Raporti i Vendit për Kosovën, përgatitur nga Komisioni Europian, i njohur ndryshe edhe si Raporti i Progresit, paraqet disa argumente shqetësuese rreth mungesës së funksionimit të duhur dhe stabilitetit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), transmetuesit të vetëm publik në Kosovë.
Raporti gjithashtu rithekson degradimin e lirisë së mediave dhe retorikën armiqësore në të cilën operojnë gazetarët.
Për vite me radhë, puna dhe pavarësia e RTK-së janë minuar nga ndikimi politik. Bllokimi i Ligjit për RTK-në, që do të mundësonte ofrimin e një modeli të qëndrueshëm të financimit, ka thelluar edhe më tej krizën, duke e diskriminuar transmetuesin publik dhe duke ndikuar negativisht te qindra punëtorë, pagat e të cilëve mbesin në mëshirën e Qeverisë.
Varësia politike që e minon punën e RTK-së
Për vitin 2025, RTK-së i janë ndarë rreth 9 milionë euro. Megjithatë, këto mjete nuk janë të garantuara, ato transferohen vetëm pas pëlqimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Ligjit për Ndarjet Buxhetore, përkatësisht Neni 11, thotë si vijon:
as a “Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2025, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë RTK), i ndahen tetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,000 €), në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Para secilit gjashtë (6) mujor, RTK-ja do të dorëzojë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara. Në fund të çdo gjashtë (6) mujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra. Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.”
Ky model nuk ekziston në asnjë institucion tjetër që financohet nga Kuvendi. Buxhetet e institucioneve të tjera miratohen me ligj dhe ekzekutohen pa pengesa. Përjashtim bën vetëm RTK-ja.
Kjo gjë e vendos RTK-në në një pozitë të nënshtruar dhe të varur politikisht, duke e bërë institucionin e vetëm që nuk mund të planifikojë, të investojë afatgjatë, ose të garantojë stabilitet financiar për stafin e tij.
Për më shumë se pesë vjet, Ligji i ri për RTK-në ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së vullnetit politik, duke e lënë transmetuesin publik pa një formulë të qëndrueshme të financimit.
Rreth 700 punëtorë të RTK-së aktualisht janë në grevë të përgjithshme, duke shënuar katër javë pa paga, ndërsa situatë e ngjashme ishte përsëritur edhe në gusht 2025, kur mosalokimi i këstit të dytë të buxhetit e futi institucionin në krizë të thellë financiare. Në rastin e fundit, Qeveria u detyrua të ndërhynte me masa emergjente, përfshirë një hua prej 2.5 milionë euro, vetëm për të mbuluar shpenzimet minimale.
Mungesa e stabilitetit financiar për RTK-në
Prej vitesh, RTK-ja gjendet në krizë financiare për shkak të mungesës së një modeli të qëndrueshëm të financimit. Kjo gjë theksohet edhe nga Raporti i Vendit 2025 për Kosovën nga Komisioni Europian:
as a “Nuk pati përparim në gjetjen e një modeli financimi afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për transmetuesin publik RTK, i cili vazhdon të përballet me kufizime të konsiderueshme në buxhet.”
Por, paralajmërimet nga ky raport nuk janë një gjë e re, pasi kanë qenë të vazhdueshme. Raporti thekson se rishikimi i Ligjit për RTK-në, i nisur në vitin 2019, ka ngecur dhe nuk ka sjellë asnjë rezultat të prekshëm.
Projektligji i papërfunduar synonte një model të qëndrueshëm financimi, të ngjashëm me praktikat europiane. Kryeburimi do të ishte parapagimi, një tarifë publike e caktuar nga Kuvendi me propozimin e Bordit të RTK-së dhe fikse për tri vitet e para, duke garantuar stabilitet dhe pavarësi nga ndërhyrjet politike.
Shqetësime serioze për sulme ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarëve
Në raport thuhet se gazetarët punojnë në një ambient të pasigurt, nën presion politik dhe retorikë armiqësore, ndërsa institucionet që duhet të mbrojnë pavarësinë e tyre janë jofunksionale.
Ndërkohë, institucionet që duhet të mbrojnë pavarësinë e medias janë lënë të paralizuara. Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbetur pa kuorum që nga janari i vitit 2025, ndërsa Bordi i Ankesave është i bllokuar prej vitit 2023. Po ashtu, Kuvendi nuk ka arritur të emërojë bordet e RTK-së dhe KPM-së, duke e lënë sektorin mediatik pa mbikëqyrjen dhe funksionalitetin e nevojshëm.
Gjatë vitit 2025, janë raportuar 70 raste të kërcënimeve fizike dhe sulmeve verbale, si dhe pengesa të tjera ndaj gazetarëve, ndërsa edhe figura të larta politike kanë përdorur gjuhë fyese dhe diskredituese ndaj mediave, në mesin e tyre edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Zgjidhja është e thjeshtë, por mungon vullneti politik
Zgjidhja e problemit është e qartë dhe e realizueshme. Kuvendi duhet ta heqë në tërësi Nenin 11 të Ligjit për Ndarjet Buxhetore. Ky nen duhet të hiqet, në mënyrë që RTK-së t’i rikthehet autonomia financiare dhe institucionale.
Më pas, Kuvendi duhet të amandamentojë Ligjin për RTK-në, duke përcaktuar formulë të qartë të financimit, e cila garanton pavarësi editoriale, qëndrueshmëri afatgjate dhe harmonizim me standardet e BE-së.
Megjithatë, gjatë katër viteve në krye me kryeministrin Kurti, nuk ka pasur vullnet për një gjë të tillë. Në vend të depolitizimit të transmetuesit publik, Bordi i RTK-së në vitin 2023 emëroi drejtor të kanaleve shqip Rilind Gërvallën, donator dhe aktivist i zellshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e thelluar perceptimin për kapje politike të RTK-së.
Politizimi i RTK-së u hodh në pah nga skandali i korrikut 2024, kur RTK-ja publikoi një lajm nga një medium boshnjak, që akuzonte dy media kosovare se kontrollohen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke shkaktuar debat publik në Kosovë.
RTK-ja nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga politika dhe buxhetimi vjetor ad-hoc. Transmetuesi publik është aset i qytetarëve, jo i qeverive të caktuara. Çlirimi i tij nga varësia politike dhe sigurimi i një modeli të qëndrueshëm të financimit është detyrë urgjente dhe e domosdoshme për çdo qeveri dhe çdo legjislaturë që pretendon se respekton demokracinë, pavarësinë e mediave dhe interesin publik.
Si medium publik i varur nga politika, RTK-ja mbetet e brishtë, e paqëndrueshme dhe e paaftë të ushtrojë rolin e saj si media publike e pavarur.




























































