Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Marrëdhëniet Izrael-Turqi: 2001-2021 (IV)

A ishin zhvilluar marrëdhëniet Turqi-Izrael në dinamikën e bashkëpunimit të viteve ‘90? Si ishin zhvilluar këto marrëdhënie në vitet 2000? Cilat ishin krizat me përplasje të ashpra gjatë këtyre viteve? Si ndikuan këto marrëdhënie në fushën ushtarake dhe atë ekonomike? Cili ishte ndikimi i bartjes së Ambasadës së ShBA-së në Jerusalem dhe intervenimet e fundit të Izraelit ndaj palestinezëve në marrëdhëniet Turqi-Izrael? Këto dhe të tjera çështje, bashkë me një përfundim për këto marrëdhënie, do të trajtohen në rreshtat e mëposhtëm.

Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy shteteve të rifilluara në vitet ‘90 kishin vazhduar deri në vitin 2002. Pas këtij viti raporti mes Turqisë dhe Izraelit kishte fituar një dinamikë të re. Për këtë kontekst të ri mund të përmenden tri zhvillime kryesore: i pari, Turqia kishte filluar t’i përmirësonte raportet me vendet fqinje dhe vendet arabe përsëri. I dyti, me rastin e Intifadës së Dytë, vendimmarrësit turq kishin filluar të silleshin karshi Izraelit në një mënyrë më të kujdesshme. I fundit zhvillim, me përshpejtimin dhe intensifikimin e procesit të integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, roli i ushtrisë në politikëbërjen turke kishte filluar të zbehej dhe kjo nënkuptonte që një prej akterëve kryesorë në favor të marrëdhënieve me Izraelin nuk do të ishte me shumë ndikim.

Siç dihet, marrëdhëniet mes dy shteteve ishin asimetrike, ku atmosfera e marrëdhënieve varej gjithherë prej Turqisë. Kjo kishte vazhduar deri në vitin 2009. Pas kësaj, temperaturën do ta përcaktonin të dy vendet në mënyrë deri diku simetrike. Sa u përket këtyre viteve, ndonëse marrëdhëniet ekonomike kishin vazhduar të ishin të qëndrueshme, marrëdhëniet politike kishin ngritje dhe zbritje të herëpashershme.

Vitet 2001-2012

Edhe para ardhjes së Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) në vitin 2002 në pushtet, me dështimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe si pasojë e kësaj të fundit, me paraqitjen e Intifadës së Dytë, deklaratat dënuese të Turqisë kundër Izraelit kishin filluar të jehonin. Partia e presidentit të tanishëm të Turqisë, Erdogan, AKP, ishte e interesuar të zhvillonte marrëdhënie të mira me Izraelin, por shkaqet e këtij qëndrimi nuk ishin ideologjike, siç kishte ndodhur më herët, por pragmatike. Megjithatë, në këtë periudhë marrëdhëniet kishin mbetur të varura nga procesi i paqes Izrael-Palestinë.

Është e rëndësishme të përmendet se Turqia kishte vazhduar të merrte rol aktiv në procesin e paqes, si në rastin e vizitave të ndërsjella të zyrtarëve më të lartë shtetërorë, kishte tentuar të mbante raporte të nivelit të lartë me Izraelin dhe ishte përfshirë në planin për “Udhërrëfyesit e Paqes për Lindjen e Mesme”. Në ndërkohë, në vitin 2004, marrëdhëniet kishin filluar të përkeqësoheshin deri në tensionim me rastin rritjes së dhunës kundër palestinezëve nga Izraeli. Ky tensionim ishte pasuar me deklarata të forta dënuese të Turqisë dhe votës kundër Izraelit në OKB.

Viti 2005 është periudhë e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe kjo për shkak që OÇP-ja pas vdekjes së liderit historik Arafat kishte hyrë në një proces të ristrukturimit që ishte bërë shkak që dhuna të ndërpritej, Izraeli ishte tërhequr nga Gaza dhe, më e rëndësishmja, ShBA-ja e kërkonte një komunikim të mirë mes dy aleatëve të vet në rajon. Raportet ishin rregulluar në atë mënyrë që në fillim, ministri i Punëve të Jashtme turk, Gül, më pas kryeministri Erdogan kishin vizituar Izraelin dhe ky i fundit e kishte mbështetur kandidaturën e Turqisë për anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, siç kishte ndodhur rëndom, në vitin 2005 marrëdhëniet u tensionuan me hyrjen e fuqishme të Hamasit në skenë, me të cilin Turqia kishte vendosur të vendosë marrëdhënie. Përgjigja e Izraelit ishte e fortë. Edhe ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza dhe Liban, kryeministri Erdogan ishte përgjigjur me një gjuhë të ashpër. Megjithëkëtë, raportet nuk ishin ndërprerë dhe kishte edhe vizita të herëpashershme. Kurse në vitin 2007, me ringjalljen e procesit të paqes ku Turqia kishte pasur rol aktiv, marrëdhëniet ishin zbutur përsëri saqë presidenti Gül kishte zhvilluar një takim të përbashkët mes presidentit izraelit Perez dhe presidentit palestinez Abbas. Këtë atmosferë të ngrohtë shpejt do ta prishnin aeroplanët luftarakë që kishin shkelur hapësirën ajrore të Turqisë për ta bombarduar Sirinë. Kjo kishte marrë dimensionet e një krize dhe kishte përfunduar me kërkimfalje nga Izraeli.

Për ta kuptuar rrjedhën e mëvonshme të ngjarjeve është e rëndësishme të theksohet fakti që në vitin 2009 në pushtet kishte ardhur lideri i së djathtës ekstreme në Izrael, Netanjahu, i cili përfaqësonte një mendim politik më të ashpër sa i përket çështjes së Palestinës dhe politikës së jashtme. Gjithashtu, duhet të përmendet edhe fakti që, në kundërshtim me mënyrën e deritashme të zhvillimit të raporteve mes dy vendeve, tanimë Izraeli me elitën e re politike do të merrte një rol më proaktiv.

Një seri krizash

Vitet 2009-2010 ishin dëshmitare të tri krizave serioze mes dy shteteve: krizat “One Minute”, “Kolltuku i Ulët” dhe Mavi Marmara. Kriza “One Minute” kishte ndodhur në një panel në Davos në mes të kryeministrit Erdogan, presidentit Izrealit Perez dhe moderatorit të debatit. Kryeministri Erdogan kishte kërkuar fjalën për së dyti për t’iu kundërpërgjigjur presidentit izraelit kur moderatori po bëhej gati ta përfundonte panelin. Megjithëse ia kishte dhënë fjalën, të cilën Erdogan e kishte shfrytëzuar për ta kritikuar ashpër Izraelin, moderatori e kishte ndërprerë dhe i pari e kishte lëshuar panelin në mënyrë demontrative.

Kriza Kolltuku i Ulët kishte filluar me kërkesën e Izraelit për t’i hequr nga transmetimi seritë “Ayrilik/Ndarja” dhe “Kurtlar Vadisi/Lugina e Ujqërve”, të cilat përfshinin skena lufte kundër Izraelit dhe transmetoheshin në televizionin kombëtar TRT. Turqia kishte refuzuar kërkesën. Për të diskutuar për këtë temë ishte ftuar ambasadori turk Çelikkol në Tel Aviv, i pritur nga zëvendësministri i Jashtëm Ajalon. Ambasadori turk ishte ulur në një kolltuk të ulët në krahasim me palën tjetër dhe ishte fyer me gjuhë jodiplomatike nga zv.ministri izraelit. Ankaraja zyrtare e kishte kundërshtuar rëndë një sjellje të tillë, duke e thirrur ambasadorin e vet në Ankara, por tensioni u ul me rastin e kërkimfaljes nga Izraeli.

Kriza e Mavi Marmarasë ishte më e rënda në këtë seri krizash. Ngjarja kishte ndodhur kur trupat e Izraelit kishin sulmuar anijen Mavi Marmara, që transportonte ndihma për palestinezët. Sulmi kishte ndodhur në ujëra ndërkombëtarë nën arsyetimin se anija po transportonte ndihma ushtarake. Në këtë rast, 9 shtetas turq ishin vrarë. Turqia kishte reaguar shumë ashpër dhe ia kishte parashtruar Izraelit pesë kërkesa që lidheshin me kërkimfalje, shpagim të dëmeve, ndaljen të bllokadës ndaj Gazas, kthim të anijes dhe formim të një komisioni ndërkombëtar.

Nën presionin amerikan, vetëm dy kërkesat e fundit ishin plotësuar. Kjo shënon edhe pikën më të ulët të marrëdhënieve mes dy shteteve që prej viteve ‘90 dhe tanimë asimetria që favorizonte Turqinë në marrëdhëniet me Izraelin ishte kthyer në simetri. Nga kjo kohë e tutje, Izraeli kishte filluar të përdorte një gjuhë më të ashpër dhe kundërshtuese ndaj Turqisë, gjë që nuk ishte prezente më herët. Kjo asimetri dhe kjo përçarje ishin vërejtur edhe në politikat rajonale, ku Izraeli dhe Turqia mbanin qëndrime të kundërta.

Marrëdhëniet ushtarake dhe ekonomike

Është interesant të përmendet fakti që Turqia edhe Izraeli kishin vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në fushën ushtarake deri në vitin 2009, i cili bashkëpunim ishte vazhdimësi dhe produkt i viteve ‘90. Kurse pas vitit 2009 ky bashkëpunim kishte filluar të zbehej në mënyrë drastike. Edhe marrëdhëniet ekonomike kishin vazhduar në rrjedhën e viteve ‘90, përkundër prekjes nga krizat politike mes dy vendeve, që kishin dobësuar disa aspekte. Për shembull, përjashto vitin 2009 që ishte vit i krizës globale, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ishte rritur. Por, krizat kishin ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të turistëve Izraelit në Turqi. Përderisa në vitin 2001 numri i turistëve izraelitë në Turqi ishte 312.301, në vitin 2008 558.183, në vitin 2011 kishte rënë në 79.140. Kjo periudhë edhe për investimet reciproke në mes dy vendeve shënonte rënie të konsiderueshme.

Vitet 2013-2021

Përkundër afrimeve dhe disa takimeve, shija e hidhur që kishte lënë kriza Mavi Marmara mund të thuhet që vazhdon ende. Ndonëse marrëdhëniet mes dy shteteve e vazhdojnë një marrëdhënie të qëndrueshme në ekonomi, marrëdhëniet politike mbeten të tensionuara. Edhe përpjekjet nga të dy palët për një marrëveshje ku do të zgjidhej kjo krizë përgjithësisht mbetën të pafrytshme deri në vitin 2016. Në vitin 2016, palët kishin nënshkruar një marrëveshje pajtimi.

Në marrëveshje ishte paraparë të bëhej kompensimi i jetëve të humbura në anijen Mavi Marmara nga Izraeli, kurse Turqia mund t’i vazhdonte me projektet e saj në Gaza dhe mund të dërgonte ndihma në Gaza nëpërmjet Izraelit dhe Hamasi mund t’i ushtronte aktivitet në Turqi, duke përfshirë vetëm dimensionin politik. Kjo gjë shënonte një hap të mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve, i cili proces kishte filluar me emërimin e ambasadorëve në të dy kryeqytetet, duke e rritur kështu nivelin e përfaqësimit. Shtimi i aktiviteteve të organizatës terroriste të ashtuquajtur ISIS, interesi ekonomik dhe ndërhyrja amerikane mund të përmenden prej shkaqeve të kësaj marrëveshjeje.

Ky proces, si zakonisht, nuk e kishte jetën e gjatë. Vendimi i presidentit Trump në vitin 2018 për ta zhvendosur ambasadën e ShBA-së në Jerusalem kishte shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Turqisë. Presidenti Erdogan kishte tërhequr ambasadorin turk në Tev Aviv dhe e kishte quajtur Izraelin “shtet terrorist”. Izraeli e kishte përzënë konsullin turk në Jerusalem dhe kryeministri Netanjahu e kishte quajtur Turqinë mbështetëse të terrorizmit, duke aluduar në Hamasin. Gjithashtu, Turqia kishte filluar një fushatë kundër Izraelit duke e akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Kjo betejë akuzash kishte vazhduar me përgjigjen e Izraelit ndaj ndërhyrjeve ushtarake të Turqisë në Siri kundër organizatës terroriste YPG.

Kjo atmosferë armiqësore ishte ushqyer edhe më tutje në ngjarjet e fundit të vitit 2021 në mes Palestinës dhe Izraelit, me ç’rast Izraeli kishte ndërhyrë me dhunë në vendbanimet e palestinezëve në Jerusalem dhe në namazfalësit gjatë muajit Ramazan në Xhaminë e Shenjtë Aksa dhe pastaj me shkëmbimin e raketave mes Izraelit dhe Hamasit. Turqia kishte reaguar ashpër duke kërkuar një ndërhyrje dhe përgjigje të fortë ndërkombëtare dhe duke filluar një fushatë diplomatike intensive kundër Izraelit. Së fundmi, presidenti Erdogan ka deklaruar që është i interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin.

Përfundim

Në katër shkrimet që analizojnë marrëdhëniet Izrael-Turqi duhet të merret parasysh fakti që shkrimet nuk mëtojnë ta japin tërë kompleksitetin e çështjeve, por vetëm aspekte thelbësore në mënyrë të përmbledhur. Për këtë arsye, shumë ngjarje dhe detaje me rëndësi janë lënë jashtë, duke i përmendur vetëm disa pjesë kyç të historisë mes dy vendeve. Pra, kjo seri shkrimesh më shumë ofron një kuptim të përgjithshëm dhe thelbësor në marrëdhëniet Turqi-Izrael sesa një analizë të detajshme. Gjithsesi, përkundër objektivitetit që përmban ky shkrim, doza e subjektivitetit është gjithmonë dhe çdokund prezente, fakt i cili lë hapësirë për kritikë.

Këtë seri të shkrimeve po e mbyllim me disa përfundime:

E para, në analizën e politikës së jashtme, sikur në analizën e çështjeve sociale, gjithmonë ka një shumësi faktorësh që bëhen bashkë dhe e prodhojnë një situatë. Faktorët gjeopolitikë, ekonomia, vendet arabe, ShBA-ja, Rusia, Palestina, Irani, BE-ja, feja, ideologjia dhe shumë të tjerë janë faktorë që nëse përjashtohen nuk mund të kuptohen marrëdhëniet Turqi-Izrael.

E dyta, përkundër gjuhës së ashpër dhe dënuese dhe përkundër zbehjes eventuale, marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve nuk këputen. Si pasojë, në horizont nuk vërehet ndonjë mundësi për luftë mes dy vendeve në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Shtoja kësaj faktin që Izraeli posedon armë bërthamore, një sulm i Turqisë ndaj Izraelit bëhet i pamundur.

E treta, ndryshe prej periudhës para vitit 2009, tanimë prishës me ose pa arsye i marrëdhënieve nuk është vetëm Turqia, por edhe Izraeli. Kjo tregon për rolin më të fuqishëm të Izraelit në regjion dhe në politikën ndërkombëtare në krahasim me periudhat paraprake, por fakti që edhe Turqia përkundër shtytjes amerikane ka rol proaktiv në prishje tregon për rritjen e rolit të Turqisë viteve të fundit.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.