Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ka ardhur koha për terapi kombëtare për t’i riparuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Kuvendi i Shqipërisë i dominuar nga Partia Socialiste refuzoi të pranonte një mocioni për debat të propozuar nga Partia Demokratike për të diskutuar një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Srebrenicë.

Kokëfortësia e kryeministrit Edi Rama dhe partisë së tij për të mos pranuar asgjë që mban firmën e Sali Berishës, me pretekstin se ky i fundit është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli Shqipërinë një situatë të palakmueshme në të cilën u zhvlerësuan vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre.

Mirëpo, e gjithë kjo katrahurë politike u duk sikur kishte një prapavijë politike. Pak ditë para këtij refuzimi, kryeministri Rama u bëri thirrje popujve të Ballkanit Perëndimor ‘të harrojmë rrëmujën që i kemi krijuar njëri-tjetrit’, gjë që ngjalli reagim në Shqipëri e Kosovë.

Qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj Serbisë, e veçanërisht rritja e bashkëpunimit midis Serbisë e Shqipërisë nëpërmjet nismës Ballkani i Hapur (ish-Mini Shengeni), ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit si rezultat i rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe njerëzore midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe sidomos si pasojë e marrëdhënieve antagoniste të elitave politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo qasje antagoniste arriti kulmin me mosmarrëveshjet mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani. Përplasjet midis tyre janë thelluar si rezultat i mungesës së një politike të jashtme të bashkërenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe perceptimeve të ndryshme të interesave shtetërorë.

Ndërkohë që pavarësia e Kosovës vijon të konsolidohet duke u formuar në një bashkësi politike e ndarë nga Shqipëria, perceptimet e kësaj bashkësie për kërcënimet e sigurisë, nevojat ekonomike dhe identitetin kombëtar marrin një formë që jo domosdoshmërisht përputhet me ato të Shqipërisë.

Rrjedhimisht, dalëngadalë por në mënyrë të pashmangshme, të qenët shqiptar i mbivendoset identiteti kosovar de jure si identitet kombëtar – në kuptimin e një identiteti përfaqësues mes shteteve të tjera të botës.

Përpos angazhimit të mjaftueshëm politik të shqiptarëve të Shqipërisë për të mbrojtur dhe ushqyer të drejtat e shqiptarëve përtej kufijve të 1913-s, kontradikta identitare e shqiptarëve të Kosovës – mes identitetit të fortë etnik shqiptar dhe atij në rritje shtetëror (kombëtar) kosovar – bën që drejtimi i politikës së jashtme të Kosovës në raport me Shqipërinë të jetë i paqartë.

Qasja institucionale dhe shoqërore e Kosovës ndaj Shqipërisë është që Shqipëria ta mbështesë Kosovën posikur vëllai i madh mbështet më të voglin, në mënyrë që shoqëria dhe shteti kosovar të jenë më të pavarur dhe të lirë.

Përveç mbështetjes së pavarësisë së Kosovës në forume ndërkombëtare, kjo qasje nënkupton gjithashtu që shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të mbajnë një qëndrim kritik dhe herë-herë antagonist ndaj Serbisë dhe serbëve.

Sipas këtij këndvështrimi, marrëdhëniet politike, ekonomike dhe shoqërore midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk duhet të arrijnë në një nivel të tillë që të dëmtojnë Kosovën duke anashkaluar interesat e saj – si për shembull nëpërmjet nismës së Ballkanit të Hapur.

Për Kosovën sigurisht që do të ishte ideale nëse Shqipëria do të mbante të njëjtin pozicionin ndaj Serbisë. Ky qëndrim është krejt i përligjur për shkak të vuajtjeve historike të shqiptarëve nga serbët dhe çështjet ende të hapura midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse duhet të ketë më tepër solidaritet kombëtar në drejtim të qëndrimit që duhet të mbajnë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj Serbisë dhe serbëve për shkaqet e përmendura më sipër, fakti i hidhur është që ky solidaritet kombëtar mungon.

Mungesa e solidariteti vjen si pasojë e papjekurisë të klasës politike dhe shoqërisë civile të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo papjekuri bën që udhëheqësit politikë dhe shoqëritë të të dy vendeve të mos kuptojnë se interesat strategjikë janë ngushtësisht të ndërlidhura. Ndërkohë që udhëheqësit politikë shfaqin arrogancë ndaj njëri-tjetrit, ndasitë shoqërore thellohen më tej në vend.

Mungesa e bashkëpunimit të ngushtë Kosovë-Shqipëri minimizon mundësitë për rritjen e ndikimit të faktorit shqiptar në Ballkan dhe dobëson pozicionin strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës. Varësia e Kosovës ndaj fuqive të huaja do të rritet, ndërkohë që Serbia do të jetë në gjendje të ketë epërsi të pakundërshtueshme në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në të tilla kushte, si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, duhet të jenë të ndërgjegjshme që janë dy bashkësi të ndryshme politike. Por në vend që ky fakt të nxisë qëndrime antagoniste ndaj njëra-tjetrës, ato duhet të jenë më të matura për të kuptuar më qartë marrëdhënien e ndërvarur të të dyja palëve.

Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova kanë objektivisht më shumë interesa të përbashkët sesa të ndryshme prej njëra-tjetrës, historia e përbashkët veçse do t’i përbashkonte edhe më shumë ato. Mirëpo kjo marrëdhënie duhet të thuret nëpërmjet respektit të ndërsjellë dhe pjekurisë politike e shoqërore, në vend të arrogancës dhe pritshmërive të të mirave për hir të solidaritetit kombëtar.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.