Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Efektet e një ndryshim radikal në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara

Illustration by Big Eye.

Ndryshimi dramatik në drejtimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, i artikuluar në mënyrë eksplicite nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, në Samitin e Mbrojtjes në Bruksel, sinjalizon një shkëputje të qartë nga pozicionet e mëparshme të Uashingtonit lidhur me luftën në Ukrainë dhe politikat ndërkombëtare në pëgjithësi. 

Ky akt shënon një moment kritik në historinë politike të Europës si dhe transformim rrënjësor të gjeopolitikës, duke ripërcaktuar prioritetet strategjike të ShBA-së dhe duke sfiduar arkitekturën aktuale të sigurisë transatlantike.

Konstatimet se Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se rikthimi i territoreve të Ukrainës është një objektivë jorealiste, i shkon për shtati kërkesave ruse në Ukrainë. 

Rusia ka insistuar vazhdimisht që Ukraina të mbetet jashtë NATO-s dhe që territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë dhe katër rajonet e aneksuara, të njihen si pjesë e Federatës Ruse

Ky ndryshim tektonik në qasjen amerikane nuk është vetëm një manovër taktike, por një transformim strategjik që refleton një vlerësim të ri të interesave kombëtare amerikane. 

Për një kohë të gjatë, Uashingtoni ka operuar mbi premisën se Ukraina është një linjë e parë e mbrojtjes kundër ekspansionit rus, por administrate Trump mendon ndryshe. 

Tani administrata Trump po i rishikon mundësitë, kostot dhe përfitimet e këtij angazhimi. Në thelb, ky është një pranim i heshtur se lufta nuk mund të përfundoj sipas kushteve të Ukrainës dhe se një zgjidhje e negociuar kërkon lëshime të njëanshme nga Kievi. 

Presidenti Trump e sheh botën si një arenë ku shtetet veprojnë mbi bazën e interesave të tyre të ngushta kombëtare, duke i dhënë përparësi marrëveshjeve dypalëshe dhe qasjes transaksionale në politikën e jashtme. Ai mbështet një vizion realist, ku fuqia dhe aftësia për të imponuar vullnetin janë faktorët kryesorë që përcaktojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. 

Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i kësaj politike të re është distancimi i ShBA-së nga arkitektura e sigurisë evropiane. Hegseth e bëri të qartë se çdo garanci sigurie për Ukrainën do të jetë përgjegjësi e shteteve europiane, jo e ShBA-së. Ky është një transformim rrënjësor nga politika tradicionale e Uashingtonit, e cila ka qenë themelore në mbajtjen e një ekuilibri të fuqisë në kontinentin europian.

Për pasojë, Europa nuk ka më luksin të mbështetet tek Uashingtoni për mbrojtjen e stabilitetit kontinental. Ky mesazh u përforcua edhe nga Keith Kellogg, i dërguari i posacëm i Presidentit Trump për Ukrainën, i cili theksoi se Europa nuk do të ketë një rol në negociatat e paqes, duke fajësuar aktorët europianë për dështimin e formateve të mëparshme të negociatave, sic është ai i Minskut.  

Këto marrëveshje, të ndërmjetësuara nga Gjermania dhe Franca në 2014 dhe 2015, synonin ndalimin e luftimeve në Donbas dhe garantimin e autonomisë për rajonet separatiste, por u sabotuan nga mungesa e zbatimit të plotë dhe mosbesimi mes palëve.

Së këndejmi, administrata Trump në mënyrë të qartë po ndjek një qasje unilaterale, ku vendimet e mëdha për të ardhmen e Ukrainës do të merren mes Uashingtonit dhe Moskës, duke anashkaluar aktorët tjerë.

Për Ukrainën ky ndryshim përfaqëson një debakël të përmasave historike. Prej vitesh, Kievi ka kërkuar anëtarësimin në NATO si një mekanizëm mbrojtës kundër agresionit rus. Tani, Uashingtoni po ia mbyll kategorikisht këtë derë, duke e lënë Ukrainën në një pozitë strategjikisht të cenueshme dhe me një të ardhme të paqëndrueshme.

Paqja për Ukrainën në këto momente do të thotë nënshtrim ndaj Rusisë duke pranuar humbjet territoriale. Kjo jo vetëm që e dobëson pozicionin e Ukrainës në çdo negociatë, por edhe shkatërron moralin e ushtrisë së saj, e cila deri më tani ka luftuar mbi premisën e çlirimit dhe lirisë. 

Presidenti Zelensky ka said se nuk do të pranoj një marrëveshje që përjashton Ukrainën nga tavolina e negociatave. Por, në realitet, kjo mund të jetë një zgjedhje e imponuar nga realpolitika dhe jo një opsion i vullnetshëm.

Nga perspektiva ruse, ky zhvillim perceptohet si një triumf strategjik. Prej kohësh, Vladimir Putini ka synuar të negocioj drejtpërdrejt me ShBA-në, duke e anashkaluar Ukrainën dhe Europën. Kjo gjë tanimë po bëhet realitet.

Me Uashingtonin të gatshëm për të pranuar disa nga kërkesat kryesore të Kremlinit, Rusia po fiton atë që ka kërkuar prej kohësh: një Ukrainë të dobësuar, një NATO të përçarë dhe një Europë të paaftë për të vepruar e pavarur. 

Për më tepër, një tërheqje e mundshme e ShBA-së nga çështjet e sigurisë europiane i jep Moskës fleksibilitet më të madh për të rikonfiguruar sferën e saj të ndikimit, duke zgjeruar praninë e saj në ish-republikat sovjetike dhe duke forcuar kontrollin mbi zonat që i konsideron si pjesë të “Near Abroad” – koncept që përdoret shpesh në diskursin politik rus për t’iu referuar ish-republikave sovjetike që nuk janë më pjesë e Bashkimit Sovjetik, por që Moska i sheh ende si pjesë të sferës së saj të ndikimit.

Ky ndryshim radikal në politikën e jashtme amerikane nuk është thjesht një zhvendosje taktike, por një ripërcaktim i plotë i rolit të ShBA-së në çështjet globale.

ShBA po zvogëlon angazhimin e saj në Europë për t’u përqendruar tek rivali i tyre kryesor: Kina. Duke reduktuar angazhimin në Europë, administrata Trump po e riformëson politikën e jashtme amerikane nga një strategji e gjerë globale drejt një qasjeje më të kufizuar dhe transaksionale. 

Në këtë kontekst, europianët dhe ukrainasit duhet të përgatiten për një realitet të ri, ku mbështetja e ShBA-së nuk është më e garantuar. Prandaj, përpjeket për unitet më të madh brenda kontientit europian duhet të rriten dhe të shikohet përpara për një strategji më efektive dhe afatgjate, pa ShBA-të në ekuacion.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.