Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Kosova në Bordin e Paqes: momentum historik, apo vendim impulsiv?

Në Davos më 22 Janar 2026, Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese. Foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës / president-ksgov.net

Më 22 janar 2026, në Davos, Donald Trumpi bëri atë që di ta bëjë më së miri: shpalosi një ide të re, duke tronditur përsëri rendin ndërkombëtar. Këtë herë jo me një deklaratë impulsive, apo me një tërheqje të papritur nga ndonjë marrëveshje shumëpalëshe, por me shpalljen e një organizate të re ndërkombëtare, të quajtur me pompozitet Bordi i Paqes.

Sipas Trumpit, ky bord synon të sjellë “paqen përfundimtare” në Gaza dhe të kontribuojë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar atje. Ironikisht, megjithatë, në Kartën themeluese të prezantuar në Davos, Gaza dhe territoret palestineze nuk përmenden fare.

Dyshimi kryesor është se Bordi i Paqes synon të anashkalojë – ose në një fazë të mëvonshme të zëvendësojë – Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Kjo nuk do të ishte aspak befasuese, marrë parasysh qëndrimin armiqësor të Trumpit ndaj OKB-së.

Për më tepër, kompetencat e parashikuara për kryesuesin e Bordit, rol që Trumpi e ka menduar për vete, shkojnë përtej çdo standardi demokratik dhe të llogaridhënies.

Trumpi si kryesuesi i Bordit ka mandat të pakufishëm, vendos vetë çka hidhet në votim e çka jo, ka të drejtë vetoje, mund të iniciojë përjashtimin e një shteti nga Bordi dhe e përcakton pasuesin e tij në këtë detyrë. Për më tepër, mandati i tij si kryesues i Bordit nuk ndërlidhet fare me mandatin e tij presidencial në SHBA.

Pikërisht për këto arsye, pjesa më e madhe e shteteve demokratike të ftuara kanë zgjedhur të qëndrojnë jashtë. Në veçanti, shtetet europiane kanë refuzuar t’i japin legjitimitet një iniciative që minon multilateralizmin dhe vendos pushtetin global në duart e një individi.

Refuzimi europian është një mesazh i qartë: problemi nuk është ideja e paqes, por mënyra dhe konteksti në të cilin ajo po instrumentalizohet.

Megjithatë, me ftesë të presidentit Trump, presidentja Vjosa Osmani nuk humbi kohë dhe brenda disa orësh pranoi ftesën pa koordinim me institucionet dhe pa menduar koston e raporteve me aleatët europianë.

Presidentja Osmani nuk humb kohë dhe pranon ftesën

Për dallim prej shumicës së vendeve europiane, Kosova – nën përfaqësimin e Vjosa Osmanit, e etur për oportunizëm mediatik – u rreshtua shumë shpejt si anëtare dhe një nga themelueset e Bordit të Paqes.

Ky vendim ka qenë jo vetëm i befasishëm, por mund të konsiderohet edhe problematik, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

Në rrafshin e brendshëm është problematik sepse është bërë duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Republikës dhe nuk është bërë fare në koordinim me ekzekutivin kosovar. Madje, deri më tani, nuk ka pasur fare deklarime lidhur me këtë çështje nga qeveria në detyrë.

Në rrafshin e jashtëm, Kosova rreshtohet përkrah SHBA-së, por del kundër të gjithë aleatëve të tjerë tradicionalë, duke u rreshtuar kështu përkrah vendeve me rekorde jo shumë të mira sa i përket funksionimit të demokracisë, apo respektimit të të drejtave të njeriut, siç është për shembull Bjellorusia.

A do të duhej Kosova të ngutej kaq shumë për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative?

Nga perspektiva institucionale kosovare, në parim përgjigjja është po. Kosova është e bllokuar në anëtarësime ndërkombëtare, nuk është pjesë e OKB-së dhe vazhdon të përballet me veto nga Rusia dhe Kina.

Në këtë realitet, mundësia për të qenë vend themelues i një organizate të re ndërkombëtare duket si një dritare e rrallë për vizibilitet dhe afirmim diplomatik. Por, politika e jashtme nuk matet vetëm me vizibilitet e vendime afatshkurtra. Ajo matet me pasoja dhe, në këtë rast, pasojat potenciale janë serioze.

Integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Kosovën. Në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së janë tensionuar dukshëm, një shtet i vogël dhe i brishtë si Kosova nuk e ka luksin të luajë lojëra dhe të zgjedhë anë në përplasje të tilla.

Strategjia më racionale do të ishte ruajtja e një ekuilibri të kujdesshëm mes dy brigjeve të Atlantikut. Kosova, të paktën, do të duhej të përdorte kartën e mungesës së një kuvendi të konstituuar dhe një qeverie fuqiplotë, për të shtyrë anëtarësimin në një fazë tjetër. Pra, duke bërë strategji diplomatike, siç bëri Edi Rama, duke mos qenë pjesë e mbledhjes themeluese, gjoja për t’i lënë Kuvendit vendimmarrjen. Kësisoj, Kosova do të arrinte të ruante një ekuilibër duke mos agjituar as amerikanët, as europianët.

Duke iu bashkuar Bordit të Paqes, Kosova ka bërë pikërisht të kundërtën. Ka zgjedhur të rreshtohet hapur me një iniciativë që shumica e vendeve europiane e shohin si kërcënim për rendin ndërkombëtar ekzistues.

Kjo gjë, potencialisht, mund të çojë në acarim të partnerëve europianë dhe të shtyjë në vonesa e pengesa akoma më të mëdha rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

E ardhmja e Bordit të Paqes

Në terma praktikë, megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë nënkupton realisht anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes. Përtej simbolikës së të qenit “vend themelues”, nuk ka asnjë qartësi mbi detyrimet konkrete që Kosova merr përsipër, as mbi përfitimet e prekshme që mund të rrjedhin nga kjo pjesëmarrje.

Në skenarin më optimist, Kosova mund të përfitojë vizibilitet diplomatik dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Administratën amerikane. Por, në mungesë të garancive institucionale, ky “përfitim” mbetet i brishtë dhe i varur nga humori politik i momentit.

Megjithatë, rreshtimi me vende autokratike dhe iniciativa me mandat të paqartë, pavarësisht paralajmërimeve të partnerëve tradicionalë, tregon mungesë reflektimi strategjik.

Vendimi për t’iu bashkuar Bordit të Paqes duket më shumë si një lëvizje oportuniste nga presidentja Osmani, sesa si rezultat i një analize të thellë institucionale. Sidomos, akoma më problematike bëhet kur merret parasysh se vendi po i afrohet afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe se një “sukses” ndërkombëtar mund të shërbejë si kapital politik personal.

Nëse synimi ka qenë të demonstrohet afërsia me Trumpin dhe aftësia për të qenë pjesë e një momenti “historik”, kjo është arritur.

Por, imazhi i presidentes së Kosovës përkrah liderëve autoritarë, në një kohë kur vendet që ende përpiqen të mbrojnë rendin liberal po tërhiqen nga kjo iniciativë, do të mbetet i rëndë për t’u justifikuar.

Në një pikë kur marrëdhëniet ndërkombëtare po kalojnë ndryshime tektonike, Kosova nuk guxon të pozicionohet në anën e gabuar. Vendime të tilla nuk gjykohen nga fotografia e momentit, por nga pasojat afatgjata që lënë pas. Prandaj, ky vendim, edhe pse i paraqitur si sukses diplomatik, ngre më shumë shqetësime, sesa arsye për festë.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.