Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Realitet i shpërftyruem

Ndonëse cilësohet si shekull i shpikjeve të mëdha teknologjike e shkencore, po aq revulucionare sa disa nga shpikjet ma të mëdha të shekujve të kaluem, porse, ky shekull nuk e zhvilloi ashtu siç duhet njeriun brenda vetes, dhe asht larg shpresës për përmirësim. Njeriu mbeti aty, njeri i pamëshirshëm dhe i egër, njeri që rreh, vret e ther njerëz dhe nuk ka dhembshuni. Dukuni e përbindshme që të përqeth kur e këqyr, dëgjon a kujton vrasjen e grave dhe vajzave shqiptare që ranë në thonjtë e kasapëve, jeta e të cilave vleu kaq pak e zgati aq sa desht apo iu tek nji burr(i)eci. Ngjarjet e hidhuna po rrokullisen me shpejtësi, vrasjet “serike” të grave dhe vajzave për shkaqe të llojllojta janë nji situatë alarmante, anormale që nuk ta rrokë mendja e shndoshë. Mjerisht, dhembshunisht, thujse përditë po përballemi me këtë mizori të vrasjeve. Në bazë të humtimeve që janë ba, pjesa ma e madhe e tyne kryhen për për motive të ulta, banale, justifikime qesharake e metoda kriminale. Jemi spektatorë të nji shfaqje që të kall tmerrin, të nji panorame të zymtë e cila na shpërfaq të dhana shokuese dhe shqetësuese për nji vend të vogël si yni, ku që nga paslufta e deri më sot statistikat ngjasojnë me bilanc lufte.

Vrasjet e grave trend rritës çdo vit!

Muret që kanë emnin shpi për zojat e shpisë janë kthy në vende makthi e rrezik vdekjeje! Me gjasë, gratë ma parë vriten nga dikush që e njohin se nga nji i panjohun, ndërsa pjesa dërrmuese e vrasësve janë burra. Sipas specialistëve gratë ma shumë vriten nga partnerët e tyne se sa nga tanë llojet e kriminelëve. Burrat që ushtrojnë dhunë ndahen në dy lloje; burra që ushtrojnë dhunë me raste, të cilët nuk përdorin ndonji armë dhe nuk e kanë zakon ta keqtrajtojnë bashkëshorten, dhe lloji tjetër janë ata që kanë zhvillu nji prirje kronike të keqtrajtimit. Këta të fundit e përdorin vazhdimisht dhunën dhe kanë pak ose aspak brejtje të ndërgjegjes. Çdo lloj keqtrajtimi fizik mund të shkaktojë damtime me pasoja të randa, deri tek ato vdekjeprurëse. Ndaj, fakti që nji burrë ushtron dhunë jo aq shpesh ose jo aq fort sa nji tjetër, nuk e ban atë të justifikueshme. Thjesht, nuk ekziston asgja që mund të quhet keqtrajtim “i pranueshëm”. “Një burrë i dhunshëm që ka sulmuar gruan e tij nuk është më pak kriminel se një burrë që ka rrahur një të panjohur.” — shkruan: When Men Batter Women. 

Cilët burra vrasin gratë?

Se cilët burra vrasin gratë janë ba studime të shumta, por cilët faktorë mund ta bajnë nji burrë ta vrasë gruan e vet? Gjetja e faktorëve nxitës asht nji mision i posaçëm i cili kërkon nji shtjellim analitik. Pasi ka studiu qindra raste me profil të naltë në tanë botën, psikologia Dr. Kathy Charles thotë se rranjët e nji vrasjeje gjenden te nji çrregullim i personalitetit. “Të gjithë këta duken si njerëz të zakonshëm, por kanë diçka të përbashkët – një personalitet psikotik që merr emocion nga vrasja. Sistemet e tyre nervore janë të ndryshme, ata nuk emocionohen nga gjërat që ngacmojnë të tjerët” Ajo vijon se tanë janë të ftohtë, të pashpirt dhe nuk pendohen për atë që kanë ba. Si përgjigje krijojnë skenare hakmarrjeje prej ma të ndryshmeve, zhyten në viktimizimin e tyne. Pra, hulumtimet rezultojnë që tipat e burrave vrasës janë persona që vujnë nga çrregullime të personalitetit. Në këtë aspekt fajin e kanë edhe familjet e tyne, pasi duhet t’i deklarojnë dhe udhëzojnë në qendrat përkatëse shëndetësore. Ka raste dhe të tipave me të cilët duhet punu, të cilët janë të dhunshëm dhe pa motiv. Ndërkohë që tjetër tip me probleme të shëndetit mendor janë edhe të sëmurët psikikë, të cilët kanë ide që në thelb e kanë xhelozinë, raste këto të cilat duhet denoncohen nga familjarët. Tipari dallues i këtyne tipave asht se thonë gjana që nuk përputhen me realitetin dhe në raste të tilla përpjekja për t’i bindë asht e pasukses. Tipat me çrregullime të personalitetit shfaqin tipare të egra të cilat ishin të fshehuna e të mbledhuna kohë ma parë.

Si ka kenë fëminija e këtyre burrave vrasës?

Qysh si fëmijë të vegjël ata janë rritë në mjedise të egra, ku dhuna emocionale dhe fizike ishte ‘normale’. Sipas nji specialisteje, nji mashkull që rritet në mjedis të tillë, “mund ta thithë që në moshë të njomë përbuzjen që ka i ati për gratë. Djali mëson se një burrë duhet t’i ketë gjithnjë nën kontroll gratë dhe se mënyra për t’i pasur ato nën kontroll është t’i frikësojë, t’i dëmtojë dhe t’i poshtërojë. Në të njëjtën kohë, mëson se një mënyrë e sigurt për të fituar miratimin e babait të tij është të sillet si ai”. Se burrat që ushtrojnë dhunë fizike dhe që vrasin janë rritë për vete në familje të dhunshme ky fakt nuk na habit fort. “Shumica e burrave të dhunshëm janë rrit në shtëpi që mund të quhen ‘zona lufte’”,— shkruan Majkëll Grejçi, i cili ka kalu ma shumë se dy dhjetëvjeçarë tuj ba kërkime lidhun me dhunën mes bashkëshortëve. Në disa vende, të rrahësh një grua shihet si një gjë e pranueshme e madje normale. «E drejta e burrit për ta rrahur ose për ta frikësuar fizikisht gruan e tij është një bindje e rrënjosur thellë në shumë shoqëri”, — thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara. Sipas një studimi të drejtuar nga Riçard J. Xhelsi në Universitetin e Roud Ajlendit, SHBA, tregues të rrezikut për keqtrajtimin fizik dhe emocional në mjedisin familjar janë se: burri ka ushtruar më parë dhunë në familje, është i papunë, përdor droga të paligjshme të paktën njëherë në vit, kur jetonte me familjen ai shihte babanë të godiste nënën, çifti nuk është i martuar – bashkëjetojnë, nëse është i punësuar, ka një punë me rrogë të ulët, nuk e ka mbaruar shkollën e mesme, ka moshën nga 18 deri 30 vjeç, njëri ose të dy prindërit përdorin dhunë ndaj fëmijëve në shtëpi, të ardhurat janë nën nivelin e varfërisë, burri dhe gruaja vijnë nga kultura të ndryshme…

Ndikimi “kulturor”

Dikur jeta e fëmijëve/meshkuj nisej me krisma, qëllonin në ajër kur foshnja ishte djalë, dhe kështu qysh si fëmijë u mësonin t’i japin urdhna gjinisë së kundërt, u mësonin me idenë se gjithmonë kanë të drejtë dhe se gjithmonë mund dhe duhet të marrin atë që duan. Janë rritë në frymë të atillë që dëshirojnë të dominojnë në raport me gruan dhe në momentin kur ajo vendos t’i thotë JO – trajtimit jo të duhun, ata shkojnë deri tek privimi i jetës së saj. Thanë shkurt, djemtë edukohen si superiorë, të cilët mendojnë që gjithmonë e kanë të drejtën e fjalës dhe përdorimin e armës.

Si e vogël nji vajzë ka kenë dëshmitare sesi baba ka ushtru dhunë ndaj nanës së saj. Kjo ban që vajza të mendojë se dhuna që i ushtrohet nanës asht pjesë e martesës, dhe kur të martohet edhe vetë, nëse dhe bashkëshorti vepron në të njajtën mënyrë ajo nuk e sheh si tragjike – “Edhe baba e ka rreh nanën dhe janë plakë bashkë…!”, kështu, mendon se kjo gja asht normalitet në çdo familje. Motivet që i sjellin bashkëshortët deri tek dhuna fizike e që jo rrallë ndodh përfundojnë edhe me fatalitet, janë pasojat e shoqnisë patriarkale nga e kalumja e largët, kur burri ishte “sunduesi” dhe gruaja ishte vetëm nji “shërbëtore për punët e shpisë dhe nji “makinë prodhuese” për lindjen e fëmijëve…

Fatkeqësisht, shoqnia jonë hala e ka zor me pranu faktin që gruaja asht NJERI. Meshkujt tanë vazhdojnë me kërku gruan e kahershme, aso që nuk bzanë, që vërtitet rreth sobës, kuzhinës e fëmive. Nuk kanë ba hap tej biologjisë së tyne, njohin veç forcën e muskujve, dhunën në çfarëdo forme; të shtrëngimit fizik ose psikik, mjeteve e metodave të vrazhda ndaj gruas për ta detyru të baj diçka jashtë vullnetit a dëshirës së saj, për ta nënshtru e për ta shtyp, për t’ia kufizu veprimet. Asht varfnia kulturore kjo, asht padija apo informacioni jo i mjaftueshëm si dhe mentaliteti arkaik – patriarkal i burrave shqiptarë. Mentaliteti i krimbun i cili nuk ka pasë respektin e duhun për gruan, qoftë si grua, si nanë, vajzë, motër a si bashkëshorte. Kjo mendësi e tyne vazhdon me ra ndesh me pavarësinë dhe emanicipimin grave, për faktin se u heq pushtetin.

Dhuna ndaj grave prek të gjitha gratë të të gjitha moshave dhe niveleve. Kjo dukuni e shëmtume ka hedhun rranjë të thella në pabarazinë mes grave dhe burrave në shoqni dhe ushqehet ma tej nga mungesa e kulturës, mungesa e tolerancës dhe mospranimit të vërtetës që njerëzit janë dhe duhet të jenë të barabartë.

Ligji nuk ka ashpërsinë e duhun për burrat vrasës, ai nuk po gjen zbatim nga organet ekzekutuese, kështu, tuj e lanë të lirë dhunuesin në të njajtin avaz. Asht mase e nevojshme që të krijohen qendra të specializume të trajtimit të dhunuesve, ngase sipas rasteve të hasuna në praktikë vërehet se dhunuesit të cilët për nji kohë të caktume sa qëndrojnë në burgje risocializohet në nji formë edhe ma të ashpër, dhe për këtë arsye burgjet nuk mund të konsiderohen në asnji rast nji vend i mirëfilltë edukimi apo rehabilitimi i këtyne personave. Gjithashtu, ofrimi i mbrojtjes për viktimat që asht thelbësor për parandalimin e dhunës së matejme, rimëkambjen fizike, psikologjike dhe shoqnore të viktimave, trajnimin e të gjithë profesionistëve përkatës mbi zbulimin e dhunës, nevojat e të mbijetumve, parandalimin e riviktimizimit si dhe nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.