Strategjia dhe Plani Kombëtar për Zhvillim 2030 e sheh arsimin e qasshëm dhe cilësor si qëllimin e katërt zhvillimor për Kosovën. Për arritjen e këtij qëllimi zhvillimor, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI) ka hartuar një strategji sektoriale: Strategjinë e Arsimit 2022-2026.
Nga viti 2021, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me MASHTI-n. Fokusi kryesor i partisë në pushtet ka qenë kryesisht arsimi i lartë publik pa pagesë dhe ndërtimi i çerdheve, ndërkaq nuk është shënuar ndonjë përmirësim i gjendjes së përgjithshme në arsim.
Përkundrazi, Kosova ka pësuar rënie në testin PISA 2022, krahasuar me rezultatet e vitit 2018. Përveç kësaj, çështje që ka ngjallur mjaft debat ka qenë subvencionimi i teksteve shkollore, proces që ka shkaktuar paqartësi e vonesa në fillimin e procesit mësimor.
Arsimi është sektor që duhet trajtuar me prioritet, sepse ndikon në të ardhmen e shoqërisë, prandaj programet e partive politike janë shumë të rëndësishme dhe duhet të shihen me sy kritik.
Këto janë programet zgjedhore për arsimin të tri partive kryesore në vend:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV): Program që nuk trajton thelbin e problemit
Edhe në programin e ri, LVV-ja i kushton rëndësi edukimit të hershëm, duke synuar rritjen e numrit të fëmijëve në edukimin e hershëm, nëpërmjet përfshirjes së tyre në çerdhe.
Për arsimin parauniversitar, përveç të tjerash, LVV-ja parasheh vazhdimin e programit të licensimit të mësimdhënësve, hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara, mësimin gjithëditor në gjithë vendin, digjitalizimin e shkollave, si dhe rishikimin dhe rivlerësimin e të gjitha teksteve shkollore, kurse për disa lëndë edhe përkthimin dhe digjitalizimin e materialeve shkollore.
Për arsimin universitar, LVV-ja planifikon mbështetjen e programeve të kërkimit shkencor të universiteteve publike, të cilat do të profilizohen, dhe buxhetimin bazuar në performancë. Gjithashtu, LVV-ja parasheh ndërtimin e një konvikti të ri dhe tri sallave të reja për Bibliotekën Universitare brenda Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
LVV-ja, edhe në programin e ri, e përmend si arritje lirimin nga pagesa për studime në universitete publike. Po ashtu, premton vazhdimin e programit të bursave, me të cilin mbështeten të gjithë studentët në nevojë, të cilët kryejnë studimet larg lokacionit ku jetojnë dhe zgjerimin e mbështetjes me bursa edhe për studentët në arsimin e lartë jopublik. Duhet përmendur se një nga vendimet e fundit të LVV-së, në prag të zgjedhjeve lokale, ka qenë ndarja e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për studentë.
Premtimet e LVV-së janë në linjë me Strategjinë dhe Planin Kombëtar për Zhvillim 2030, por shumica e këtyre premtimeve do të duhej të realizoheshin që në mandatin e parë. Fokusi kryesor i LVV-së do të duhej të ishte te rritja e përgjithshme e cilësisë në arsim, e jo te çështje më anësore, ta zëmë, si lirimi i studentëve nga pagesa për arsimin e lartë.
Përgjithësisht, programi i LVV-së për arsimin karakterizohet nga thjeshtësimi i problematikave në këtë sektor dhe mungesa e vizionit dhe guximit për të ndërmarrë vendime më përmbajtjesore dhe jopopuliste.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK): Qasje e përgjithshme për probleme konkrete
Për arsimin parafillor, në programin e ri, PDK-ja parasheh program kombëtar për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, me rritjen e numrit të fëmijëve në institucione parafillore dhe kapaciteteve të çerdheve, investime në infrastrukturë, resurse njerëzore dhe programe edukative, si dhe mbështetje financiare për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe jopublike.
Për arsimin parauniversitar, PDK-ja planifikon ndërtimin e shkollave të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese për mësim gjithëditor, shqyrtimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, rritjen e sigurisë në shkolla dhe ofrimin e shërbimeve profesionale.
Gjithashtu, PDK-ja parasheh avancimin e arsimit profesional, avancimin e kurrikulës, si dhe përfshirjen e materialeve mësimore digjitale në shkolla.
Për arsimin e lartë, PDK-ja parasheh rritje të financimit të universiteteve për infrastrukturë dhe performancë më të mirë, programe duale që ndërlidhin mësimin akademik me praktikën, krijimin e qendrave për kërkim dhe zhvillim, zhvillim të treguesve të qartë të performancës dhe për rritje të cilësisë dhe transparencës, ndërkombëtarizim të arsimit të lartë, fuqizim të qendrave të orientimit në karrierë në institucione të arsimit të lartë dhe fond të bursave për studime brenda dhe jashtë vendit, me prioritet degët deficitare.
Në përgjithësi, programi i PDK-së prek disa çështje të rëndësishme për sistemin e arsimit në vend, por qasja me të cilën adresohen këto probleme konkrete është mjaft e përgjithshme. Mungon një shpjegim i hollësishëm i zgjidhjes së këtyre problemeve dhe masave që duhet të ndërmerren. Edhe në rastin e PDK-së, vërehet mungesë guximi për vendime më përmbajtjesore.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): Program i cekët, por i detajuar
In the key programin e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK-ja planifikon implementimin e mësimit gjithëditor në tërë Kosovën, ndërtimin e 80 çerdheve të reja dhe rritjen e përfshirjes në edukimin e hershëm.
Për arsimin parauniversitar, LDK-ja premton digjitalizimin e shkollave dhe mësimdhënies, duke i pajisur me teknologji moderne, laboratorë digjitalë dhe internet të shpejtë, si dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve nëpërmjet programeve të detyrueshme të trajnimit dhe certifikimit. Gjithashtu, LDK-ja parasheh forcimin e arsimit profesional dhe dual bashkë me industrinë.
Për arsimin e lartë, LDK-ja synon krijimin e kushteve për hulumtim e partneritete ndërkombëtare, si dhe harmonizim të procesit të akreditimit me praktikat më të mira të BE-së. Kurse, si investimin më të rëndësishëm për cilësinë e mësimit në vend, LDK-ja e konsideron forcimin dhe reformimin e Fakultetit të Edukimit.
Ndonëse për disa masa LDK-ja ka ofruar një kosto buxhetore, në program nuk shpjegohen hollësi të tjera për analizën e gjendjes aktuale dhe mënyrës se si do të ndërmerren këto masa. Për shembull, nuk sqarohet se si do të ndodhë reformimi i Fakultetit të Edukimit, marrë parasysh autonominë institucionale që e ka një universitet publik. Shto këtu pyetjen që shtrohet pashmangshëm: a mjaftojnë vetëm nëntë masa të përgjithshme të planifikuara për katër vjet mandat për përmirësimin e gjendjes në arsim?
Çfarë do të duhej të përmbanin programet për arsimin nga partitë politike?
Për ta treguar vizionin e tyre të plotë për arsimin në katër vjetët e ardhshëm, anash premtimeve të stolisura bukur, premtimeve populiste e të paguximshme, partitë politike në vend nuk ofrojnë ndonjë program përmbajtjesor, i cili i ofron vendit një përmirësim të domsdoshëm të sektorit të arsimit.
Më konkretisht, partitë politike do të duhej t’i shqyrtonin këto gjashtë çështje përmbajtjesore dhe të tregonin me një analizë e plan të hollësishëm se si do t’i trajtojnë këto çështje:
1. Rivlerësimin dhe miratimin e teksteve të reja shkollore për nxënësit në nivelin parauniversitar;
2. Hartimin e një projekti nacional për testimin profesional e pedagogjik të mësimdhënësve të nivelit parauniversitar;
3. Përshtatjen e infrastrukturës për mësim gjithëditor dhe aktivitete përcjellëse ekstrakurrikulare;
4. Fuqizimin e arsimit profesional si mekanizëm për ndërlidhjen mes programeve të shkollimit dhe tregut të punës;
5. Rritjen e cilësisë në arsimin e lartë nëpërmjet uljes së numrit të studentëve në programe të mbipopulluara dhe rritjes së numrit të studentëve në programe inovative dhe profesionale;
6. Rritja e ciësisë së arsimit të lartë përmes forcimit të mekanizmave të akreditimit dhe profilizimit të skajshëm të universiteteve të tjera publike, të cilat duhet të ofrojnë vetëm programe të studimit që nuk ofrohen nga Universiteti i Prishtinës.
Nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të pajisen me tekste të reja mësimore, ngaqë tekstet me të cilat punojnë aktualisht janë vlerësuar me gabime dhe jodidaktike. Më tej, është e rëndësishme që mësimdhënësit të përditësohen vazhdimisht me metodat bashkëkohore të mësimdhënies.
Gjithashtu, duhet të sigurohet infrastruktura shkollore e përshtashme për mësimdhënie dhe mësimnxënie, ngaqë me tekste të vjetra, infrastrukturë të papërshtatshme, planprograme të mbingarkuara, numër të madh të nxënësve në një klasë, e kështu me radhë, – “ngritja e cilësisë së arsimit” mbetet vetëm një farsë dhe premtim elektoral.
Arsimi është sektor i ndjeshëm dhe i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e vendit, prandaj nuk duhet të jetë peng i kalkulimeve politike ditore, i blerjes së paqes sociale, por duhet të pasqyrojë vizionin e shoqërisë për një të ardhme më të mirë.
Në këtë frymë, do të ishte i mirëseardhur një reflektim më i thellë i partive politike lidhur sistemin arsimor në vend.




























































