Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Liria e medias në Kosovë: më keq sesa paraqitet nga Reporterët pa Kufij

Përgjatë dy dekadave të fundit, liria e medias në Kosovë ka qenë një ndër sektorët kryesorë që ka shënjuar përparim të madh. Megjithatë, raporti më i fundit nga Reporterët pa Kufij (Reporters Without Borders) ishte një shok i madh për shumëkënd dhe një alarm për shoqërinë kosovare.

According to raportit, Kosova pësoi një rënie të madhe për plot 19 vende. Reporterët pa Kufij (RpK) argumentuan se: “Liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, ngufatjet gjyqësore (kur gjykatësit apo qeveria urdhërojnë kufizim informatash apo komentim), qasje të pamjaftueshme në informata dhe rritje të sulmeve fizike ndaj gazetarëve.”

Tutje, në raportin e tyre, RpK e përshkruan situatën në Kosovë me një treg medial dinamik e plural, por me ndarje etnike. Kjo e fundit nuk përbën kritikë ndaj lirisë së medias, por identifikon procesin e etnifikimit të medias, të cilat raportojnë në shumicën e rasteve për komunitetin e tyre, duke i lënë anash komunitetet etnike joshumicë. Komunitetet joshumicë kanë lirinë e medias dhe veprojnë të lira, por vetëm në komunitetin e tyre, pa ndonjë ndikim në komunitetin shumicë dhe media agjenda-bërëse.

Një ndër çështjet kryesore që ka ndikuar në rënien e Kosovës 19 vende më poshtë në rankim është padyshim rasti me televizionin Klan Kosova. Tentimi për ta mbyllur Klan Kosovën, një ndër televizionet më të mëdha në Kosovë, duke u thirrur në një gabim teknik në regjistrim, kishte kundër shoqërinë civile dhe mediat në Kosovë, si dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në fushën e lirisë së mediave, si Article 19, Qendra Europiane për Lirinë e Mediave, Federata Europiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar i Gazetarëve, Transeuropa, Rrjetin SafeJournalists dhe Raportuesit pa Kufij, mes tjerash.

Në qershor 2023, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Kosovës, informoi përfaqësuesin e Klan Kosova se licenca e punës do të revokohej me arsyetimin për gabimin në adresën e pronarit të kompanisë Klan Kosova.

Ky vendim u kontestua në Gjykatën Komerciale, e cila vendosi kundër vendimit të MTI për të revokuar licencën e punës. Reagimet nga Qeveria e Kosovës ishin tejet brengosëse për komunitetin ndërkombëtar dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Sipas RpK, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila, përveç Klan Kosovës, ka kërcënuar gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK, me emërimin e drejtorit i cili është “aleat me partinë në pushtet”, sipas RpK-së.

Përveç këtyre ngacmimeve, media në Kosovë lëngon nga mungesa e fondeve dhe ndikimeve të grupeve politike dhe ekonomike. Ky ndikim, së bashku me ngacmimet që vijnë nga ana e qeverisë dhe deputetëve, kanë krijuar një retorikë që akuzon gazetarët padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”.

Këto vlerësime e kanë sjellë Kosovën nga pozita 56 në vitin 2023, në pozitën 75 këtë vit.

Por, situata në Kosovë është më keq sesa paraqitet. Nëse analizohet trajektorja e vlerësimit përgjatë dekadës së kaluar në numra, vërehet qartë një degradim i theksueshëm i lirisë së medias. Për shembull, Kosova kishte 68.38 pikë vitin e kaluar, ndërsa sivjet ka vetëm 60.09.

Gjithashtu, është edhe një informatë me rëndësi që duhet merret parasysh në këtë raport. Rankimi i lirisë se medias varet edhe nga një kalkulim global. Pra, sa më e keqe situata në botë, aq më lehtë për Kosovën të shënojë progres.

Në këtë kontekst, viti 2024 ka qenë një vit i brishtë për sigurinë globale, me shumë konfilikte, dhe Kosova shënon rënien rekorde në 60,9 pikë, edhe pse këto pikë e vendosin në vendin e njëjtë sikurse në vitin 2019, kur kishte dhjetë pikë më shumë.

Pra, për të analizuar se sa serioze është rënia e Kosovës në rankimin e RpK dhe vlerësimet e rreziqet për punën e gazetarëve në Kosovë, duhet parë grumbullimin e pikëve, që është rezultati më i keq në historinë e Kosovës në RpK.

Kosova ka pasur një përparim të jashtëzakonshëm nëse shihet në trendin e zhvillimit që nga viti 1999, vit ky që e gjeti Kosovën me një ekosistem medial inekzistent. Megjithatë, përgjatë dekadave në vijim, Kosova ka ngritur kapacitetet e medias në nivele profesionale.

Por, në dy vitet e fundit, janë shtuar sulmet ndaj gazetarëve, duke përfshirë sulmet në platforma digjitale, sulmet nga autoritetet dhe pushteti qeveritar, duke vështirësuar punën e përditshme për gazetarët, gjë që ka rezultuar më rënien drastike në rankimin e RpK-së për vitin 2024.

 

You May Also Like

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.