Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mbi mbrojtjen e lirive publike në kohë krize shëndetësore

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, i 21 janarit 2022, pavarësisht nga numri i mundshëm i jetëve të shpëtuara, do të mbetet në historinë e Kosovës si një nga më të dëmshmit për liritë publike në kohë paqeje. Kjo mund të tejkalohej vetëm nga dekretet e mëparshme dhe Ligji NR. 07/L-006 i datës 25 gusht 2020 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, të cilat arrogojnë në vetvete fuqinë për të kufizuar lirinë e lëvizjes dhe lirinë e mbledhjes. Gjatë kësaj krize shëndetësore, shteti ka pohuar dhe forcuar pushtetin e tij mbi shoqërinë: është treguar i gatshëm të përdorë monopolin e tij të dhunës legjitime për t’i zbatuar udhëzimet e shëndetit publik të nxjerra në bashkëpunim me ekspertë dhe shkencëtarë. Përderisa përgjigja e shtetit të Kosovës ndaj krizës COVID-19 ka qenë, për të gjithë të interesuarit për përgjigjet globale ndaj pandemisë, ndër më kufizueset për sa u përket lirive publike, situata shëndetësore e ka vështirë ta arsyetojë një disproporcion të tillë në shkeljet e të drejtave themelore.

Masat u materializuan me vendosjen e perimetrit dhe orareve të daljes, ndalimin e kontakteve jashtëfamiljare dhe zbatimin e këtyre masave nga një forcë e madhe policie, e cila kreu mijëra kontrolle e verbalizime. Prandaj, kjo krizë shëndetësore dhe vendimet e marra që atëherë kërkojnë mbi të gjitha rigjenerimin e një kontrolli demokratik të emergjencës.

Kufizimet janë bërë mbi bazën ligjore të urgjencës shëndetësore, që synon mbrojtjen e të drejtave  njerëzore të qytetarëve, ndër të cilat “e drejta për shëndet” ose “e drejta për jetë”. Në këtë krizë, si kurrë më parë, vazhdon të prishet ekuilibri mes këtyre të drejtave të njeriut dhe kërkesës për t’i ruajtur liritë publike të qytetarëve, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe lirinë e mbledhjes.

Në mungesë të zhvillimit të një politike efektive shëndetësore dhe një spitali publik të rigjallëruar, shteti i Kosovës po ua vë peshën e plotë të krizës lirive publike të qytetarëve. Megjithatë, kjo prishje e ekuilibrit, shpesh në margjinat e kontrollit demokratik, është një prirje kryesore në politikat publike në botën perëndimore. Duke mos pasur dëshirë t’i fuqizojë qytetarët kosovarë, Qeveria konsideroi se rekomandimet e prera por të miratuara lirisht nuk do të ishin të mjaftueshme. Kosova ka zgjedhur të jetë strategjikisht ndjekëse, duke prishur me vendosmëri ekuilibrin ndërmjet së drejtës për shëndet dhe lirive publike.

Zgjedhja kosovare është qartë edhe rezultat i mungesës së burimeve, gjë që përjashton një strategji të bazuar në menaxhimin efektiv nga spitali publik i personave me COVID-19.

Në aspektin e organizimit shoqëror, zgjidhjet e ngurta që mbështeten pak në kontributin individual të qytetarëve të perceptuar si marrës të papërgjegjshëm dhe pasivë të politikave publike, të cilët duhet të kontrollohen dhe disiplinohen, minojnë strategji më fleksibile. Kështu, shteti rezulton i paaftë për të punuar në marrëdhënie të mira me qytetarët, gjë që e pengon atë të zbatojë politika efektive parandaluese dhe të vërë në dyshim dogmat e vendosura.

Çdo zgjidhje që pretendon ta eliminojë rrezikun duke zëvendësuar mirësjelljen e qytetarëve dhe besimin që ata kanë ndaj njëri-tjetrit do të ketë për efekt, në terma afatgjatë, dobësimin e republikës.

Në këtë kuptim, Kosova do të përfitonte nga frymëzimi i shteteve të tjera, veçanërisht nga Suedia, në lidhje me praktikat e saj demokratike dhe prirjen e saj për të favorizuar mendjen qytetare dhe përgjegjësinë individuale, krahasuar me kërcënimin dhe sanksionin, të cilat nuk janë mjete të efektshme mësimore. Të mësosh së bashku për t’iu përgjigjur më mirë pandemive duke ruajtur liritë publike do të thotë të promovosh nisma demokratike, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, për ta rritur angazhimin e qytetarëve dhe të kuptuarit e politikave publike.

Në fakt, ekuilibri ndërmjet të drejtave të njeriut dhe lirive publike bazohet në kontrollin demokratik të emergjencave. Për sa u përket heqjes së lirive, boshti i parë i kontrollit bazohet në transparencën e pashmangshme të vendimmarrjes publike. Ndërhyrjet e përsëritura publike të anëtarëve të Qeverisë ose anëtarëve të ekipeve shkencore nuk janë të mjaftueshme për aq sa nuk lejojnë as publicitet real të vendimit, as ballafaqim të ideve dhe strategjive, veçanërisht për sa u përket pasojave të tyre për liritë publike. Po bëhet e nevojshme që të parashtrohen mekanizma që lehtësojnë debatet me qytetarët, në mënyrë që të mundësohet zotërimi më i mirë i masave të shëndetit publik nga popullsia. Është një garanci më e mirë ndaj vendimeve arbitrare të marra në qarqe të mbyllura dhe uniforme që kanë vetëm një këndvështrim mjekësor.

Një parim tjetër themelor bazohet në përgjegjshmërinë e nevojshme të pushtetarëve ndaj popullit. Që nga Athina e shekullit V, parimi i dhënies së llogarive kërkon që ata të cilëve u është besuar autoriteti publik të vijnë për t’i shpjeguar vendimet e tyre dhe të bëjnë të mundur, nëpërmjet diskutimeve publike dhe jopartiake, marrjen e shpjegimeve mbi masat e zgjedhura dhe për ta informuar shoqërinë për politikat publike.

Megjithatë, një nga mjetet më të menjëhershme për ta mposhtur gjendjen e përjashtimit është të kushtëzohet shfaqja e saj me një konsensus të gjerë politik. Është jonormale që kufizime të tilla mund të merren në Këshillin e Ministrave dhe të ruhen në kohëzgjatje dhe shtrirje pa kontroll efektiv nga parlamenti. Përqendrimi në bashkëpunimin midis lojtarëve të ndryshëm në sistem mund të jetë një mënyrë efektive për t’i frenuar tepricat e vendimeve të urgjencës shëndetësore.

Është më e vështirë se kurrë, në një kontekst shqetësimesh të përgjithësuara dhe legjitime, të jesh mbrojtës i lirive reale dhe të fuqishme publike. Në të vërtetë, një mbrojtje e tillë përfshin të shkosh kundër instinktit natyror të një humanizmi të dashamirësisë dhe shëndetit, drejt një humanizmi politik, gati tragjik, të qytetarit, të pajisur me liri të patjetërsueshme, vlera e së cilës është padyshim superiore për vetë jetën. Megjithatë, heqja dorë nga një pjesë e madhe e lirive të dikujt për përfitimin e shëndetit ose sigurisë në vetvete nuk e çon përpara ardhjen e një shoqërie të bazuar në të mirën e përbashkët. Nuk është e nevojshme të kryhen përllogaritje shkencore të viteve të jetës së ruajtur për të ditur se jeta në gjendje të jashtëzakonshme nuk është një jetë reale, pavarësisht nga mekanizmat e kompensimit të vendosur nga mendja për ta racionalizuar të papranueshmen.

Prandaj, pandemia COVID-19 duket se po imponohet – në mënyrë kundërintuitive – mbi të gjitha si një mundësi e humbur për sa i përket të mësuarit kolektiv, përgjegjësisë individuale dhe zhvillimit të besimit në institucione. Me papërgatitjen e saj në planin material, Qeveria bëri që të gjithë peshën e krizës ta peshojë mbi liritë publike të kosovarëve përmes kufizimeve të ngurta. Qytetarët do të kishin gjithashtu të drejtë të kërkonin sanksione kundër atyre që kanë dështuar në mbrojtjen e këtyre lirive publike për shkak të mungesës së përgatitjes dhe parashikimit. Sulmet ndaj lirive të shkaktuara nga vendimet e fundit na ftojnë t’i rimendojmë përgjigjet tona ndaj pandemisë. Ato inkurajojnë gjithashtu reflektimin kolektiv mbi pajtimin e nevojshëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut me një mbrojtje të fuqishme të lirive publike dhe kontroll real demokratik të masave emergjente, qofshin ato shëndetësore apo të tjera.

Kur i pakësojmë liritë për të pasur më shumë siguri, sigurisht që do të kemi më pak liri, por kurrë nuk jemi të sigurt se do të kemi më shumë siguri. Përballë përparësisë që u është dhënë shëndetit dhe sigurisë, ne duhet të mbrojmë një hierarki që i bën liritë publike të ushtruara me përgjegjësi dhe shqetësim për të mirën e përbashkët: gurthemelin e sistemeve tona demokratike.

Prandaj, dalja nga lart e një krize të tillë varet në zgjerimin e fushës së besimit dhe në refuzimin e emergjencës si një mënyrë qeverisjeje. Pesha e shtetit nuk duhet të ulet, ajo madje duhet të rritet, por vetëm në masën e përvetësuar nga proceset demokratike të diskutimit dhe llogaridhënies. Por, kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet angazhimit të shtuar të të gjithëve dhe braktisjes nga pushteti politik të kujdestarisë së tij abuzive mbi shoqërinë: liritë tona publike, demokracia jonë dhe zhvillimi i të përbashkëtave varen prej saj.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.