Palestina paraqet një nga çështjet më të ndërlikuara dhe më dramatike në politikën ndërkombëtare, me rrënjë historike që përshkojnë shekuj dhe me sfida të vazhdueshme të cilat ende nuk kanë gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Territoret kryesore që përbëjnë Palestinën janë Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës, ku popullsia palestineze vazhdon të përballet me pushtimin ushtarak izraelit, diskriminim dhe probleme të tjera ekzistenciale.
Së fundmi, konflikti eskaloi veçanërisht pas sulmit të 7 tetorit 2023, të orkestruar nga grupi militant palestinez Hamas, që rezultoi në 1,200 viktima dhe 200 pengje.
Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë ushtarake në Gaza, që rezultoi në një luftë dyvjeçare, duke sjellë një nga periudhat më të gjata të konfliktit të armatosur në rajon.
Gjatë kësaj periudhe, Izraeli ka gjuajtur mbi 100,000 tonë eksploziv në Gaza, duke shkatërruar rreth 90% të shtëpive, përfshirë 80% të ndërtesave komerciale, 88% të shkollave, 68% të rrugëve dhe të të mbjellave, dhe 50% të infrastrukturës shëndetësore.
Konfirmimi se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, si dhe mosndryshimi i qasjes, kanë ndikuar në zbehjen e opinionin publik dhe uljen e mbështetjes ndërkombëtare. Së fundmi, një numër i konsiderueshëm i vendeve europiane kanë njohur Palestinën, duke sinjalizuar një humbje politike për qasjen e Benjamin Netanjahut.
Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza
Kjo luftë tashmë është shndërruar në një katastrofë humanitare dhe e ka bërë të pamundur jetesën në Gaza, me shumicën e popullsisë të zhvendosur dhe të bllokuar në kampet e refugjatëve, që mes shumë vështirësive janë cilësuar të ngjashme me kampet e përqendrimit për shkak të kushteve çnjerëzore të jetesës.
Popullsia palestineze atje përballet me mungesë ushqimi, pamundësi për ndihma humanitare, bllokim të plotë të furnizimeve me artikuj esencialë, dhe shkatërrim masiv të spitaleve dhe infrastrukturës shëndetësore.
Izraeli e ka tejkaluar çdo kufi, duke shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare. Në Gaza, Izraeli ka targetuar të gjithë dhe pa përjashtim, përfshirë civilë, fëmijë, gra, pleq, si dhe punonjës humanitarë, shëndetësorë e gazetarë.
Pasojat e gjenocidit në Gaza janë të mëdha dhe tragjike. Deri më tani, mbi 65,000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve rreth 70% janë gra dhe fëmijë. Ndërsa organizata Save the Children raporton se janë mbi 20,000 fëmijë të vrarë në Gaza.
Më 16 shtator, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez konkludoi se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza. Ani pse Izraeli refuzon ta pranojë këtë klasifikim, ky mbështetet nga shumica e studiuesve të gjenocidit, por edhe nga dy organizata lidere të shoqërisë civile në Izrael.
Izraeli po humb betejën me opinionin publik
Gjatë muajve të parë të konfliktit, shumica e vendeve e mbështetën të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur vetveten, duke i mbyllur sytë kundrejt numrit të madh të viktimave civile dhe shkatërrimit masiv të Gazës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, nuk ndryshoi qasje, por vazhdoi të eskalojë me sulme, duke i shumëfishuar dëmet dhe viktimat.
Eskalimi masiv i situatës, numri i madh i viktimave dhe qasja arrogante e lidershipit izraelit, shtynë opinionin publik të ndryshojë qasje, duke i dhënë fund mitit që politikat e Izraelit përkrahen automatikisht dhe pa kushte nga aleatët perëndimorë.
Kritikat ndaj Izraelit nuk shoqërohen më automatikisht me etiketime antisemitike, pavarësisht tentative izraelite për t’i barazuar këto dy koncepte. Sot, shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare po e kundërshtojnë hapur dhe pa rezervë agresionin dhe gjenocidin e Izraelit në Gaza.
Ndryshimi i qëndrimit nga qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare është shtyrë ndjeshëm edhe nga presionet qytetare, pasi duke parë krimet monstruoze në Gaza, nuk kanë qëndruar të heshtur, por kanë bërë presion dhe kanë protestuar në vazhdimësi.
Një sondazh i Pew Research Center, i zhvilluar në 24 shtete, tregon se mbi gjysma e popullsisë së atyre vendeve e shohin negativisht Izraelin. Ndërkaq, sipas një sondazhi tjetër të realizuar nga Gallup, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se gjysma e popullsisë, dhe veçanërisht moshat e reja, janë më pak përkrahës ndaj Izraelit.
Në përpjekje për të vazhduar qëndrimin në pushtet përmes koalicionit me të djathtën ekstreme, kryeministri Netanjahu ka sakrifikuar pozicionin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit të tij, duke e izoluar Izraelin politikisht dhe duke nxitur përplasje të rënda në arenën ndërkombëtare.
Në fakt, Netanjahu, i cili kërkohet nga drejtësia izraelite për korrupsion e nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte, mbijetesën e tij politike e ka të mundur vetëm me vazhdimin e pafundmë të kësaj lufte, pavarësisht kostos enorme që ajo sjell.
Njohja e shtetësisë së Palestinës
Si rezultat i gjenocidit në Gaza dhe ndryshimit të opinionit publik, njohja ndërkombëtare e shtetit të Palestinës ka marrë një hov të ri si mjet presioni politik ndaj Izraelit.
Së fundmi, Andorra, Australia, Belgjika, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Luksemburgu, Portugalia, Malta dhe Monako, e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në margjina të 80-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Aktualisht, Palestinën e njohin 157 shtete, nga 193 anëtarë të Kombeve të Bashkuara.
Njohja ka rëndësi të madhe, sepse i mundëson Palestinës të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare, të nënshkruajë traktate dhe të kërkojë drejtësi në mekanizma ndërkombëtarë, që më parë nuk mund t’i arrinte si entitet i panjohur.
Megjithatë, kjo njohje ndërkombëtare nuk është e barasvlershme me sovranitet efektiv, pasi Izraeli vazhdon të ketë kontroll mbi territorin, kufijtë, hapësirën ajrore dhe infrastrukturën palestineze.
Në rastin e Kosovës, ndryshimi thelbësor është se Kosova ka sovranitet efektiv mbi territorin e saj, ndonëse ka më pak njohje të pavarësisë sesa Palestina. Pra, ndërsa Kosova ka njohje më të kufizuar, ajo praktikon sovranitet real. Palestina ka njohje ndërkombëtare më të gjerë, por i mungojnë sovraniteti në territor dhe politika të sigurisë.
Ky dallim thelbësor ndërlikon shumë situatën politike dhe ligjore ndërkombëtare, duke e lënë të hapur sfidën për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme që garanton të drejtat dhe dinjitetin e popullit palestinez.
Zhvillimet e fundit tregojnë se strategjia e Netanjahut ka çuar në një kthesë historike: jo vetëm që ka prodhuar një tragjedi humanitare të pashembullt për palestinezët, por ka dëmtuar rëndë edhe legjitimitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Izraelit.
Në këtë kuptim, fundi i epokës së viktimizimit izraelit shënon fillimin e një realiteti të ri politik, ku mbijetesa e popullit palestinez dhe përgjegjësia ndërkombëtare për krimet në Gaza do të përcaktojnë rrjedhën e ardhshme të konfliktit.




























































