Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Nismat qytetare në Kosovë: të garantuara me Kushtetutë, të bllokuara nga Kuvendi

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Nismat qytetare, me mbi 10 mijë nënshkrime, janë procese legjitime demokratike që iniciohen nga qytetarët dhe kërkojnë trajtim, debat dhe vendim nga Kuvendi i Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 79, i vendos qytetarët në të njëjtin nivel me presidentin, Qeverinë dhe deputetët, për të iniciuar ligje. Megjithatë, kjo barazi ekziston vetëm në letër.

Kuvendi ka dështuar vazhdimisht që t’i trajtojë me dinjitet këto nisma. Nismat qytetare nuk trajtohen me prioritet, përfaqësuesit e tyre përjashtohen nga prezantimi në seancë plenare dhe kërkesat e tyre zvarriten nëpër procedura pa trajtim serioz.

Në të gjitha rastet e trajtuara, të shtjelluara në këtë shkrim, vërehet një sjellje e përsëritur e institucioneve ndaj nismave qytetare.

Rasti 1: Dështimi për ta lejuar nismëtarin për të prezantuar nismën legjislative në seancë plenare

Rasti i nismës legjislative të mbi 10 mijë qytetarëve për faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë COVID-19 e ilustron qartë këtë problem. Edhe pse nisma i kishte përmbushur të gjitha kriteret ligjore dhe ishte dorëzuar në Kuvend, ajo vazhdon të qëndrojë në sirtarët e Kuvendit që nga viti 2021, pa një vendimmarrje të plotë.

Problemi nuk ishte vetëm te vonesa. Përfaqësuesi i nismës kërkoi që ta prezantojë projektligjin në seancë plenare, një kërkesë legjitime dhe në përputhje me ligjin. Megjithatë, Kryesia e Kuvendit kërkoi nga përfaqësuesi i nismës që të autorizojë një deputet për të bërë prezantimin në seancë.

Ligji për Nisma Legjislative parasheh se Kryesia e Kuvendit mund të lejojë përfaqësuesin e nismës të prezantojë iniciativën në seancë plenare ose të propozojnë një deputet. Pra, e drejta e parë i takon nismëtarit dhe, tek më pas, me vullnetin e nismëtarëve, caktohet një deputet.

Praktika e ndjekur nga Kryesia, jo vetëm që e shtrembëron këtë dispozitë, por e redukton pjesëmarrjen qytetare në formalitet pa përmbajtje.

Rasti 2: Nga vendimi i dëmshëm, te korrigjimi i qasjes për Projektligjin për Parandalimin e Vetëvrasjes

Një tjetër shembull i kësaj qasjeje problematike është nisma për Projektligjin për Parandalimin e Vetëvrasjes në vitin 2024, e mbështetur nga 10,034 qytetarë dhe nga një koalicion organizatash. Nismëtarët kërkuan që projektligji të shkruhej nga vetë Kuvendi, përmes deputetëve dhe komisionit përkatës, bashkë me iniciuesit e nismës.

Megjithatë, Kryesia e Kuvendit (Legjislatura VIII) vendosi që këtë çështje ta dërgojë në seancë plenare, me propozimin që Qeveria ta hartojë projektligjin. Kjo u kundërshtua nga nismëtarët, të cilët kërkuan që përgjegjësia të mbetet te Kuvendi, sepse kur qytetarët i drejtohen Kuvendit për të hartuar një ligj, nuk ka kuptim që kjo përgjegjësi t’i delegohet Qeverisë.

Me insistimin e nismëtarëve të iniciativës, kjo çështje u rikthye nga kryetari i Kuvendit në Kryesi dhe u la që të trajtohet në Legjislaturën aktuale (X). Tashmë, Kuvendi ka formuar Komisionin Ad-Hoc për hartimin e këtij projektligji. Për herë të parë, kjo nismë do të shkruhet nga vetë Kuvendi, bashkë me iniciuesit dhe përmes komisionit përkatës.

Ky është një zhvillim pozitiv dhe një korrigjim i një qasjeje të gabuar të mëhershme. Megjithatë, u deshën reagime publike, insistim i vazhdueshëm, në mënyrë që Kuvendi të kthehej te zgjidhja që duhej ta kishte ndjekur që në fillim të procesit.

Rasti 3: Mendimi ligjor i dëmshëm për skemat pensionale

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, e mbështetur nga 18,144 qytetarë, synon që punëtorëve të larguar nga masat e dhunshme në vitet ‘90 t’u njihet edhe periudha e largimit si stazh pune, në mënyrë që të mos humbasin të drejtat e tyre pensionale. Kjo do t’u ndihmonte veçanërisht atyre që të plotësojnë kriterin prej 15 viteve kontributpaguese për të përfituar pension të plotë.

Në thelb, bëhet fjalë për një përpjekje për të korrigjuar një padrejtësi të gjatë ndaj punëtorëve që janë larguar dhunshëm nga puna dhe që për këtë arsye sot rrezikojnë të mbeten pa pension të plotë.

Qeveria dha mendim negativ, duke argumentuar se nevojitet një reformë e plotë e sistemit pensional dhe se kjo nismë nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme. Sipas Qeverisë, ndryshimet e pjesshme mund të krijojnë pabarazi mes qytetarëve dhe trajtime të ndryshme për kategori të caktuara. Për këtë arsye, ajo vlerëson se është më e arsyeshme të investohet në një reformë të përgjithshme të sistemit pensional.

Megjithatë, ky qëndrim është problematik. Për vite me radhë nuk është ndërmarrë asnjë reformë serioze e sistemit pensional. Në mungesë të një reforme konkrete, refuzimi i nismave qytetare me arsyetimin e reformës së ardhshme tingëllon vetëm si shmangie nga përgjegjësia.

Qeveria ka qenë prej vitesh në dijeni për trajtimin e pabarabartë të pensionistëve lidhur me njohjen e stazhit të punës para vitit 1999. Megjithatë, ndryshimet nuk u bënë me vullnetin e saj, por vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyroi Qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një ligj të ri për këtë çështje.

Edhe në këtë rast, pa presion qytetar ose ndërhyrje të gjykatave, vështirë se do të ketë ndryshim.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.