Mijëra punëtorë në sektorin publik në Kosovë sot trajtohen ndryshe, edhe nëse e kryejnë të njëjtin funksion me përgjegjësi të njëjta. Dallimin në trajtim e determinon koha kur janë punësuar, gjatë kohës kur kontrata kolektive ka qenë aktive apo pas saj.
Disa nga kontratat kolektive të realizuara në Kosovë janë Kontrata e Përgjithshme Kolektive (2004-2007 dhe 2014-2017) dhe kontratat sektoriale, siç janë ajo e Arsimit (2005-2022), e Shëndetësisë (2011-2022), e PTK-së (2015-2018) dhe në nivelin komunal (2019-2022).
Kontratat e fundit kolektive në Kosovë kanë qenë aktive deri në nëntor të vitit 2022. Personat të cilët janë punësuar pas kësaj date trajtohen ndryshe dhe rrjedhimisht nuk përfitojnë asnjë nga benefitet sikurse kolegët e tyre.
Të marrim shembull dy mësimdhënës të punësuar në të njëjtën shkollë, me të njëjtin orar dhe përgjegjësi. Njëri është punësuar në vitin 2021, në kohën kur Kontrata Kolektive për Arsim ka qenë në fuqi, dhe tjetri më 2025, në kohën kur Kontrata Kolektive nuk ka qenë në fuqi. Mësimdhënësi i punësuar më 2021 merr pagë jubilare, shujtë ditore dhe kompensim për udhëtim dhe benefite të tjera shtesë, ndërsa mësimdhënësi i punësuar më 2025 nuk përfiton asnjë nga këto benefite.
Dallimi i tillë në trajtim përbën diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut ndaj punëtorëve në sektorin publik. Kjo situatë e krijuar është pasojë direkte e mosvazhdimit të kontratave kolektive.
Shto këtu faktin se kjo gjë ka ndodhur gjatë qeverisjes Kurti 2 (2021-2025), e cila erdhi në pushtet me një platformë socio-ekonomike nga këndvështrimi i majtë social-demokratik. Kjo platformë politike nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u zhvillua asnjëherë, por mbeti në suaza të retorikës politike.
Kontrata Kolektive është një marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës sipas marrëveshjes së arritur. Përmes kontratës kolektive përcaktohen edhe benefite, si: shujtat ditore, pushimi vjetor shtesë, pagesa jubilare, kompensimi për udhëtim dhe siguria në punë.
Kontratat kolektive shërbejnë si mekanizma shtesë për të garantuar barazinë në punë dhe për të përmirësuar kushtet e punës përmes dialogut shoqëror mes sindikatave dhe Qeverisë.
Për më shumë se dy dekada, kontratat kolektive kanë garantuar të drejta shtesë për dhjetëra-mijëra punëtorë në Kosovë. Pas skadimit të këtyre marrëveshjeve, punëtorët të cilët janë punësuar gjatë kohës kur kontratat kolektive nuk kanë qenë në fuqi, nuk gëzojnë të njëjtat privilegjet e njëjta si kolegët e tyre.
Trajtimi i bazuar vetëm në kohën e punësimit është shembull klasik i diskriminimit të institucionalizuar. Kjo gjendje e krijuar nga mosvazhdimi i kontratave përbën shkelje të parimeve kushtetuese, ligjore and ndërkombëtare mbi barazinë dhe ndalimin e diskriminimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ashtu si Komisioni i Venecias, kanë theksuar se dallimi në trajtim ndërmjet personave që ndodhen në pozita të njëjta, përveç në rastet kur ka një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm për ta, përbën diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Kjo situatë e krijuar do të mund të ishte shmangur fare lehtë me nënshkrimin e kontratave të reja kolektive dhe me një planifikim të mirëfilltë, duke i buxhetuar ato në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për secilin vit.
Ligji i Punës përcakton që kontratat kolektive të zgjasin tre vjet dhe të rishikohen para skadimit, duke reflektuar ndryshimet ekonomike e sociale për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve.
Edhe pse Ligji i Punës dhe standardet ndërkombëtare e parashohin dialogun social si proces të vazhdueshëm, në Kosovë ai është ndërprerë. Kontrata e Përgjithshme Kolektive dhe kontratat sektoriale (p.sh., arsim dhe shëndetësi), që dikur ishin në fuqi, tashmë kanë skaduar të gjitha dhe nuk janë rinegociuar.
Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë janë tërhequr njëanshëm nga marrëveshjet me sindikatat përkatëse, duke mos ndërmarrë asnjë hap për të rifilluar procesin e negociatave.
Në tetor të vitit 2024, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) i ka dorëzuar formalisht Ministrisë së Arsimit një draft-kontratë të re. Megjithatë, që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për finalizimin e saj. Madje, nuk është krijuar as komiteti i nevojshëm për zhvillimin e negociatave.
Pas më shumë se dhjetë muajsh pritje, SBASHK-u ka paralajmëruar një protestë më 20 shtator në rast se kërkesa e tyre nuk merret parasysh.
Kosova ka nevojë urgjente për t’u rikthyer te parimet bazë të shtetit të mirëqenies sociale. Qeveria e ardhshme duhet të rifillojë menjëherë negociatat për kontratën e përgjithshme kolektive dhe ato sektoriale me sindikatat.
Çdo ditë që kalon pa miratimin e këtyre marrëveshjeve, është një ditë më shumë në favor të pabarazisë. Një shtet i cili lejon që të drejtat të varen nga rastësia e punësimit ose nga punësimi aktual, dështon të garantojë barazi dhe drejtësi sociale.




























































