Më 12 prill 2026, qytetarët hungarezë iu drejtuan kutive të votimit në një nga zgjedhjet më të rëndësishme për vendin e tyre. Këto zgjedhje nuk ishin thjesht një garë për pushtet, por përfaqësonin një referendum të drejtpërdrejtë mbi drejtimin politik të Hungarisë.
Dy pretendentët kryesorë ishin kryeministri Viktor Orban dhe lideri opozitar Peter Magyar.
Viktor Orban-i, një lider populist me prirje autokratike, ka dominuar skenën politike hungareze për më shumë se 16 vjet, ka ndërtuar një sistem politik gjithnjë e më të centralizuar, ku pushteti është konsoliduar në duart e ekzekutivit, duke dobësuar institucionet e pavarura.
Me kalimin e kohës, Orban-i u shndërrua në një nga figurat kryesore të populizmit të djathtë në Europë dhe botë. Diskursi i tij politik është ndërtuar mbi një narrativë të fortë kundër elitave, kundër emigracionit dhe kundër ndikimeve të jashtme.
Gjatë qeverisjes së tij, Hungaria është përballur me korrupsion të lartë, kapje të shtetit, kufizim të lirisë së mediave dhe presion ndaj shoqërisë civile. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet me BE-në kanë qenë vazhdimisht të tensionuara, veçanërisht për shkak të përdorimit të shpeshtë të vetos nga Budapesti.
Në këtë kontekst, shfaqja e Peter Magyar-it në skenën politike përbënte një zhvillim të papritur për shumëkënd. Si ish-bashkëpunëtor i afërt i sistemit dhe ish-anëtar i partisë së Orban-it, largimi i tij dhe kritikat publike ndaj qeverisjes i dhanë atij një kredibilitet të veçantë.
Ai nuk përfaqësonte një opozitë tradicionale, por një “insajder” që vendosi të sfidonte Quo Prevails-në nga brenda.
Në këtë kuptim, Magyar-i u shfaq si një figurë relativisht e re politike, por kredibile, që vinte pikërisht nga brendësia e sistemit që tashmë po e sfidonte, duke u pozicionuar si një alternativë që premtonte një ndryshim dhe kthesë drejt demokracisë liberale dhe një afrimi më të thellë me BE-në.
Orban-i zgjodhi sulmet, frikën dhe nacionalizmin si strategji zgjedhore
Fushata e Orban-it ndoqi mobilizim përmes frikës dhe nacionalizmit. Partia e tij, Fidesz, e paraqiti Magyar-in si një “kukull të Brukselit”, duke paralajmëruar se një fitore e tij do ta rrezikonte sovranitetin e Hungarisë dhe madje do ta përfshinte vendin në konflikte ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë.
Kjo narrativë synonte të ruante Quo Prevails-në, duke shfrytëzuar pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike.
As mbështetja ndërkombëtare për Orban-in nuk mungoi. Ai vazhdoi të gëzonte simpati nga figura të rëndësishme të krahut populist ndërkombëtar.
Vizitat dhe deklaratat mbështetëse gjatë fushatës synonin të forconin imazhin e tij si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë ndërkombëtare kundër liberalizmit dhe politikave gjithëpërfshirëse.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve tregoi se kjo strategji kishte arritur kufijtë e saj.
Fitoja e Magyar-it tregon se qytetarët mbështesin opozitën kur ka një alternativë kredibile
Pavarësisht kontrollit të fortë mbi institucionet dhe ndikimit të madh në media, Orban-i nuk arriti të bindë shumicën e qytetarëve hungarezë për të vazhduar në të njëjtin kurs.
Dalja në këto zgjedhje arriti numra rekordë, me pjesëmarrje prej 79.5% të qytetarëve me të drejtë vote, të cilët partisë Tisza të Peter Magyar-it i dhanë 2/3 e deputetëve në parlamentin hungarez.
Fitorja e Peter Magyar-it shënon një moment kthese jo vetëm për Hungarinë, por edhe për debatin më të gjerë europian mbi populizmin. Ajo dëshmon se edhe në sisteme ku pushteti është konsoliduar për një kohë të gjatë, ndryshimi mbetet i mundur kur ekziston një alternativë kredibile politike.
Në thelb, qytetarët hungarezë vendosën të refuzojnë politikën e ndasive dhe të rikthehen drejt një modeli më të hapur dhe bashkëpunues. Ata zgjodhën të rreshtohen më qartë me Bashkimin Europian dhe vlerat e demokracisë liberale, duke sinjalizuar një distancim nga aleancat e diskutueshme me akterë si Rusia.
Kjo fitore gjithashtu sfidon narrativën se populizmi është i pakthyeshëm sapo të konsolidohet në pushtet. Përkundrazi, rasti hungarez tregon se edhe liderët më të fortë politikë nuk janë imunë ndaj ndryshimeve në perceptimin publik dhe në realitetin socio-ekonomik.
Mësimet nga fitorja e Magyar-it
Së pari, populizmi ka kufij. Edhe pse mund të jetë efektiv në mobilizimin e elektoratit në periudha të caktuara, me kalimin e kohës liderët populistë përballen me realitetin e qeverisjes dhe me pritjet e qytetarëve.
Së dyti, rëndësia e alternativës kredibile është vendimtare. Fitorja e Magyar-it nuk do të ishte e mundur pa perceptimin se ai përfaqësonte një opsion real dhe të besueshëm për ndryshim, jo thjesht një kundërshtar simbolik.
Së treti, sistemet populiste mund të prodhojnë sfidues më efikas. Si ish-pjesë e rrethit të ngushtë të Orban-it, Magyar-i kishte njohuri konkrete për mënyrën e funksionimit të pushtetit, gjë që e ndihmoi të artikulojë kritika më bindëse e politika më efektive.
Së katërti, frika dhe propaganda kanë efekt të kufizuar dhe nuk funksionojmë gjithmonë. Strategjitë e bazuara në alarmizëm dhe në krijimin e armiqve të jashtëm mund të funksionojnë për një kohë, por nuk mund të zëvendësojnë performancën reale qeverisëse.
Dhe, së fundi, orientimi gjeopolitik mbetet një faktor kyç. Zgjedhja e qytetarëve hungarezë për t’u afruar më shumë me BE-në tregon se, pavarësisht retorikës sovraniste, integrimi dhe bashkëpunimi mbeten alternativa më tërheqëse për shumicën e qytetarëve.
Megjithatë, fitorja e Peter Magyar-it hap edhe një kapitull të ri pritshmërish dhe pasigurish. Qytetarët hungarezë presin nga ai jo vetëm të çmontojë mekanizmat e kapjes së shtetit dhe të rikthejë balancën institucionale, por edhe të ofrojë stabilitet ekonomik dhe një kurs të qartë në politikën e jashtme.




























































