Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Gjeneratat e para të adoleshentëve që po rriten me Inteligjencë Artificiale: çfarë duhet të kemi parasysh?

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) po zgjerohet me shpejtësi, duke gjetur aplikim gjithnjë e më të madh te njerëzit dhe, në veçanti, te gjeneratat e reja. Inteligjenca Artificiale ofron mundësi të pafundme për arsimim, edukim dhe efikasitet, e megjithatë integrimi i saj më i thellë në jetën e përditshme kërkon kujdes më të shtuar.

Në veçanti, te grupmoshat e reja nevojitet një kujdes më i madh për t’u siguruar se përdorimi i kësaj teknologjie është i sigurt.

Sot, adoleshentët po i drejtohen çdoherë e më shumë Inteligjencës Artificiale për çështje të ndjeshme, si caktimi i diagnozave mjekësore, apo konsultimet për çështje komplekse psikologjike.

Por, përgjigjet e bazuara në algoritme nuk mund të jenë të aplikueshme për secilin individ dhe, për më tepër, diagnozat duhet të vendosen vetëm nga profesionistët shëndetësorë, përfshirë ata të shëndetit mendor. Normalisht, praktikat e mësipërme mund të kenë pasoja afatgjata për ta.

Në një botë ku teknologjia po bëhet pjesë e çdo vendimi që na rrethon, është e rëndësishme të kuptohet si funksionon ajo dhe çfarë ndikimi mund të ketë në zhvillimin e tyre.

Për më tepër, fëmijët dhe adoleshentët sot janë gjenerata e parë që po rriten me IA dhe ende nuk ka të dhëna të plota mbi efektet e mundshme negative, sidomos ato psikologjike, ndaj së cilave mund të jenë të ekspozuar.

Periudha e adoleshencës

Adoleshenca është një periudhë zhvillimi kur mosha nuk është domosdoshmërisht tregues kryesor për pjekurinë ose kompetencën psikologjike. Kjo do të thotë se ka raste kur dy adoleshentë të së njëjtës moshë ka pak gjasa të jenë në të njëjtin nivel pjekurie ose zhvillimi psikologjik.

Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet se ekzistojnë edhe dallime mes gjinive, veçanërisht në zhvillimin e trurit gjatë adoleshencës, i cili karakterizohet me ritme të ndryshme te vajzat dhe me ritme të ndryshme te djemtë.

Po ashtu, adoleshenca është një periudhë kritike për zhvillimin e trurit, kur individi përjeton ndryshime shumë më të mëdha zhvillimore, sesa në çdo periudhë tjetër jetësore, duke përjashtuar këtu periudhën e foshnjërisë.

Dallimet individuale, si: temperamenti, neurodiversiteti, ekspozimi ndaj stresit ose dhunës, izolimi social, përvojat traumatike, shëndeti mendor dhe statusi socio-ekonomik, mes të tjerash, mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si adoleshentët reagojnë ndaj përmbajtjes ose përvojave online.

Nevoja për informim të saktë

Informacioni i saktë mbi mirëqenien psikologjike është veçanërisht i rëndësishëm për adoleshentët, sepse ata janë në një fazë kritike të zhvillimit fizik dhe psikologjik.

Të dhënat tregojnë se adoleshentët shpesh kërkojnë informacion që lidhet me shëndetin dhe mirëqenien në internet. Keqinformimi ose informacioni jo i plotë mund të ndikojë në sjellje të dëmshme, diagnoza të gabuara dhe trajtim të vonuar ose të pasaktë, gjëra të cilat mund të kenë ndikime serioze në mirëqenien fizike dhe atë psikologjike.

Sistemet e Inteligjencës Artificiale, siç janë chatbot-et e dizajnuara për të ofruar mbështetje për shëndetin mendor, duhet të përfshijnë masa mbrojtëse, për të zbutur dëmin e mundshëm për adoleshentët.

Kjo është kritike për dy arsye:

Së pari, adoleshentët kanë më pak gjasa sesa të rriturit të vënë në dyshim saktësinë dhe qëllimin e informacionit të ofruar nga një chatbot në krahasim me një njeri. Për shembull, adoleshentët mund të kenë vështirësi të bëjnë dallimin midis empatisë së simuluar të një chatbot-i dhe empatisë së vërtetë njerëzore.

Së dyti, marrëdhëniet e adoleshentëve me programe të Inteligjencës Artificiale mund të zhvendosin ose të ndërhyjnë në zhvillimin e marrëdhënieve të shëndetshme në botën reale. Në këtë drejtim duhet bërë më shumë kërkime për përdorimin e Inteligjencës Artificiale nga adoleshentët me kalimin e kohës.

Ndërkohë që këto teknologji mund të ofrojnë mbështetje sociale, ato gjithashtu bartin rrezikun e krijimit të varësive të pashëndetshme, si dhe mund të turbullojnë vijat ndarëse midis ndërveprimit njerëzor dhe atij artificial.

Rekomandime nga Asociacioni Amerikan i Psikologjisë (APA)

Për t’i evituar pasojat e varësisë nga Inteligjenca Artificiale, si dhe në lidhje me informimin e gabuar për këshilla shëndetësore, Asociacioni Amerikan i Psikologjisë (APA) ofron tri rekomandime kryesore:

E para, zhvilluesit e aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale duhet t’u japin përparësi veçorive që parandalojnë shfrytëzimin, manipulimin dhe dëmtojnë marrëdhëniet në botën reale, duke përfshirë ato me prindërit, bashkëmoshatarët dhe kujdestarët.

Për shembull, mjetet e IA-së mund t’u kujtojnë adoleshentëve se po flasin me një robot dhe t’i drejtojnë të mbështetja njerëzore, sidomos kur shfaqin shenja rreziku, të tilla si vetëlëndimi.

E dyta, duhet të merret në konsideratë që sistemet e Inteligjencës Artificiale të dizajnuara për adoleshentët të mbrojnë shëndetin mendor dhe emocional të tyre, duke siguruar që teknologjitë e Inteligjencës Artificiale të jenë të sigurta dhe të dobishme.

Ky qëllim mund të përmbushet me një aplikacion të IA-së që mund të njohë shenjat e stresit apo shqetësimeve të tjera dhe t’i drejtojë adoleshentët drejt ndihmës së sigurt profesionale.

E fundit, edukatorët dhe prindërit duhet t’i mbështesin adoleshentët që të jenë në gjendje të ballafaqohen me rreziqe eventuale që mund të vijnë nga marrëdhëniet me entitete të Inteligjencës Artificiale.

Kjo mund të bëhet përmes programeve që u mësojnë atyre se jo çdo gjë që prodhon Inteligjenca Artificiale është e saktë dhe se disa robotë kanë qëllime të caktuara pas asaj që thonë.

Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së adoleshentëve kërkon veprime nga palë të shumta të shoqërisë, duke përfshirë prindërit, edukatorët, mjekët, politikëbërësit dhe profesionistët e industrisë së teknologjisë.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.