Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Viruset dhe eksperimentet sociale

Diktaturat kurrë nuk instalohen si shtypëse të popullit; ato gjithmonë shfaqen si shpëtimtare të popujve mbi të cilët sundojnë. Diktatorët kurrë nuk thonë se detyra e tyre është të shtypin popujt e tyre; ata gjithmonë paraqiten si mbrojtës të popullit. Në themel të çdo diktature është frika e brendëshme apo e inxhineruar nga një rrezik i dukshëm, i padukshëm apo imagjinar. Dhe po ashtu, diktaturat janë jashtëzakonisht mendjepjellore si në zbulimin apo krijimin e rrezikut që supozohet se i kërcënohet popullit ashtu edhe në mënyrat për ta mbrojtur atë. Diktaturat eksperimentojnë. Këtë e kam mësuar nga 25 vitet e mija të jetës në diktaturën socialiste shqiptare si edhe në leximet e mija të pafundme në këtë fushë―tek e fundit, kjo është mënyra me të cilën unë mbaj familjen time. Diktaturat janë eksperimentet të mëdha sociale, dhe diktaturat ideologjike shtojnë një përbërëse të qartë teorike në këtë eksperiment.

Ajo çka i lidh së bashku eksperimentet sociale është socializmi, ideja kriminale se liria dhe jeta e individid mund dhe duhet të sakrifikohet në altarin e interestit të përgjithshëm. Socializmi ka ngjyra dhe tone të ndryshme por rrugët e tij çojnë gjithmonë në të njejtin destinacion: një diktaturë që funksionon si eksperiment social. A është diktatura e vendosur një pjellë nga barku paradoksalisht shterpë i Partisë Socialiste Italiane të viteve 1920-ta në formën e fashizmit, apo e Partisë Nacional-Socialiste të Puntorëve Gjermanë të viteve 1930-a në formën e nazizmit, apo ka ajo formën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, apo e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të gjysmë së dytë të Shekullit të Njëzetë, diktaturat eksperimentuese sociale janë gjithmonë socialiste. Me politikat e “kthimit në identitet”, eksperimentuesit i mbijetojnë dështimit të eksperimentit të tyre social, por jo joshjes që ky eksperiment social ushtron mbi ta, siç e tregon rasti i Partisë Socialiste të Shqipërisë të fillimit të Shekullit të Njëzetenjëtë, apo qasja e ndrojtur por ngazëlluese që të vetëdeklaruarit social-demokratë (janë neomarksistë, në fakt) në Lëvizjen Vetëvendosje të sotme kanë treguar ndaj idesë së një eksperimenti social. Andaj që këtej e tutje unë do t’i referohem eksperimentet social si “eksperiment social(ist)”.

Si një person që kam shpenzuar 25 vjet të jetës time në eksperimentin social(ist) të Shqipërisë socialiste, nuk e pata të vështirë që qysh në fillim të karantinës të ndërtoja paralelet frikshmërisht të ngjashme mes këtij eksperimenti social(ist) më të fundit dhe atij të mëhershëm (apo çdo eksperimenti social(ist) që njerëzimi përjetoi gjatë Shekullit të Njëzetë). Me zgjidhjen në paragrafin e mësipërm të çështjes së vendndodhjes ideologjike të eksperimentit, fillon faza e përpunimit “teorik” të qëllimeve dhe objektivave të tij. Eksperimenti fillon me përvijimin e rrezikut, real apo imagjinar, i cili shoqërohet me një propagandë e fokusuar, shfrenuar dhe shpërpjestuar të të gjithë makinës propagandistike që qeveria ka në dispozicion, ku një rol të veçantë luajnë “ekspertët”, qofshin këta ideologë fjalamanë apo mjekë sharlatanë. Përvijimi i rrezikut kërkon një përkufizim të kujdesshëm ideologjiko-strategjik të përpunuar në zyrat e Institutit të Studimeve Marksist-Leniniste apo në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Si në të parën, ashtu edhe në të dytën, një tufë zyrtarësh të bindur e servilë dëgjojnë dhe aprovojnë persiatjet e çoroditura të një ish-mësuesi liceu me kohë të pjesshme apo një ish-piktori në lidhje me masat që duhen marrë për të luftuar, sipas rastit, virusin borgjez apo atë proteinik. Ashtu si edhe virusi proteinik (koronavirus e ka emrin kësaj rradhe), edhe virusi borgjez përhapet nga kontaktet mes njerëzve. Si shpëtim nga ky rrezik, qeveria që mendon për sigurinë e popullit, shfaqet si shpëtimtare, si mbrojtëse e popullit kundër virusit borgjez që na vjen nga jashtë (rreziku imperialist dhe socialimperialist kundër vendit tonë) dhe ngulet në kokat e njerëzve tanë të mirë, apo si virusi proteinik që po ashtu paska ardhur nga jashtë (nga po ato vende imperialiste dhe socialimperialiste si edhe virusi politik) dhe depërton në trupin e qytetarëve tanë të ndershëm.

Zakonisht, strategjitë e përcaktuara për “mbrojtjen e popullit” kanë dy përbërëse kryesore. E para përfshin gjithmonë dhunën retorike që paralajmëron mbërritjen e dhunës fizike: virusi duhet shfarosur dhe mbartësit e saj duhen mbyllur, sipas rastit, në burg apo në shtëpi. Zakonisht këtë detyrë e kryen “arma e dashur e Partisë”, Sigurimi i Shtetit, apo policitë e shumta në dispozicion të eksperimentuesit. E dyta përfshin punën bindëse, agjit-propin, bindjen e njerëzve ndaj të këqijave që sjell kontakti me njerëz të tjerë. Siç thekson kjo propagandë, ashtu si virusin proteinik, armiku nuk ta imponon virusin borgjez por të infekton me lajka e me dredhi, me përqafime e me shtrëngime duarsh, me kontakte e vizita, me krushqi e me tradita. Kësisoj, eksperimentuesit social(istë) të djeshëm apo të sotëme i shpallin luftë kontakteve dhe traditave, krushqive e vizitave.

Pasi përvijohen objektivat dhe detyrat, nis faza eksperimentale në terren. Qeveritë që drejtojnë eksperimentet të tilla social(iste) i urrejnë makinat dhe bëjnë çmos të pengojnë qarkullimin e tyre, por respektojnë heshturazi të drejtën e njerëzve për të ecur me bicikleta (parajsa ime). Eksperimentuesit e urrejnë trafikun; kur nuk kanë rrugë (si në Shqipërinë e djeshme) nuk ndërtojnë të reja dhe kur i kanë këto rrugë (si në Shqipërinë e sotme), i mbyllin ato. Trafiku sjell shkëmbim mendimesh, pakënaqësish, informacion të pakontrolluar dhe për rrjedhojë edhe rrezikun e mosbindjes civile. Eksperimentet social(iste) mund të kryhen vetëm në kushtet e mbylljes së kufinjve të vendit. Eksperimentuesve nuk u pëlqen as fjala e lirë dhe e censurojnë atë sa hërë kanë mundësi. Përgjithësisht, eksperimentuesit social(istë) kanë një afeksion të paparë për krahun e fortë të shtetit, polici të shumëllojshme si Sigurim i Shtetit, Policia Rrugore, Policia Bashkiake, Policia Ushtarake, Policia Ndërtimore, Policia Tatimore, etj. Me dekrete qeveritare apo nënkuptime të pafjala, zbatuesit e ligjit shpallen apo nënkuptohen të imunizuar nga virusi.

Eksperimentuesit social(istë) bazohen fuqimisht te propaganda. Ata përzgjedhin me kujdes rastet kur armiku i jashtëm (virusi borgjez) ia doli të infektojë Njeriun tonë të Ri Socialist apo koronavirusi “vrau” një grua shtatzanë. Rastet duhet të jenë sa më dramatike me qëllim që besueshmëria te eksperimentuesi social(ist) të rritet dhe kundërshtarët të diskretitohen. Çdo ngjarje tragjike dëshmon për vijën e drejtë ideologjike dhe politike të eksperimentuesit tonë social(ist) dhe rrezikun e madh që përbëjnë për shoqërinë tonë jo vetëm ata që ne e dijmë se janë të infektuar me virusin borgjez/proteinik, por edhe rastet e fshehura, të infektuarit asimptomatikë, armiku i klasës i cili e mbart fshehurazi virusin borgjez/proteinik dhe pret rastin të na godasë. Rreziku është ekumenik, askush nuk supozohet i imunizuar dhe askush nuk përjashtohet nga trajtimi, ndonëse, duke iu referuar të vetmit që mund t’i referohesh në raste të tilla, Xhorxh Oruellit, eksperimentuesit social(istë) janë më të barabartë se të tjerët. Për të mirën e popullit, eksperimentuesve dhe policëve të tyre u lejohet mos ta respektojnë karantinën.

Eksperimentuesve social(istë) nuk u pëlqen të japin informacione të hollësishme për kohën kur do shpëtohet prej rrezikut dhe vazhdimisht e përditësojnë duke shtyrë në kohë pritshmërinë nga eksperimenti. Për shembull, ekperimentuesit social(istë) të djeshëm na përshkruanin kurbën historike dhe vëndndodhjen e rrejshme të Shqipërisë socialiste në të, bazuar mbi parashikimet e pseudoshkencës marksiste dhe raporteve të rrema nga Komisioni i Planit të Shtetit. Socialistët e sotëm përshkruajnë kurbën pandemike të ndërtuar mbi të dhëna kryesisht të rrejshme dhe vendodhjen e vendit në këtë kurbë bazuar në raporte fiktive nga mjekë po aq inkompetentë sa edhe ish-antarët e Komisionit të Planit të Shtetit. Socialistët e djeshëm e justifikonin mosarritjen e objektivave politikë të eksperimentit me veprimtarinë e koordinuar të armikut të jashtëm dhe atij të brendshëm për të sabotuar eksperimentin, ndërsa socialistët e sotëm e justifikojnë me qytetarin e pabindur në koordinim me vazhdimin e depërtimit të virusit nga jashtë.

Eksperimentuesit social(istë) karakterizohen nga një ndjenjë e çuditshme madhështie dhe një perceptim i pashpegueshëm se e ardhmja e njerëzimit varet nga mbarëvajtja e eksperimentit të tyre. Ata përgjithësisht mendojnë se e gjithë bota po e vëzhgon me vëmendje eksperimentin e tyre social(ist) dhe se rezultatet “e papara” e kanë ngritur eksperimentin e tyre në nivelin e një fanari ndriçues në botë, pikë orientuese në detin e stuhishëm të konjukturave ndërkombëtare për gjithë marinarët trima në botë që duan ta luftojnë me sukses virusin borgjez. Në një humor më pak epik, eksperimentuesit e sotëm social(istë) nuk mendojnë hiç më pak për veten e tyre si shembull për gjithë botën për mënyrën e drejtë (dhe parimore) të zhvillimit të eksperimentit dhe mbi të gjitha, për rezultatet e tij shembullore, reale apo imagjinare. Madhështia i lejon eksperimentuesit luksin (dhe pushtetin) e amnistisë, qoftë ajo me lirim të parakohshëm nga burgu të të infektuarve me virusion borgjez apo me faljen e gjobave të atyre që nuk u treguan sa duhet vigjilentë kundër virusit proteinik. Shpesh ky është një sinjal se eksperimenti do shtrëngohet edhe më tej.

Zakonisht eksperimentet social(iste) çojnë në katastrofa ekonomike dhe humanitare, uri, papunësi, mjerim. Mbështetur mbi një kuptim të gabuar të natyrës, motivimeve dhe prioriteteve të njerëzve, eksperimentet social(iste) i vendosin njerëzit në kushte të panatyrshme, në të cilat ata nuk arrijnë të punojnë dhe prodhojnë siç do të donin të punonin e prodhonin. Për më tepër, kushtet e panatyrshme ndikojnë drejtpërsëdrejti në mënyrën se si njerëzit sillen dhe ndërveprojnë me njeri tjetrin. Zakonisht marrëdhëniet e reja të vendosura mes njerëzve karakterizohen nga një gamë e gjerë modelesh ndërveprimi që shtrihen nga dyshimi i ndërsjelltë e deri te armiqësia e hapur ndaj njeri tjetrit. Në një eksperiment të mëparshëm social(ist), njerëzit i rrinin larg atyre që ishin damkosur si mbartës të virusit borgjez, ndërsa në eksperimentin social(ist) të tanishëm njerëzit e i rrijnë larg njeri tjetrit nga frika e virusit proteinik. Nga frika e virusit politiko-proteinik, njerëzit harrojnë veprimin fisnik të dhënies së dorës njeri-tjetrit, atë prekje njerëzore që ndër shqiptarë ka simbolizuar faljen e gjakut edhe në kushtet më të dhimbshme. Përvoja tregon se marrëdhëniet jonjerëzore, antinjerëzore dhe çnjerëzore të krijuara gjatë eksperimentit social(ist) nuk zhduken menjëherë me ndërprerjen e këtij eksperimenti por kanë pasoja që shtrihen më pas në kohë dhe ndikojnë negativish në periudhën e “tranzicionit” drejt një shoqërie më humane. Eksperimentet social(iste) priret të sjellin pasoja të tmerrshme sociale të cilat i vuajnë edhe brezat e ardhshëm që nuk e kanë përjetuar eksperimentin social(ist). Një nga pasojat më të dukshme (dhe dramatike) qenka lehtësia me të cilën personi i cili ka përjetuar një eksperiment të mëparshëm bie viktimë e eksperimentit më të fundit. Të përjetuarit e një eksperimenti me sa duket nuk të imunizon nga virusi por të imunizoka nga kujtimet e eksperimentit të dështuar parardhës.

Eksperimentet nuk mbyllen kurrë nga eksperimentuesit social(istë). Këta të fundit janë të prirur të vazhdojnë në pafundësi me eksperimentin e tyre ose për shkak se zbulojnë një kënaqësi sadiste në procesin e eksperimentit të tyre, ose sepse nuk dijnë si të dalin, ose sepse kanë frikë të dalin, ose sepse i gjithë sistemi i tyre i besimit apo edhe jeta e tyre fizike dhe shpirtërore janë të lidhura me eksperimentin. Eksperimentet social(istë) shkërmoqen me zbulimin nga subjektet e nënshtruar se vetë eksperimenti social(ist) është armiku i vërtetë. Zakonisht është vonë dhe dalja e popujve nga eksperimenti nuk do të thotë se eksperimenti doli prej tyre. Ashtu si edhe viruset politike apo proteinike, eksperimenti nuk del kurrë më nga trupi i shoqërisë ku u ushtrua; ai vazhdon brenda ndërgjegjes së kësaj shoqërie për dekada që vijnë. Aty dikush mund të zbulojë se gjatë gjithë kësaj kohe, eksperimentuesit social(istë) e përdorën eksperimentin për të helmuar trupin e shoqërisë tonë me një virus misterioz, virusin socialist. Historia e deritanishme ka treguar se kundër virusit socialist nuk ka kurë apo vaksinë të përputhshme me normat e kohës ku po jetojmë. Kësisoj, le të përgatitemi të jetojmë me të deri në eksperimentin e rradhës.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.