Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Le ta konsiderojmë vendosjen e çmimeve tavan

Ilustrimi: BigEye

Kryefjala e sfidave ekonomike sot është inflacioni, i cili duket se nuk do të jetë tranzitor, siç kishin menduar fillimisht disa ekonomistë, por një çështje me të cilën do të merremi së paku gjatë tërë këtij viti. Jo vetëm në Kosovë, por gjithandej. Krahas diskutimit rreth shkaktarëve të tij, nevojiten politika të qeverisë që do të frenonin hovin e ngritjes së çmimeve.

Politikat e qeverisë mund të jenë të ndryshme, por një që meriton më shumë vëmendje është vendosja e çmimeve tavan. Kjo do të nënkuptonte vendosjen e një kufiri të sipërm, në formën e çmimit maksimal, mbi të cilën nuk do të mund të ngriteshin çmimet. Një tavan i tillë natyrisht se nuk do të vendosej përgjithmonë dhe për të gjitha produktet, por përkohësisht dhe vetëm për ato që konsiderohen si produkte të shportës bazë të konsumatorit, e që janë esenciale për konsum ditor.

Mirëpo, a do të funksiononte diçka e tillë në Kosovë? Natyrisht, sfida kryesore do t’ishte mbikëqyrja e zbatueshmërisë së këtyre çmimeve në treg. Por ne e kemi tashmë një shembull të vendosjes së çmimeve tavan dhe mund ta analizojmë efektin që e ka patur deri tani.

Më 27 qershor të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) vendosi çmime tavan për naftën dhe benzinën. Paraprakisht ishte marrë vendimi që marzha e fitimit neto të tregtarëve të kufizohej në 12 centë për litër. Ky nuk dukej të ishte vendimi më i mençur pasi që vetëm në maj të këtij viti, marzha e fitimit bruto ishte mesatarisht 16 centë për litër. Kjo do të thotë se marzha e fitimit neto për litër lehtësisht mund të ishte 12 centë, me ç’rast vendimi për kufizimin e marzhës nuk do të kishte ndonjë efekt. Por, përkundër kësaj mase që mund të mos ketë patur ndonjë efekt, cili ka qenë efekti i vendosjes së çmimeve tavan deri tani?

Më 28 mars të këtij viti, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka filluar matjen ditore të çmimeve të disa produkteve të rëndësishmë të konsumit, ndër të cilat janë edhe nafta e benzina. Në këtë datë, 1 litër naftë shitej 1.58 euro, ndërsa 1 litër benzin shitej 1.48 euro. Më 27 qershor, kur MINT-i mori vendimin për vendosjen e çmimeve tavan, litri i naftës dhe i benzinës shitej 1.91 euro. Domethënë, për gati 3 muaj, çmimi i naftës u rrit për rreth 21% dhe i benzinës për rreth 29%.

Ndërsa me 11 korrik, litri i naftës shitej 1.75 euro, e i benzinës 1.69 euro. Pra, në vetëm dy javë zbatim të çmimeve tavan, çmimi i naftës ka rënë për rreth 8% e i benzinës për rreth 12%. Ky është një shembull konkret sesi çmimet tavan jo vetëm që e kanë ndalur hovin e rritjes së mëtejme të çmimeve, por në fakt i kanë ulur çmimet për këto dy produkte.

Një kritikë që i bëhet kësaj politike është rreziku i çrregullimeve që kufizimi i çmimeve mund të shkaktojë në sasinë e ofertës. Domethënë, nëse kufizohet çmimi, kufizohet fitimi, dhe pastaj incentiva është që të zvogëlohet edhe sasia e produkteve. Kjo nuk do të bëhej për rritje të çmimit, sepse këtë nuk do ta lejonte tavani, por ose për shkak se njëmend biznesi nuk do të kishte më  leverdi, ose për shkak të inskenimit artificial të një krize të mungesës së produkteve në treg. E dyta do të bëhej si presion ndaj qeverisë për ta larguar tavanin.

Ndonëse duhet pritur më gjatë për ta parë nëse kjo mund të ndodhë, deri tani nuk ka patur asnjë njoftim publik për ndonjë problem në tregun e derivateve. Kritikët e kësaj politike duket se harrojnë motivin kryesor të bizneseve – maksimizimin e fitimit. Përderisa kufizimi i çmimit përmes tavanit i kufizon vetëm fitimet e tepërta që nuk janë të pazakonta në këso kriza inflacionare, bizneset do të vazhdojnë të operojnë, sepse sërish do të kenë fitim – jo të tepërt, por brenda margjinave që do t’i gjenim në kohë kur nuk ka kriza të tilla.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.