Fact-check: ‘Sondazhi’ për VV-në pa asnjë provë të verifikueshme
Periudhën kur vendi po ballafaqohet me paqartësi institucionale si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit të ri, janë rikthyer spekulimet përmes përqindjeve të pretenduara se janë nxjerrë nga matjet e opinionit publik lidhur me mbështetjen e qytetarëve për partitë politike nëse shkohet në zgjedhje të reja.
Artikull i publikuar me datën 16 mars 2026 në platormën online and rrjete sociale me titull: “LAJMI I FUNDIT: Ky është rezultati i VV-së në sondazhin e fundit”, nuk specifikon burimin e sondazhit. Nuk përmendet asnjë kompani kërkimore, institucion akademik apo organizatë që e ka realizuar matjen. Në praktikat profesionale, çdo sondazh duhet të identifikojë qartë realizuesin për të vlerësuar besueshmërinë e tij. Organizata të njohura ndërkombëtare publikojnë gjithmonë metodologjinë dhe burimet e financimit.
Artikulli përmend “normalizimin e 87% të mostrës”, por nuk shpjegon sa është madhësia e mostrës, si janë përzgjedhur të anketuarit, kur është realizuar sondazhi dhe cila është margjina e gabimit. Artikulli pretendon se Vetëvendosje, që në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 kishte fituar mbi 51 për qind të votave, tani rezulton me rreth 39.5 për qind të mbështetjes së qytetarëve. “Kjo përqindje tregon se partia në pushtet vazhdon të ketë një bazë të konsiderueshme elektorale dhe të mbajë epërsinë ndaj subjekteve të tjera politike në vend”, shkruan në artikull. Por tutje nuk jepet përqindja e partive të tjera, element ky thelbësor kur bëhen anketa të tilla.
Sipas standardeve ndërkombëtare, këto janë elemente thelbësore për çdo publikim të sondazheve. Pa to, çdo përqindje e paraqitur është dezinformim përmes shifrave.
Nuk ka asnjë krahasim real me sondazhe të mëhershme. Pretendimi për “rënie të lehtë” nuk mbështetet me të dhëna konkrete, çka e bën analizën spekulative.
Artikulli përdor formulime të paqarta si “sipas analistëve”, pa cituar asnjë ekspert konkret. Kjo është një teknikë e zakonshme në përmbajtjet manipuluese për të krijuar përshtypjen e autoritetit por pa e mbështetur atë në burime reale.
Në fund, artikulli nuk përmban asnjë link, dokument apo referencë të verifikueshme, duke e bërë të pamundur kontrollin e informacionit nga lexuesi.
Përmbajtje manipulative
Artikuj manipulues me përqindje të subjekteve politike u publikuan edhe nga platforma e profile të tjera, përfshirë të tilla ku partisë në pushtet ia atribuuan gjoja mbështetje mbi 60 për qind.
Publikime të tilla krijojnë perceptime të paqëndrueshme për opinionin publik dhe mund të ndikojnë në debatin publik. Sondazhet e pabazuara mund të ndikojnë në fenomenin e njohur si “bandwagon effect”, ku votuesit priren të mbështesin atë që perceptohet si fitues.
Publikimet e tilla nuk janë të izoluara nga konteksti politik në Kosovë dhe periudha kur ato publikohen. Ato shfaqen në periudhën kur vendi përballet me paqartësi institucionale lidhur me funksionimin e Kuvendit përkatësisht mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pas dështimit të seancës së 5 marsit për zgjedhjen e presidentit/es, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, së cilës i skadon mandati pesëvjeçar në prill, nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Rasti u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë, më 7 mars. Gjykata Kushtetuese në vendimin e datës 9 mars vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit. Vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani lidhur me dekretin e 6 marsit si dhe ia ndalon çdo veprim edhe Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi deri më 31 mars.
Ndërhyrje potenciale në perceptimin publik
Në një klimë të ngarkuar politike, ku diskutimet për stabilitetin institucional dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja dominojnë hapësirën publike, publikimi i sondazheve pa burim të qartë nuk paraqet mungesë profesionalizmi, por një ndërhyrje potenciale në perceptimin publik, përmes manipulimit të shifrave.
Në mungesë të transparencës metodologjike dhe burimore, këto të dhëna nuk mund të konsiderohen reflektim i vërtetë i opinionit publik.
Zhvillimet reale politike, nga dinamika në Kuvend deri te roli i institucioneve kushtetuese, kërkojnë raportim të saktë dhe të bazuar në fakte. Përmbajtjet e pa verifikuara shtojnë rrezikun e keqinformimit dhe deformimit të debatit demokratik.




























































