Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking Articles

ICG-ja ndryshoi raportin ku implikonte KFOR-in në negociata për tërheqjen e grupit terrorist nga Banjska

Foto: Fshati Banjskë, Zveçan

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), në një raport të publikuar, ka shkruar se zyrtarët e KFOR-it kanë negociuar tërheqjen e grupit paramilitar serb nga Banjska, pretendim që u mohua nga KFOR-i.

Por, disa media ranë në grackën e kësaj organizate, duke transmetuar gjetjet e raportit, e cila më pas ndryshoi pjesën ku implikonte KFOR-in. Disa prej mediave publikuan artikuj me titullin: “KFOR-i negocioi tërheqjen e paramilitarëve nga Banjska”, çfarë thuhet në raportin e ICG-së për sulmin e 24 shtatorit?”. Ky pretendim u shpërnda nga portale si: Euronews.al, Shqip.com, Tvklan.al, Illyria.com, Reporteri.net, BotaSot.info, Balkanweb.com etj.

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draftraportin që e prezantoi më 25 maj, në kuadër të punimeve të sesionit pranveror të Asamblesë së NATO-s në Sofje, përfshiu edhe pjesë të raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Në pikën 51 të draft-raportit pretendohej se KFOR-i ka negociuar për tërheqjen e pjesëtarëve të grupit paramilitar serb në Banjskë, i cili la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Pas një periudhe të shkurtër shtensionimi gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me Policinë në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, rrethim që çoi në vrasjen e një zyrtari policor dhe tre sulmuesve. Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në malet përreth, ku më pas ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht në pyjet mes Banjksës dhe kufirit serb, më shumë se qindra luftëtarë ishin duke u fshehur. Gjithashtu, ata zbuluan një sasi të madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme, duke përfshirë raketahedhës antitankë, mortaja dhe granatahedhës, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, shkruante në draftin fillestar të raportit që u prezantua para Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Pas publikimit të këtij raporti, reagoi KFOR-i duke e quajtur të pasaktë pjesën ku thuhet se negociuan tërheqjen e grupit serb nga Banjska.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-tës, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thanë në KFOR.

Foto: Raporti ICG

Pas reagimit të KFOR-it, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ndryshoi dokumentin duke e larguar tërësisht pjesën ku thuhej se KFOR-i ka negoicuar për tërheqjen e grupit serb nga Banjska. Pas këtij ndryshimi, ICG ka shkruar se: “Grupi përfundimisht u tërhoq në pyjet përreth, duke lënë pas armët e tyre të rënda”, pa e përmendur KFOR-in.

Në fund të dokumentit, ICG-ja ka sqaruar se teksti është përditësuar më 30 maj 2024.

“Versioni origjinal i këtij raporti kishte cekur gabimisht se personeli i KFOR-it kishte negociuar për tërheqjen e grupit të serbëve të armatosur nga rrethimi në Banjskë”, thuhet në sqarim.

Foto: Raporti ICG

Situata të tilla nënvizojnë rëndësinë e verifikimit të informacionit nga mediat dhe kujdesin që duhet të tregojnë organizatat në përgatitjen dhe publikimin e raporteve.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup prej rreth 30 pjesëtarëve të uniformuar sulmuan pjesëtarët e Kosovo Police në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, me ç’rast mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër u plagos. Ndonëse qarkulluan dezinformata për numrin e sulmuesve të vrarë, kjo u demantua nga Policia e Kosovës. PK-ja konfirmoi se janë vrarë tre sulmues.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.