Ligjbërja feministe
Sipas raportit të fundit gjashtë mujor të Bankës Botërore për Gratë, Bizneset dhe Ligjin, Kosova është një nga 18 shtetet me sistem ligjor mos-diskriminues, që do të thotë garantim i barazisë gjinore në nivel legjislativ. Megjithëse ky raport e bën Kosovën, shtetin tonë të ri dhe në zhvillim, të duket mirë në sytë e të tjerëve, nuk e tregon situatën e vërtetë të gruas në biznes, ligj dhe në përgjithësi në shoqëri. Që nga paslufta, Kosova ka kaluar nëpër një proces të përpilimit dhe implementimit të ligjeve fuqimisht të ndikuara nga aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo ka rezultuar në një sistem ligjor që është më modern dhe egalitar sesa shumica e shteteve në botë.
Së pari, kushtetuta përmban një nen kundër diskriminimit dhe një nen për barazi. Neni 7 i Kushtetutës së Kosovës definon barazinë gjinore si “vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.” Për më shumë, neni 24 parashikon “vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë”, duke lejuar kështu kuotat gjinore në parlament. Kushtetuta gjithashtu garanton të drejtat e përfshira në Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Ndaj Grave (CEDAW).
Për të vendosur themelin e barazisë gjinore, Ligji aspirues për Barazi Gjinore definon barazinë gjinore si “ pjesëmarrje e barabartë e femrave dhe meshkujve në të gjithat fushat e jetës, pozitë të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjithat të drejtat e tyre dhe për të vënë në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë si dhe të kenë përfitim të barabartë nga të arriturat e këtij zhvillimi.” Ligji siguron përfaqësim të barabartë të të dyja gjinive në ekonomi, parti politike, shoqëri civile, punësim, edukim dhe media.
Për të siguruar përfaqësim të barabartë në vendim-marrje dhe politikë-bërje, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës and Ligji për Zgjedhje Lokalenë Kosovë garantojnë një kuotë prej 30% për pjesëmarrje të grave në parlament dhe asamble komunale.
Për të siguruar përfaqësim të barabartë në biznes dhe ekonomi, Ligji për Punënndalon diskriminimin në bazë gjinore në punësim duke siguruar që nuk ka kufizime ligjore në llojet e punëve që gratë mund të bëjnë. Gjithashtu ofron pushimin me pagesë dhe pa pagesë për të dy prindërit, të financuar nga qeveria dhe punëdhënësi, gjë që ende konsiderohet si luks edhe nga shtetet më të zhvilluara.
Për të siguruar të drejta për pronë ekzistojnë tri ligje të rëndësishme që mbrojnë të drejtat e grave ndaj pronës: Ligji për Barazi Gjinore, Ligji për Trashëgimi dhe Ligji i Familjes. Këto ligje, bashkë me Kushtetutën e Kosovës, në pajtim me të drejtat e garantuara nën CEDAW, ofrojnë barazi për burrat dhe gratë për të gëzuar të drejtat për pronë.
Për të siguruar një mjedis të sigurtë dhe pa dhunë, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje përkufizon dënime penale për dhunë familjare që përfshijnë dhunën fizike, seksuale, emocionale, ekonomike dhe mbron partnerët e martuar dhe të pamartuar. Gjithashtu, Ligji për Barazi Gjinore and Ligji kundër Diskriminimit përkufizojnë dënime penale për ngacmim seksual në punë.
Shumë fjalë e pak vepra
Sikur Banka Botërore, ne mund të bëjmë një listë me të gjitha ligjet që një shtet duhet t’i ketë që të sigurojë një shoqëri të barabartë dhe do të gjejmë se shumica e atyre ligjeve vecse janë pjesë e sistemit ligjor në Kosovë. Të themi të drejtën, një legjislacion i tillë është për t’u lakmuar edhe nga shtetet më të zhvilluara. Megjithëse një sistem ligjor i tillë mund të konsiderohet si një arritje për një shtet të ri me të ardhura të ulëta-të mesme si Kosova, kjo po lejon një mungesë të veprave konkrete që do të siguronin barazi të vërtetë gjinore. Një sistem ligjor relativisht i mirë në letër po fsheh sfidat e vërteta me të cilat ballafaqohen gratë e Kosovës.
Le të shikojmë pozitën e gruas në politikë. Përfaqësimi i grave në institucione vendimmarrëse ku kuotat nuk aplikohen është dukshëm i vogël. Nga nëntë gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, dy janë gra; nga 38 kryetarë komunash, vetëm një është grua; nga 21 ministra, vetëm dy janë gra; që nga paslufta kemi pasur gjashtë kryeministra, asnjë nga të cilët nuk ishin gra; dhe pas pesë presidentë, që nga 2011, Kosova ka më në fund një presidente.
Situata nuk është më e mirë as nga ana ekonomike. Shkalla e punësimit të grave është përafërsisht 18%, më e ulëta në Evropë, ndërkohë që 55% e burrave janë të punësuar. 38% e shërbyesëve civil janë gra, po ato kanë vetëm 9.5% të pozitave të larta vendimmarrëse dhe 23.2% të pozitave të tjera vendimmarrëse. Në komuna, gratë kanë vetëm 15.26% të pozitave vendimmarrëse. Për të njëjtën pozitë në Administratën Publike të Kosovës, gratë duhet të kenë më shumë edukim sesa burrat. Gratë janë ballafaquar me diskriminim në praktikat e punësimit dhe shkarkimit nga puna brenda administratës publike.
Prona është një nga kushtet themelore që siguron prosperitet dhe pavarësi financiare. Në Kosovë përqindja e pronave në pronësi të grave është vetëm 15%ndersa vetëm 8% e bizneseve janë në pronësi të grave . Çështja e trashëgimisë është bazuar në tradita dhe zakone. Sipas Kanunit, prona u trashëgohet fëmijëve pas vdekjes së bashkëshortit, në vend të gruas së tij. Tradicionalisht, vetëm fëmijët meshkuj përfitojnë nga trashëgimia familjare. Shtëpitë dhe tokat mbahen në emër të familjarit më të vjetër mashkull. Edhe pse ligji për përfitim të barabartë të pronës ekziston, një arsye pse gratë refuzojnë të drejtën e tyre për pronë, është që nga një perspektivë tradicionale, është turp për gratë të sjellin prona në martesën e tyre. Kjo do të thotë që burri i gruas nuk është i aftë të ofrojë për gruan e tij.
Mund të vazhdojmë të diskutojmë për pozitën e gruas në politikë e ekonomi duke siguruar statistika të mjaftueshme dhe duke filozofuar për shkaqe të ndryshme sociale e kulturore të kësaj pozite. Por kjo do të ishte banale kur vetë jeta e gruas në Kosovë nuk konsiderohet e vlefshme. Në tetor të 2015-ës, një grua u therr me thikë deri në vdekje nga burri i saj në një qytezë në Kosovë. Ai ishte arrestuar në vitin 2002 kur gruaja e tij shkoi në polici dhe raportoi dhunën në familje. 13 vite dhe 16 ankesa më vonë, ai vrau gruan e tij në sy të fëmijëve; ndërkohë që policia, të dyja familjet dhe i gjithë qyteti ishin në dijeni për dhunën sistematike që ajo përjetonte në duart e burrit të saj.
Rasti i saj nuk është i vetmi. Në 2011, një tjetër grua u qëllua për vdekje nga burri i saj në mes të ditës në njërën nga rrugët e kryeqytetit. Ajo kishte dorëzuar një peticion në Gjykatën Themelore duke kërkuar mbrojtje emergjente si pasojë e kërcënimeve nga burri i saj. Jo vetëm që nuk mori mbrojtjen që kërkoi, gjykata as që i’u përgjigj kërkesës së saj. Më vonë, Gjykata Kushtetuese vendosi që shteti i Kosovës kishte dështuar në mbrojtjen e të drejtës së saj për jetë dhe nuk kishte garantuar të drejtën për përdorimin e mjeteve ligjore. Rasti ende nuk është zgjidhur: vajza e tyre ende jeton me prindërit e babait të saj dhe prokuroria ende nuk e ka akuzuar penalisht burrin sepse ai nuk mund të gjindet askund.
Dhuna në familje është një cështje alarmante në Kosovë. Sipas një raporti dhe përgjigjeve të anketuarve, 46.4% e grave kanë përjetuar një lloj të dhunës në familje gjatë jetës së tyre, 11% e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe 3.5% e grave kanë përjetuar dhunë seksuale.Por, më shumë se gjysma e viktimave nuk kanë raportuar në polici. Qasja ndaj dhunës është një tjetër problem. Përqindja e grave që mendojnë se bashkëshorti i tyre ka të drejtë t’i godasë apo t’i rrahë nëse ato dalin pa i treguar atij, nëse i neglizhojnë fëmijët, grinden me bashkëshortin, refuzojnë seks, ose e djegin ushqimin, është 32.9%. Kjo shifër për burrat është 14.9%. Dhuna ndaj grave jo vetëm që ekziston, por është dicka normale dhe e arsyeshme.
A është me të vërtetë një botë e burrave?
Ekzistenca e ligjeve që garantojnë mos-diskriminim në bazë gjinore si duket po bën që ligjbërësit, gjykatat, prokurorët, policët, biznesmenët dhe gjithë shoqëria në Kosovë të mendojnë se pozita e gruas në shoqëri nuk është më një problem për të cilin duhet të brengosemi. Me rëndësi është të kemi një imazh të një shoqërie të përparuar, që vlerëson gratë dhe i respekton ato – tek e fundit, ne kemi një grua për Presidente, apo jo? Për sa kohë që ne kemi ligjet më të barabarta, moderne, evropiane, ne mund të vazhdojmë të jemi shoqëria patriarkale që feja dhe tradita na kanë mësuar të jemi – një shoqëri që nuk e do një grua në politikë e as si pjesëtare të fuqisë punëtore; nuk do që ajo të edukohet, të ketë pronë ose të fillojë një biznes. Mjafton t’i kemi ato ligje dhe mund të vazhdojmë si shoqëri që nuk e vlerëson jetën e gruas dhe nuk e respekton atë si një qenie njerëzore.
Dominimi i burrave në të gjitha nivelet e ligjbërjes, ligjvënies, bizneseve, edukimit dhe të gjitha fushave të rëndësishme të jetës publike në shtet vetëm se e ri-afirmon këtë pozitë të grave.
Është koha të ndalemi së kopjuari ligjet e shteteve tjera dhe të fokusohemi në implementimin e tyre. Është koha t’i edukojmë fëmijët tanë që barazia gjinore është një e drejtë dhe vlerë njerëzore, jo vetëm një kusht tjetër që duhet ta përmbushim për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Është koha t’u themi vajzave tona që është normale të pranosh pronë nga prindërit dhe ta përdorësh atë për pavarësi financiare. Është koha t’u themi vajzave tona që ato mund të jenë në biznes, ligj, politikë – aty ku gratë gjithmonë e kanë pasur vendin. Është koha t’i bindim vajzat tona që dhuna nuk arsyetohet asnjëherë, dhe se martesa nuk do të thotë nënshtrim ndaj burrit. Është koha t’i bindim policët dhe policet, prokurorët dhe prokuroret, gjykatësit dhe gjykatëset dhe punonjësit e komunave që kur një grua ankohet për dhunë në familje, duhet t’i besojmë dhe ta ndihmojmë atë. Është koha t’a mbrojmë jetën e grave po aq sa e mbrojmë jetën e burrave – jo sepse i kemi nëna, gra, apo vajza – por sepse janë qenie njerëzore.




























































