Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analysis

Mohimi i përvojës së punës nga Kuvendi: shkelja që pritet t’i kushtojë shtetit miliona euro

Foto: Kuvendi i Kosovës

Paga e punëtorëve të sektorit publik është një pasqyrë e mënyrës se si shteti vlerëson punën, përvojën dhe përkushtimin e atyre që mbajnë në këmbë administratën dhe institucionet publike.

Përvoja e punës, në veçanti, përbën një nga elementet kyçe. Përmes saj, punëtorët sjellin jo vetëm njohuri dhe aftësi, por edhe qëndrueshmëri institucionale, ndërsa qytetarët përfitojnë nga shërbime publike më cilësore. 

Me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, njohja e përvojës së punës te zyrtarët publikë u përgjysmua. Qeveria miratoi Ligjin për Zyrtarët Publikë and Ligjin për Paga në Sektorin Publik, të cilët, në vend se ta zgjidhin situatën, krijuan probleme të shumta ligjore e financiare. 

Ligji i Pagave të Nëpunësve Civilë synon qëndrueshmëri institucionale duke vlerësuar përvojën e punës

Prej më shumë se një dekade, përvoja e punës ishte e mbrojtur dhe shpërblyer me Ligjin e Pagave të Nëpunësve Civilë, i miratuar në vitin 2010. Ky ligj kishte përcaktuar se paga mujore e çdo shërbyesi civil do të rritej me 0.5% për çdo vit të plotë të punës.

Një politikë e tillë synonte të krijonte një administratë më të qëndrueshme, ku përvoja dhe kontributi afatgjatë njiheshin financiarisht. Ishte një mënyrë për të motivuar punëtorët të qëndronin brenda sistemit publik dhe për ta shmangur migrimin e ekspertizës drejt sektorit privat. 

Për një administratë publike të re si ajo e Kosovës, e cila po ndërtohej pas pavarësisë, ky ligj kishte rëndësi tejet strategjike. Edhe pse në nivel minimal, rritja prej 0.5% për një vit të përvojës së punës i përfshinte atëbotë rreth 75 mijë zyrtarë publikë.

Qeveria Kurti vjen me ide të reja, miraton ligje të cilat e ulin shtesën e bazuar në përvojë të punës

Në mars të vitit 2021, në pushtet erdhi Lëvizja Vetëvendosje, e cila prioritizoi krijimin e një sistemi më transparent e më të drejtë për paga. Qëllimi ishte që për punë të njëjtë, punonjësit të merrnin pagë të njëjtë.

Në këtë drejtim, Qeveria Kurti miratoi dy ligje: Ligjin për Zyrtarët Publikë and Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Por, në vend se ta zgjidhnin problemin, këto ligje sollën sfidat dhe probleme të shumta. Gjithashtu, këto ligje bartën probleme kushtetuese, duke përfshirë edhe dispozita të marra nga projektligjet e mëparshme, që më parë ishin shpallur në kundërshtim me Kushtetutën. 

Njëri nga këto ligje, ai për Pagat në Sektorin Publik, e përgjysmoi shtesën për përvojën e punës për 15 vitet e para, nga 0.5% në 0.25% për çdo vit pune. Pas vitit të 15-të, shtesa mbetet 0.5% për çdo vit shërbimi në administratën publike.

Kjo rezultoi në një ulje të përfitimit të punëtorëve që kishin mbi 15 vjet përvojë pune, nga 7.5% në 3.75%. Pra, një përgjysmim i njohjes së përvojës së punës, duke ndikuar negativisht te mbi 94 mijë zyrtarë publikë.

Gjykata Kushtetuese e shpall Ligjin në kundërshtim me Kushtetutën

Për ta adresuar këtë gjë, Avokati i Popullit kërkoi vlerësimin e Ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Verdikti i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se ulja e kompensimit për përvojën e punës (nga 7% në 3.5%) ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Megjithatë, Gjykata nuk e shfuqizoi dispozitën, por i dha Kuvendit një afat prej gjashtë muajsh (deri më 1 gusht 2024) për ta korrigjuar këtë rregullim. 

Kuvendi, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Komisionit Parlamentar përgjegjës, nuk ndërmorën masat e duhura

Deri më tani, asnjë veprim nuk është ndërmarrë, edhe pse obligimi kushtetues ka kaluar. Përgjegjës për këtë janë Kuvendi, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ish-kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, të cilëve u është dorëzuar Aktgjykimi dhe të cilët janë përgjegjës për mospërmbushjen e këtij obligimi në kohë.

Glauk Konjufca, si figura më e lartë drejtuese e këtij institucioni, kishte kompetencë të drejtpërdrejtë për të mbikëqyrur punën e komisioneve parlamentare dhe për ta orientuar komisionin përkatës drejt trajtimit urgjent të çështjes.

Nga ana tjetër, Valon Ramadani kishte për detyrë që ta fuste ligjin në agjendë, të propozonte grupin punues, të organizonte shqyrtimin në komision dhe të propozonte kalimin në seancë plenare. 

Moszbatimi i këtyre hapave e bën përgjegjës për vonesën dhe injorimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ky mosveprim, si në nivel individual, ashtu edhe kolektiv, përbën shkelje të qartë të detyrimeve kushtetuese dhe cenon të drejtat sociale të mijëra zyrtarëve publikë.

Pasojat financiare 

Ulja e shtesës për përvojën e punës nga 0.5% në 0.25% ndikon negativisht në të ardhurat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe të familjeve të tyre. Ky reduktim çon në humbje mesatare prej 12.5 deri në 40 euro në muaj për secilin zyrtar publik, duke cenuar burimet e domosdoshme për përballimin e shpenzimeve të përditshme.

Për t’i shmangur pasojat ligjore dhe financiare që do të vijnë nga mospërmbushja e Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë dhe të trajtojë me prioritet këtë çështje, siç kërkohet nga Gjykata Kushtetuese, duke e zbatuar atë që nga 1 shkurti 2024. 

Kjo do të garantonte realizimin kolektiv të të drejtave të zyrtarëve publikë. Përmes këtij veprimi të vetëm, të gjithë zyrtarët do të kompensoheshin për pjesën e papaguar të përvojës së punës nga 1 shkurti 2024 e tutje.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.