-regjimit të Millosheviqit, që kulmoi me bombardimin e NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore të Serbisë.

Mediat serbe janë shërbyer me deklarata të akterëve që kanë qenë të përfshirë në rast, sikurse ish-gjyqtarja hetuese, Danica Marinkoviq, e cila mohoi se ka pasur masakër në Reçak. Qëndrimin pretendon se e mbështet në provat e mbledhura gjatë hetimeve në vendin e krimit. Madje, ish-shefin e OSBE-së, William Walker, që ishte ndër të parët që shkoi në vendin e ngjarjes dhe denoncoi krimin e bërë nga Serbia, ish-gjyqtarja serbe e ka quajtur spiun amerikan, “deklaratat e të cilit u morën shkas për ta bombarduar Serbinë”. Të njëjtin version e ka dhënë edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, sipas të cilit ka mjaft prova për të vërtetën e Reçakut, e me gjuhë të njëjtë kanë folur edhe gjenerali i pensionuar i policisë serbe, Goran Radosavljeviq, dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Foto: RTS

Krahas deklaratave, artikujt janë shoqëruar me tituj sensacionalë, ku mes të tjerash RTS publikoi artikullin me titull: “Një çerek shekulli nga rasti i Reçakut – ngjarja që ishte shkaku i bombardimeve të NATO-s”.

Mirëpo, 25 vjet jo vetëm Kosova, por edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare e cilësojnë krimin më makabër të ndodhur në Kosovë. Organizata si Human Rights Watch konstatuan se më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Dëshmitarët kanë treguar se Reçaku në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit u zgjua nën rrethim. Sipas tyre, përafërsisht në orën 6:30, forcat serbe me artileri të rëndë bombarduan fshatin për të vijuar me vrasje dhe bastisje. Në një raport të Washington Postit shkruan se “viktimat ishin civilë të paarmatosur, të ekzekutuar në një masakër të organizuar; disa prej tyre u detyruan të gjunjëzoheshin para se të vriteshin me plumba”. Serbia kishte tentuar t’i zhdukte gjurmët e krimit, ku si pasojë kishte luftime 48-orëshe për marrjen e kufomave, në mes të UÇK-së dhe forcave serbe.

Edhe në këtë përvjetor, liderë shtetërorë e politikë të Kosovës përforcuan narracionin për krimin serb, tek bënë homazhe te memoriali në Reçak.

Kryeministri Albin Kurti tregoi se pse William Walker është kaq i urryer te serbët. “Kur ndodhi Masakra e Reçakut, ambasadori William Walker, si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë, erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha se kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi”, tha Kurti.

William Walker, i cili mori pjesë në 25-vjetorin e kësaj masakre, u shpreh i kënaqur që përkujtimi vazhdon të përcillet me interesim të madh, teksa shprehu dëshirën që kur të vdesë, të varroset në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që mediume serbe tentojnë të krijojnë narrativa të tilla kur vjen puna te krimet e kryera në Kosovë. Narrativa të tilla janë ndërtuar edhe për intervenimin e NATO-s në vitin 1999, duke e prezantuar si agresion kundër një vendi të pavarur, pa e përmendur faktin se Serbia u bombardua për shkak të krimeve të Millosheviqit mbi civilët e pafajshëm.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.