Çdo pesë vjet në Kosovë, Kuvendi i Kosovës has në vështirësi dhe komplikime serioze për të siguruar 2/3 e deputetëve për të zgjedhur presidentin. Kjo ndodh sepse partitë politike në Kosovë, si në pushtet, ashtu dhe në opozitë, e kanë të vështirë të dakordohen për një kandidat konsensual.
Dhe kështu po ndodh edhe tani në vitin 2026. Më 4 mars është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, por qytetarët e Kosovës nuk kanë qartësi se si do të zgjidhet kjo situatë.
Presidentja Vjosa Osmani, për të siguruar 30 nënshkrimet për nominim, varet nga Lëvizja Vetëvendosje, e kjo e fundit, për të siguruar praninë e 2/3 e deputetëve në dy raundet e para, varet nga LDK-ja apo PDK-ja.
Sipas Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, “zgjedhja e Presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”. Me fjalë të tjera, për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe së paku 61 vota për.
Kuorumi nënkupton deputetët e pranishëm fizikisht në seancë plenare, të cilët marrin pjesë në votim. Në Kosovë ndodh që një deputet është në sallë, por nuk merr pjesë në votim (pro, kundër, apo abstenim) dhe juridikisht nuk ka kuorum.
Rrjedhimisht, kuorumi parlamentar në Kosovë është bërë më i rëndësishëm sesa vota kundër në zgjedhjen e presidentit. Ndërsa pragu për votimin e presidentit është rritur de fakto në 80 vota, duke u dhënë mundësinë deputetëve të bojkotojnë votimin në mënyrë që të mos arrihet kuorumi i domosdoshëm.
Jo çdo demokraci parlamentare e interpreton kuorumin në këtë mënyrë, siç është interpretuar në Kosovë. Për shembull, në Gjermani, nuk ka kuorum minimal që duhet të plotësohet për zgjedhjen e presidentit.
Procedura e votimit në Bundestag-un gjerman është më e thjeshtë.
Në raundin e parë dhe të dytë, kandidatët e emëruar për t’u bërë president duhet të marrin mbi 50% të votave të deputetëve. Megjithatë, nëse kjo gjë nuk arrihet në dy rundet e para, atëherë në raundin e tretë (dhe të fundit), kandidati i cili ka një shumicë të thjeshtë parlamentare të deputetëve të pranishëm e fiton mandatin për president.
Pra, edhe nëse një kandidat nuk arrin 50% të mbështetjes në raundin e parë dhe të dytë, në raundin e fundit i nevojitet vetëm një votë më tepër se kandidati apo kandidatët e tjerë për t’u zgjedhur president.
Më e rëndësishmja, për këtë procedurë parlamentare në Gjermani nuk nevojitet ndonjë kuorum minimal që duhet të plotësohet.
Kjo metodë është më praktike dhe eliminon mundësitë për komplikime dhe kriza politike.
Në Kosovë, shpeshherë diskutohet edhe për zgjedhjen e presidentit me votë direkte nga populli. Por, kjo metodë është e panevojshme, pasi presidenti i Kosovës ka kompetenca ceremoniale, e në vendet ku presidenti nuk është ekzekutivi, zgjedhja e tij përmes demokracisë direkte nuk është e domosdoshme.
Prandaj, zgjidhja më adekuate për zgjedhjen e presidentit është amandamentimi i procedurave për zgjedhjen e presidentit. Më konkretisht, amandamentimi i Kushtetutës dhe ndryshimi i Rregullores për kuorumin parlamentar.




























































