Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Vendimi për heqjen e kontrolleve kufitare, interpretohet rrejshëm se po krijohet “Shqipëria e Madhe”

Vendimin e Kosovës dhe Shqipërisë për heqjen e kontrolleve kufitare, disa media serbe e kanë keqinterpretuar, duke pretenduar rrejshëm se po krijohet “Shqipëria e Madhe”.

Më 14 qershor 2024, portali serb “Alo.rs” publikoi artikullin me titull “BËJNË SHQIPËRINË E MADHE DHE BOTA HESHT. Prishtina dhe Tirana heqin kufirin, pse askush nuk reagon?”

Foto: Alo.rs

Në përmbajtje pretendohet se, për një kohë, Tirana dhe Prishtina e mbajtën të fshehtë marrëveshjen për bashkim, porse “tani nuk po fshehin hapat konkretë drejt krijimit të një Shqipërie të madhe”. Kritika janë adresuar edhe kundër vendeve perëndimore, të cilat, sipas tyre, po heshtin përballë kësaj iniciative.

Portali serb e ka bashkëngjitur takimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologut të tij shqiptar, Taulant Balla, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Të dy ministrat, më 12 qershor 2024, vizituan pikën kufitare në Vërmicë.

“Arsyet për këtë histori (Shqipëria e Madhe) janë të panumërta dhe më e fundit është marrëveshja për heqjen e kontrolleve mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ministri i Punëve të Brendshme të Prishtinës dhe një nga urrejtësit më të mëdhenj të serbëve, Xhelal Sveçla, dhe kolegu i tij shqiptar, Taulant Balla, kanë vizituar vendkalimin në Vërmicë, ku panë se si funksionon në praktikë marrëveshja për heqjen e kontrolleve për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë”, ka shkruar “Alo.rs”.

Por, vendimi për heqjen e kontrolleve kufitare në pikën më të frekuentuar mes Kosovës e Shqipërisë gjatë sezonit të verës nuk ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”.

Ministri Sveçla ka treguar arsyet e aktivizmit të një korsie të veçantë për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe avancimin e sistemit kufitar me qëllim të luftimit të paligjshmërive ndërkufitare.

“Në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit tonë, janë shënjuar edhe 20 vendkalimet e veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave. Vazhdojmë, me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia”, ka shkruar Sveçla.

“Alo.rs” është ndër portalet serbe që vazhdimisht tenton ta shtyjë përpara narracionin për kinse krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Madje, sipas tyre, ky projekt nisi të zbatohet me rastin e shënimit të Përvjetorit të 146-të të Lidhjes së Prizrenit.

Ai (kryeministri Albin Kurti) ishte në Prizren, ku u festua 146-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, i cili praktikisht shënoi fillimin e zbatimit të projektit të Shqipërisë së Madhe”, ka shkruar “Alo.rs”.

Ideja e zvogëlimit të kontrolleve kufitare dhe procedurave të tjera administrative që aplikohen në kufij diskutohen prej vitesh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo është trajtuar edhe në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, ku merr pjesë edhe Serbia. Synimi është aplikimi i katër lirive themelore që tashmë i zbaton BE-ja, e të cilat janë: liria e qarkullimit të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.