Presidenti Donald Trump e ka intensifikuar retorikën për marrjen e ishullit të Grenlandës. Ai në disa raste ka said se një veprim i tillë lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se kjo është një “domosdoshmëri strategjike”. Sipas tij, “nëse Grenlandën nuk e merr SHBA-ja, atëherë atë do ta pushtojë Kina ose Rusia.”
Kjo nuk është hera e parë që Trumpi e përmend mundësinë e marrjes së Grenlandës. Në mandatin e tij të parë (2017-2021), ai kishte theksuar mundësinë e blerjes së ishullit. Mirëpo, një ide e tillë ishte hedhur poshtë më arsyetimin se nuk është në shitje.
Mirëpo, presidenti Trump mund të ndërmarrë hapa konkretë për ta aneksuar Grenlandën brenda sovranitetit amerikan. Një konstatim i tillë mbështetet në interesat e strategjisë kombëtare të SHBA-së, fuqinë e saj ushtarake, si dhe në ambicien politike të presidentit Trump.
Arsyet strategjike e të sigurisë
Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me institucione vetëqeverisëse dhe kompetenca të gjera të brendshme, përfshirë edhe të ardhurat nga aktivitetet minerare.
Ishulli përbën një pikë kyçe gjeostrategjike në Arktik, në një kohë kur rivaliteti mes fuqive të mëdha, veçanërisht mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, po intensifikohet gjithnjë e më shumë.
Në veçanti, ngushtica e njohur detare GIUK, e cila përkufizon hapësirën detare mes Grenlandës dhe Islandës, si dhe mes Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, u jep qasje flotave detare, sidomos atyre që manovrojnë në rajonin e Arktikut, Grenlandës, Kandasë dhe SHBA-së.
Në një kohë kur po rriten shqetësimet për cenueshmërinë e infrastrukturës transatlantike, sidomos të kabllove nënujore të komunikimit dhe korridoreve të furnizimit, kontrolli operacional i Atlantikut Verior bëhet edhe më vendimtar.
SHBA-ja ka tashmë prani ushtarake domethënëse në ishull përmes bazës hapësinore Pituffik, e cila mbështet misione të paralajmërimit të hershëm, mbrojtjes raketore dhe vëzhgimit hapësinor.
Kjo prani nuk mbështetet vetëm në nevojat strategjike, por ka bazë edhe në traktatin për Mbrojtjen e Grenlandës, të arritur në mes të SHBA-së dhe Danimarkës në vitin 1951. Ky traktat i jep SHBA-së hapësirë të madhe në ndërtimin apo zgjerimin e bazave ushtarake në funksion të mbrojtjes së hapësirës së NATO-s, pa pasur nevojë të marrë territorin me forcë.
Megjithatë, Trumpi e ka shtyrë përpara logjikën e aneksimit, duke pretenduar se për nevojat strategjike të SHBA-së nuk mjafton prania vetëm ushtarake ekzistuese në ishull, porse Grenlanda duhet të përfshihet brenda sovranitetit amerikan.
Prandaj, insistimi për aneksim nuk shpjegohet vetëm me logjikë ushtarake, por edhe me synimin për kontroll politik të drejtpërdrejtë dhe për përfitim simbolik.
Ambicia për trashëgimi politike dhe historike
Aneksimi i Grenlandës do të paraqitej si fitore dhe zgjerim territorial, si ngjarje historike dhe si sukses që prodhon jehonë mediatike. Kjo lidhet natyrshëm me tonin e Strategjisë së Sigurisë Nacionale, ku theksohet roli i diplomacisë së personalizuar si motor i politikës së jashtme amerikane.
Në një qasje të tillë rëndësi nuk ka vetëm përmbajtja e politikës, por edhe spektakli që ajo prodhon. Vetë diskutimi i përditshëm mediatik për mundësinë e marrjes së Grenlandës i jep Trumpit mundësinë të projektojë forcë, të krijojë përshtypjen se po riformaton rregullat e lojës ndërkombëtare dhe se po i detyron të tjerët të veprojnë sipas interesave dhe vendimeve të tij.
Për Trumpin, ideja e zgjerimit territorial ka peshë të madhe për trashëgiminë e tij politike. Një marrëveshje tregtare mund të rinegociohet nga pasardhësi, një deklaratë politike mund të zbehet me kohën, një vendim politik mund të ndryshohet, por zgjerimi i territorit është ngjarje që mbetet në histori.
Pafuqia e Danimarkës dhe Europës
Europa ka reaguar ndaj këtij përshkallëzimi, duke rritur praninë e saj në ishull. Megjithatë, këto masa nuk e kanë frenuar Trumpin. Përkundrazi, ato janë trajtuar si pretekst për ta rritur presionin ekonomik, sidomos përmes kërcënimeve me tarifa.
Kërcënimi i Trumpit për të vendosur tarifa shtesë ndaj disa vendeve europiane, fillimisht me 10% dhe me sinjale për rritje deri në 25%, e ka kthyer çështjen në krizë të presionit ekonomik brenda vetë kampit perëndimor.
BE-ja shqyrtoi mundësinë e aktivizimit të instrumentit të BE-së kundër shtrëngimit ekonomik, të njohur si “Instrumenti Kundër Shtrëngimit” (Anti Coercion Instrument), një mekanizëm që lejon BE-në të vendosë kundërmasa kur një palë e jashtme ushtron presion ekonomik ndaj një shteti anëtar.
Në thelb, situata është tejet paradoksale. Udhëheqësi i vendit më të fuqishëm të NATO-s kërcënon aleatë të NATO-s me luftë tregtare dhe lë të hapur edhe mundësinë e përdorimit të forcës për të përvetësuar territor.
Në planin praktik, Europa ka pak hapësirë manovrimi për ta penguar SHBA-në nëse Uashingtoni vendos të shkojë deri në fund. Arsyeja e parë është raporti i fuqisë. SHBA-ja ka epërsi të qartë në kapacitete ushtarake. Në anën tjetër, vendet europiane mbeten të varura nga mbështetja ushtarake amerikane.
Kjo ia ngushton Europës hapësirën manovruese, sepse një përplasje me Uashingtonin mund të sjellë pasoja më të rënda sesa vetë kriza e Grenlandës, si zbehja e angazhimit amerikan në kontinent, ulja e mbështetjes ushtarake dhe rritja e pasigurisë në krahun lindor.
Nëse presioni politik dhe ekonomik i Trumpit për Grenlandën vazhdon, atëherë kriza nuk do të jetë vetëm për statusin e një territori, por për vetë raportet transatlantike. Në planin strategjik, Arktiku po bëhet hapësirë konkurrimi dhe Grenlanda ofron avantazhe reale operacionale.




























































