Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Kosova përballë një realiteti të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare

Illustration by Big Eye.

Ardhja e Donald Trump-it në pushtet në SHBA, degradimi i raporteve SHBA-BE, rritja e së djathtës ekstreme në Europë, formimi i Komisionit të ri Europian dhe emërimi i diplomatit danez Peter Sorensen si i deleguari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, janë disa nga faktorët kyçë që po krijojnë sfida të reja për Kosovën. Prandaj, është e domosdoshme për Kosovën që të përgatitet sa më mirë përballë këtyre ndryshimeve ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi: kthim pas, apo një rrugë e re?

Me rikthimin e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, pritet një qasje më pragmatike dhe transaksionale në politikën e jashtme. Gjatë mandatit të tij të parë, diplomacia amerikane në Ballkan u udhëhoq nga Richard Grenell-i, i cili shërbeu si emisar presidencial. Ai arriti një marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë anashkaloi dimensionin politik dhe njohjen reciproke, si dhe bashkëpunimin me BE-në. 

Në këtë kontekst, Kosova duhet ta forcojë aleancën me ligjvënësit amerikanë që mbështesin pavarësinë e saj, si dhe të sigurohet që çdo qasje e re e Administratës Trump të mos përkthehet në lëshime të njëanshme për Serbinë.

Në anën tjetër, emërimi i Peter Sorensen-it si i deleguari i BE-së për dialogun vjen në një kohë kur BE-ja është e përçarë nga rritja e forcave të djathta. Këto forca përfshijnë elemente që avokojnë për raporte më të afërta me Rusinë dhe kundërshtojnë pavarësisë e Kosovës.

Si rezultat i kësaj, Kosova duhet të përgatitet për një BE që mund të jetë më pak e unifikuar në mbështetje dhe më kërkuese ndaj saj për kompromise në dialogun me Serbinë.

Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

Një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës mbetet sigurimi i njohjeve të reja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, gjë që ka stagnuar plotësisht gjatë mandatit të fundit të Qeverisë Kurti, pa asnjë njohje te re dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Pavarësisht bllokadës që Serbia ka tentuar ta vendosë vazhdimisht me ndihmën e aleatëve të saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Europës. Megjithatë, për të siguruar votat e nevojshme në Komitetin e Ministrave, duhet një angazhim më i madh diplomatik, veçanërisht me Francën dhe Gjermaninë, si dhe shtetet që ende janë të lëkundura. 

Kjo nënkupton se përmbushja e kushteve për anëtarësim në Këshillin e Europës duhet të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme. Duhet të punohet ngushtë me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, që të arrihet mbështetja e tyre e plotë pas dërgimit të Draftit të Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) në Gjykatën Kushtetuese. 

Megjithatë, rritja e forcave të së djathtës ekstreme në Europë mund ta komplikojë këtë proces. Shumë nga këto parti kanë një qasje skeptike ndaj zgjerimit të BE-së dhe institucioneve europiane. Për t’i kapërcyer këto sfida, Kosova duhet të angazhohet më shumë në mënyrë që të mos bëhet viktimë e dinamikave të brendshme politike të shteteve anëtare të BE-së.

Kosovës i nevojitet një strategji dhe thellim i raporteve bilaterale

Kosova duhet të ndërmarrë disa hapa strategjikë. Së pari, nevojitet një strategji më e qartë për të mbajtur mbështetjen amerikane dhe për të siguruar që ndryshimet në BE të mos ndikojnë negativisht në proceset e saj integruese. Në këtë drejtim, duhet të forcohet lobimi në SHBA dhe BE, në mënyrë që strategjia për përafrimin e raporteve të jetë më e suksesshme.

Së dyti, nevojitet përmirësimi i marrëdhënieve me shtetet e pavendosura. Kosova duhet të punojë aktivisht me vende si Greqia dhe Rumania, për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare. Kosova duhet të mësojë nga përvoja e saj me sigurimin e njohjes nga Kenia. Kjo tregon që kultivimi i marrëdhënieve me shtete individuale në rajone të ndryshme mund të forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ky rast dëshmon se një diplomaci vetjake e Kosovës është e mundur. 

Tutje, balancimi i politikës së jashtme është bërë një domosdoshmëri, sidomos pas ndasive të reja SHBA-Europë. Kosova nuk duhet të mbështetet më vetëm në një fuqi, por të ndjekë një diplomaci më fleksibile. Përballë divergjencave SHBA-BE, Kosova mund të diversifikojë aleatët e saj, të forcojë marrëdhëniet me vende si Britania e Madhe, Turqia, Japonia dhe vendet arabe.

Kosova duhet të jetë e kujdesshme në negociatat me Serbinë, duke u siguruar që çdo marrëveshje të ketë një balancë të drejtë mes palëve. Në fazën e re të dialogut, Kosova nuk duhet të lëvizë nga pozicioni fillestar i njohjes reciproke. Përderisa Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e veta, përfshirë hapa konkretë drejt themelimit të AKS-së, është e domosdoshme që ta nxjerrë më të mirën nga negociatat.

Ndryshimet e fundit në politikën ndërkombëtare paraqesin sfida të mëdha për Kosovën, por gjithashtu krijojnë hapësira për veprim diplomatik më të zgjuar. Kosova duhet të lëvizë me kujdes në dialogun me Serbinë, të forcojë partneritetet e saj strategjike dhe të përshpejtojë integrimin në organizatat ndërkombëtare. Një qasje e tillë do t’i mundësonte Kosovës që të mos jetë e varur nga një trajektore e vetme diplomatike dhe të ndërtojë një pozicion më të fuqishëm ndërkombëtar.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.