Komuna e Mitrovicës së Veriut
*Përgatiti: Ridona Berisha
Vendimi i Kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për lirimin e një objekti në lagjen e Boshnjakëve që deri tash është shfrytëzuar nga institucionet paralele të Serbisë, ka ngritur shqetësime për mundësinë e kthimit të tensioneve. Lista Serbe e ka cilësuar si vazhdimësi e politikës së qeverisë së Kosovës për t’ua pamundësuar serbëve jetesën në veri, teksa kanë paralajmëruar se nuk do t’i binden urdhrit për largim nga objekti. Vendimi u morr më 22 gusht dhe atij i parapriu një raport që Mitrovica e Veriut ia dorëzoi nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, ku i kërkohet lirimi i objektit. Pas marrjes së vendimit edhe inspektorët komunalë dolën tek objekti në hyrje të të cilit vendosën vendimin dhe procesverbalin ku jepen arsyet e kërkesës për largim, që mes tjerash përmendet edhe mungesa e dokumentaconit të pronësisë. Kësisoj shfrytëzuesit të deritashëm, Listës Serbe i është kërkuar t’i vë në dispozicion dokumentet për shfytëzim.
E, në një deklarim tjetër Komuna e Mitrovicës së Veriut ka thënë se, është kërkuar largimi nga objekti për shkak se planifikojnë t’i kryejë disa renovime në atë objekt.
“Ne, si Komunë e Mitrovicës së Veriut, kemi shprehur gatishmërinë që çdo institucioni që ofron shërbime në interes të qytetarëve të Kosovës, t’i ofrojmë mbështetje dhe hapësirë pune”, thuhet në deklaratën e komunës.
Në këtë objekt janë të vendosura e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.
Lista serbe refuzon ta zbatojë vendimin
Lista Serbe ka paralajmëruar se nuk do t’i bindet ultimatumit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke kërkuar që kësaj çështje t’i jepet zgjidhje në dialogun e Brukselit.
“Dëshirojmë të dërgojmë publikisht një mesazh për të refuzuar ultimatumin e regjimit të Prishtinës që të largohemi nga ambientet tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kontekst të themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”.
Ndërkaq Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se këto institucione ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim etnie – serbë, shqiptarë, boshnjakë, goranë, romë, turq e të tjerë. Sipas tij, 40 familje jetojnë falë punës së njerëzve të punësuar në këto institucione.
Vendimi kundërshtohet nga BE-ja e ShBA-ja
Vendimi i komunës së Mitrovicës së Veriut u mor pak muaj pas dakordimit të arritur në Bratislavë mes zëvendës/kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri. Por sipas BE-së, vendimi për largimin e strukturave paralele është në kudnërshtim me kërkesat për shtensionim.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se ky vendim shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet për të ulur tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, teksa kërkon që këto çështje të adresohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
”Ne jemi të shqetësuar për ndikimin që mund ta ketë në situatën e sigurisë vendimi i fundit i administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, me të cilin, ndër të tjera, kërkohet që subjektet e udhëhequra nga Serbia të lirojnë hapësirat e tyre, në rast se nuk paraqesin me kohë dokumentacionin e kërkuar”, ka thënë Stano.
Shqetësim kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara që kërkojnë koordinim edhe në vendime të tilla që mund të prekin sigurinë në veri të vendit.
”Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, thuhet në reagimin e ambasadës së ShBA-së, ndërsa ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, që të përmbahet nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.
Pas këtyre reagimeve, komuna e Mitrovicës së Veriut e shtyu zbatimin e vendimit për 14 ditë.
Shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Syla tha se “duhet dhënë hapësirë dhe kohë për largim të dokumentacionit ose çkado që iu hyn në punë zyrtarëve që kanë punuar aty”.
Pas zgjedhjeve të mbajtura me 23 prill, të cilat u bojkotuan nga shumica serbe, për herë të parë u zgjodhën kryetarë të partive shqiptare. Vendosja e tyre në objektet komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës shkaktoi tensione e përplasje me protestuesit.
Në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, që kryesisht janë të banuara me shumicë serbe, funksionojnë strukturat paralele, të cilat financohen nga Serbia. Organe të tilla ka edhe në jug të Ibrit. Komuna paralele e Prishtinës e cila ka objektin në Graçanicë është më e madhja në Kosovë, e cila financohet nga Beogradi zyrtar.
Çështja e strukturave paralalele është diskutuar në negociatat e deritashme mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është ankuar se Beogradi nuk po u përmbahet marrëveshjeve për shuarjen e tyre dhe se po e pengon integrimin e plotë të serbëve në institucionet e Kosovës.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”