Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Presidentja nuk fal

Nuk ka fuqi më të madhe sesa të pasurit e fjalës së fundit mbi lirinë e dikujt. Nga lartë, poshtë. Ekzekutohet vendimi. Pushtet i jashtëzakonshëm. Një pushtet i gjithëpushtetshëm i ardhur me kredencialet e shpresës, ndryshimit, rilindjes. Një Presidente me prerogativin më sublim, atë të faljes, refuzon të falë. Falja si atribut qenësor i tërësisë së qenies, që paqësisht i konfrontohet ndëshkimit, mungon. Refuzon të falë atë kategori të lidhur ngusht me shpresën, ndryshimin e rilindjen. Pushteti i ri kundër pluralizmit e brenda logjikës “të këqinjtë nuk meritojnë asgjë, the winner takes it all”. Logjika: liria duhet merituar, ajo nuk i takon secilit.

I nënshkruar 12 vite më parë nga presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu, Ligji për Faljen i jep pushtet të jashtëzakonshëm ekzekutiv presidentit për t’i falur personat e dënuar për vepër penale, duke i liruar ata nga vuajtja e dënimit e përcaktuar nga gjykata. Presidentët paraprakë e kanë përdorur këtë prerogativ. Të panumërta janë vendet demokratike ku kjo e drejtë ekzekutohet. Të panumërta janë arsyet pse ky privilegj duhet të përdoret nga Presidentja. Të shumta janë ngjarjet e eventet kur ajo mund ta përdorë atë. Nga viti 2009 janë falur 316 persona nga presidentët paraprakë. E çuditshme del edhe zemërngushtësia e Jahjagës me vetëm 21 falje. Rreth 100 lutje për falje këtë vit. Asnjë aprovim, ende. Lutjet, rrethana të rënduara shëndetësore, kategori të ndjeshme, e ndonjë dilemë edhe për pafajësinë e të burgosurit. Asnjëra nuk mjafton për Presidenten. Cilat mund të jenë shkaqet për këtë? Doktrina e ndëshkimit nuk e pranon faljen. Popullizmi nuk lë vend për ndërveprim me ‘devijantët’. Pushtetit të numrave nuk i bën përshtypje bazeni i vogël i votave në burgje.

Në Kosovë burgu zyrtarisht quhet Shërbim Korrektues, por rrezikon të mbetet i tillë vetëm në emër. Që në nismë, shteti i Kosovës, siç edhe do të duhej, merr përsipër shërbimin ndaj atyre që janë shtyrë të bëjnë veprime, të ndëshkueshme sipas kontratës shoqërore. Për t’i “korrektuar” ata. Por si qëndron kjo sipërmarrje shtetërore në raport me pushtetin e ri dhe mentalitetin tonë?

Secili sistem apo rend, sado i specializuar, ka nevojë për doktrinë mbështetëse, bindëse. Qasja ndaj drejtësisë në raport me të burgosurin njeh së paku dy drejtime. Njëra që më tepër për cak ka ndëshkimin dhe gjykimin përtej procesit gjyqësor, dhe si e tillë forcon stigmën. Në këtë aspekt, gjendja e burgjeve në SHBA përbën shembullin ekstrem. Dhe kemi qasjen e cila e vendosë theksin tek përmirësimi. Ndonëse që të dyja janë në funksion të disiplinimit, kjo e fundit i lë vend edhe disiplinave tjera siç janë mësimet, trajnimet, puna në komunitet, risocializimi, e kështu më radhë. Këtë shembull e gjejmë tek vendet skandinave.

Filozofia që e sfidon mentalitetin ndëshkues, që adreson kompleksitetin e shkaqeve të krimit, që siguron progres të mirëfilltë, gjen zbatim edhe tek procesi dhe vendimi për falje. E sheh privilegjin e Presidentes edhe si e drejtë pozitive e të burgosurit për t’u falur. I shpallë luftë shkaqeve që prodhojnë dhunë e pabarazi. Synon transformimin shoqëror, refuzon status-quonë. E anulon gjuetinë e shtrigave.

Me ardhjen e pushtetit të ri, ka marrë hov një diskurs reaksionar, që ka në shënjestër fajtorin konkret. Mbështetjen e gjen edhe tek ajo pjesë e traditës e mentalitetit të shoqërisë sonë që ka predispozita që fajin e krimit ta vendosë tek krimineli, pa u thelluar në shkaqet normative, socio-ekonomike e politike. Ngarendja pas fajtorit, kërkimi i fajit, zhduk shkaqet e krimit dhe e siguron përsëritjen, deri në perversitet. Kjo e siguron rritjen e numrit të të burgosurve, ashtu siç e kemi parë dhe do ta shohim, por nuk garanton drejtësi për viktimat në plan më të gjërë.

Ky injorim, apo edhe hezitimi i Presidentes ndaj kësaj kategorie shoqërore, na mëson se duhet të luftojmë për një rimendim fundamental të procesit. Sepse, atëherë kur falja bie në mëshirën e autoritetit suprem të privilegjuar të Presidentes, ky autoritet ndonjëherë ka të tjera synime, të tjera preokupime. Dhe kjo nuk është mënyra se si e kemi përfytyruar e ndërtuar shtetin.

Ky injorim total i Presidentes na shtyn të flasim për mekanizmat shtypës në shoqërinë tonë jashtë burgut, por që mund të vërehen me sy të lirë edhe në burg. Ekzistimi i burgut nuk duhet të shërbejë si heqje qafe i problemeve shoqërore. Izolim i së keqes. Sepse nuk është. Burgu nuk është zgjidhja finale që shoqëria ia ka dhënë problemeve komplekse të dinamikave të pushtetit, të relacioneve të krizës e konfliktit. Burgu duhet të kuptohet si instancë e cila shpërfaqë pabarazitë sociale, si institucion i cili ka nevojë për kritikë të vazhdueshme.

Në anën tjetër, falja nuk duhet të shihet si një rregull që normalizon. Ajo është përjashtim që na njofton me rendin prej të cilit i burgosuri është i përjashtuar dhe i ndëshkuar. Si i qasemi fajit? Përgjigjja nuk guxon asnjëherë të jetë religjioze – moralizuese. Ne duhet më tepër të jemi të preokupuar me shkaqet që kurthojnë dhe vulosin fatin e njerëzve, e që vijnë nga organizimi institucional dhe aparati ideologjik, sesa të rropatemi tek faji dhe ndëshkimi në vetvete.

Këtu nuk bëhet fjalë për qëllimin dhe motivet e Presidentes për të falur apo mos falur. Veprimi apo mosveprimi në këtë rast është i mishëruar në qëllimin e pushtetit të ri që presupozon pushtet total, injorim të traditës dhe performancë përmes forcës. Qasja totalitare e pushtetit asnjëherë nuk do të na vijë si e vërtetë a priori, por si gradualitet. Sa ka përpjekje për barazi sociale dhe për këtë terren në listën e lutjeve të grumbulluara, në listën e faljeve? Barazi sociale bazuar në pozitën ekonomike, prejardhjen gjeografike etj. i burgosuri? Nuk mund të ketë drejtësi nëse dimensioni dhe rrethanat shoqërore anashkalohen. Apo, edhe atëherë kur ndodhë, nëse ndodhë, ajo bëhet vetëm në mënyrë shabllonike, si rrufe prej qiellit, me shpatën e sovranit që çan drejtësinë në mes, duke u bazuar në vite, faqe exceli që kalkulojnë të dhëna sipërfaqësore e ku vitet e dënimit janë kryesore. Ajo çka dihet që tash është se ky proces shquhet nga mungesa e ndjeshmërisë që buron nga ideologjia sunduese e ndëshkimit dhe intimidimit si metodë kontrolli e disiplinimi. Si metodë nënshtrimi.

Edhe nëse e reduktojmë gjykimin tonë në nivelin meta-etik – tek dualiteti i së mirës dhe së keqës, që bota udhëhiqet nga dy lloj principesh, dy fuqi rivale, e keqja dhe e mira – këto fuqi nuk personifikohen. Ato mbesin forca. E nëse edhe personifikohen diku, atëherë ai do të ishte pushteti. Kur pushteti nuk fal.

Na duhet një dëshmi, një veprim ku Presidentja tregon se nuk përqafon konceptin e ndëshkimit si proces dhëmb-për-dhëmb, porse preokupohet për barazi gjinore; apo se i kundërshton vendimet raciste të gjykatave ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian; apo se është e vetdijshme që skamja përpara lakmisë çon në vjedhjen e druve; se rastet me sëmundje kronike duhet të trajtohen me humanitet; se Presidentja tregon që e kupton se pandemia Covid-19 ka sjellë rrethana të reja në çdo sferë të jetës duke rënduar edhe gjendjen e të burgosurve; që vetëvrasjet e shtuara në burg këkojnë intervenim. Jo mëshirim. E ma e keqja është që Presidentja as mëshirën nuk e ka!

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.