Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Zyrtarët rusë intensifikojnë fushatat dezinformuese ndaj Kosovës

Zyrtarë rusë kanë vazhduar me deklarata të pambështetura në fakte për Kosovën, me qëllimin për ta fuqizuar narrativën negative ndaj shtetit të Kosovës dhe Perëndimit. Ato janë shpërndarë gjerësisht edhe nga media të lidhura me pushtetin në Serbi, të cilat kanë shtrirje edhe në lokacionet e banuara kryesisht me serbë.

Më 24 janar 2025, filiali i mediumit pro-rus në serbi, “Sputnik.rs”, ka publikuar një artikull me titullin: “Rusia: Situata në Ballkan po përkeqësohet, pasi Perëndimi po i bën presion Serbisë që të devijojë nga kursi aktual i saj”.

Në përmbajtje të artikullit e ka bashkëngjitur deklaratën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grusko, i cili ka deklaruar se: “Situata në Ballkan sa vjen e përkeqësohet si pasojë e politikës së synuar të vendeve të NATO-s, BE-së dhe SHBA-së, e cila është të ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë për të devijuar nga kursi aktual. Për këtë qëllim përdoren të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe minimin e stabilitetit të brendshëm”. Ai ka përmendur “presionin” që po i bëhet Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në vend të kësaj, ai ka kërkuar ndëshkim për Kosovën, për gjoja situatën e rëndë të serbëve në Kosovë.

Deklarata të tilla të cilat nuk janë të mbështetura në fakte kanë target komunitetin serb në Kosovë, për të nxitur dyshime dhe urrejtje të tyre ndaj Perëndimit dhe shtetit të Kosovës.

Qëndrimet e tilla i ka vijuar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova. Më 23 janar 2025, ajo pretendoi pa fakte se kryeministri i Kosovës po synon t’i falsifikojë zgjedhjet në Kosovë dhe se me mbështetje të Uashingtonit dhe BE-së, autoritetet e Kosovës kanë për qëllim t’i dëbojnë serbët nga Kosova. Kjo deklaratë u publikua nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

Deklarata e saj u shpërnda edhe nga mediumet serbe “Sputnik.rs” dhe “Pravda”, në një artikull me titullin: “Moska paralajmëron: Kurti synon t’i falsifikojë zgjedhjet në Kosovë”.

Sipas Zakharovas, Kurti ka për qëllim t’i falsifikojë rezultatet e votimit në dëm të Listës Serbe për të vendosur, siç ka thënë ajo, “kukulla besnike” në Kuvendin e Kosovës. Ajo pretendoi se pengesa kryesore për institucionet në Prishtinë është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe. Asnjë raport vendor apo ndërkombëtar aktualisht nuk sugjeron se ka tendenca për manipulimin e rezultateve të votimit, siç pretendojnë zyrtarët rusë. Një gjë të tillë nuk e kanë përmendur as nga Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Europian, të cilat kanë nisur punën në terren.

Ky narracion u fuqizua pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i penguan ata të Listës Serbe që të futen në sallën e seancave plenare të Kuvendit më 5 dhjetor 2024, e më pas anëtarë të saj në Komisionin Qendror Zgjedhor votuan kundër certifikimit të Listës Serbe. Por, vendimi u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke mundësuar që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje. Zaharova nuk e ka përmendur këtë rrethanë, duke vijuar me akuza ndaj Kosovës.

“Një skenar i tillë bart rrezikun e pasojave më të tmerrshme për serbët që jetojnë në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit. Situata në terren ndërlikohet nga bastisjet gjithnjë e më të shpeshta të ‘policisë’ në mesin e zyrtarëve të administratave serbe që nuk janë nën kontrollin e Prishtinës. Represionet brutale synojnë të rrisin frikën te qytetarët tashmë të frikësuar, t’i thyejnë moralisht dhe t’i detyrojnë të largohen nga shtëpitë e tyre”, ka shtuar Zakharova.

Kjo nuk është hera e parë kur zyrtarë rusë përmendin Kosovën në përpjekjen për ta legjitimuar agresionin mbi Ukrainën dhe për ta minuar rolin e SHBA-së si akter kryesor në politikën globale. Ata edhe më herët, përmes deklaratave të shumta, kanë ngritur pretendime të pambështetura në fakte se Qeveria e Kosovës, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, po ndërmerr hapa për dëbimin e serbëve nga Kosova. Por, SHBA-ja dhe BE-ja në disa raste i kanë reaguar qeverisë për aksionet në veri, duke kërkuar që çështjet të cilat prekin komunitetin serb të trajtohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.