Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Konkursi për Këshillin Ekonomiko-Social: Pse mund të kontestohet ligjërisht

Illustration by BigEye.

Këshilli Ekonomiko-Social (KES) është i pakonstituuar që nga prilli i vitit 2023, kur edhe i ka përfunduar mandati.

Funksionimi i KES-it rregullohet përmes ligjit dhe ka rëndësi të madhe për mirëqenien ekonomiko dhe sociale të vendit. Në veçanti, KES-i ka për synim zhvillimin e dialogut social për të punësuarit dhe punëdhënësit, si dhe realizimin e të drejtave të tyre ekonomike përmes marrëveshjeve dhe konsultimit me Qeverinë për çështje të interesit të përbashkët.

Megjithatë, prej gati tre vjetësh, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nuk ka ndërmarrë veprime për ta ndryshuar gjendjen.

Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës, ndonëse ka mandat kushtetues dhe ligjor për të mbikëqyrur punën e ekzekutivit, nuk e ka adresuar asnjëherë mosfunksionalizimin e KES-it.

Në legjislaturën VIII-të të Kuvendit (2021-2025) mungesa e debatit parlamentar rreth KES-it ka reflektuar mungesën serioze të vullnetit politik për ta trajtuar dialogun social si prioritet shtetëror, duke krijuar pasoja serioze ekonomike dhe sociale për punëtorët dhe punëdhënësit.

Shembull konkret i shkeljes së ligjit: përcaktimi i pagës minimale

Paga minimale në vitet 2023, 2024 dhe 2025 është përcaktuar pa funksionimin e mekanizmit ligjor që duhet ta udhëheqë këtë proces (KES-it) dhe pa konsultim me partnerët socialë, duke e zhvendosur vendimmarrjen nga dialogu social në vendime të njëanshme të Ministrisë.

Ligji përcakton qartë se paga minimale duhet të bazohet në analizë të kostos së jetesës, shkallës së papunësisë, gjendjes në tregun e punës dhe nivelit të produktivitetit e konkurrencës, si dhe të propozohet në kuadër të KES-it, ose të paktën pas informimit formal të tij.

Konkursi i vitit 2024: shkelje mbi shkelje

Në dhjetor të vitit 2024, MFPT-ja shpalli konkursin për përfaqësimin e organizatave të punëtorëve dhe punëdhënësve në KES.

Megjithatë, mënyra e shpalljes së konkursit ngre dilema serioze ligjore, pasi procesi është iniciuar nga një ministër që në të njëjtën kohë ushtronte edhe funksionin e deputetit, pa dhënë dorëheqje siç kërkon ligji. Një praktikë e tillë bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe është konfirmuar si e paligjshme edhe nga Gjykata Supreme, e cila ka shfuqizuar akte të MFPT-së të nxjerra nga persona që, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, nuk kishin më kompetenca ekzekutive. Për pasojë, edhe konkursi për KES-in mbetet i ekspozuar ndaj kontestimit dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e gjithë procesit.

Marrëveshjet kolektive, kriter i paarritshëm në praktikë

Një nga kushtet për përfaqësimin e sindikatave në Këshillin Ekonomiko-Social është që ato të kenë të lidhura marrëveshje kolektive me punëdhënësit. Ky kusht synon që në dialogun social të marrin pjesë organizata që realisht përfaqësojnë punëtorët dhe kanë kapacitet negociues.

Në praktikë, ky kusht, edhe pse ligjor, është problematik, pasi prej më shumë se pesë vjetësh Kosova nuk ka kontratë kolektive të përgjithshme, ndërsa kontratat sektoriale janë të pamundura ose janë tërhequr në mënyrë të njëanshme, si në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Si rezultat, kriteri i “marrëveshjeve kolektive” penalizon sindikatat për një situatë që nuk varet prej tyre, por nga mungesa e vullnetit të institucioneve.

Për shkak të mungesës së marrëveshjeve kolektive funksionale, kontestet e punës nuk janë zgjidhur përmes dialogut, por janë transferuar masivisht në gjykata. Rasti i pagave jubilare, shujtave dhe udhëtimit, tregon qartë dështimin e mbrojtjes kolektive. Mijëra padi kanë krijuar barrë të madhe financiare për shtetin dhe kanë dëshmuar se mungesa e dialogut social prodhon kosto më të larta sesa një sistem funksional i negociimit kolektiv.

Zgjidhja është e qartë, por kërkon vullnet politik

Zgjidhja e kësaj bllokade është e realizueshme. Qeveria duhet të ndjekë një proces të rregullt dhe ligjërisht të pastër për konstituimin e Këshillit Ekonomiko-Social, duke sqaruar kriteret e përfaqësimit dhe duke krijuar kushte reale për dialog social.

Pas zgjedhjeve të fundit, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese dhe pritet të formojë institucionet e reja, MFPT-ja duhet ta rishpallë konkursin përmes një ministri që e ushtron mandatin në përputhje të plotë me ligjin.

Në këtë situatë, konkursi i dhjetorit 2024 vetëm sa ka shtuar paqartësi dhe dyshime ligjore, duke e bërë edhe më të domosdoshëm një proces të ri, të drejtë dhe të besueshëm, për ta kthyer KES-in në mekanizëm funksional të dialogut social.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.