Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Paradoks kosovar: Papunësi e lartë dhe mungesë e punëtorëve

Ilustrimi: BigEye

Bazuar në të dhënat Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) rezulton se papunësia në vend është 25.8 për qind, mirëpo 100 mijë të papunë kosovarë nuk janë duke kërkuar punë, me gjithë rritjen e kërkesës për punëtorë nga kompanitë private.

Por si ka mundësi që shkalla e papunësisë të jetë e lartë në kohën kur bizneset përballen me mungesë punëtorësh?

Një shpjegim ndaj kësaj përgjigje jepet nga ekonomistët Gregory Mankiw dhe Mark Taylor. Sipas tyre, “i papunë konsiderohet çdokush që kërkon punë dhe nuk mund të gjejë punë”.

Ekzistojnë një mori arsyesh dhe faktorësh pse po ndodh një gjë e tillë. Një nga to ka të bëjë me kushtet e punës. Sindikatat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve ankohen për kushtet e vështira të punës, sidomos në sektorin privat.

Një arsye tjetër është paga e ulët. Sipas një hulumtimi të Institutit për Kërkime Ekonomike (INKE), 75.8 për qind e të anketuarve duan të punojnë në sektorin publik, një nga motivet e forta pse e duan publiken është përmendur edhe paga.

Nga të dhënat e ASK-së vërtetohet që punëtorët e sektorit privat paguhen më së paku. Bazuar në statistikat e vitit 2020, 342 euro është paga neto në sektorin privat, ndërkaq në sektorin publik rroga neto shkon në 552 euro.

Kampionë në rroga janë punëtorët e ndërmarrjeve publike, aty paga mesatare është 680 euro, gati edhe njëherë më e madhe sesa të ardhurat në sektorin privat.

Për periudhën 2012-2020, paga mesatare në sektorin privat është rritur vetëm 34 euro, ndërkaq në sektorin publik ngritja ishte 186 euro neto. Pagat në sektorin publik kanë lëvizur, ndërkaq në sektorin privat as paga minimale s’është rritur tash e 11 vjet.

Në hulumtimin e INKE-së, ku mbi 75 për qind e qytetarëve e preferonin sektorin publik para atij privat, si arsye kryesore i vendosën edhe benefitet e tjera jashtë pagës si pushimet javore, vjetore, etj.

Një faktor tjetër tejet i rëndësishëm është emigrimi në shtetet perëndimore, veçanërisht në Gjermani, ku paga mesatare është dhjetëfish më e lartë sesa në Kosovë.

Vetëm gjatë muajit dhjetor 2021, mbi 56 mijë qytetarë kërkuan viza pune në Ambasadën Gjermane.

Por, pos qytetarëve që kanë kritika për kushtet e punës dhe kompensimin, njashtu edhe bizneset ankohen që të diplomuarit janë të papërgatitur për tregun e punës.

According to another studimi të realizuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ekziston një mospërputhje ndërmjet aftësive të studentëve dhe kërkesave të tregut në Kosovë.

Për këtë, sot ofertat e punës kryesisht janë në sektorin e teknologjisë informative, marketing digjital e ndërmarrësi, pasi qëllimi është kyçja afariste në industritë që janë në trend global.

As tregu i Kosovës nuk e bën ballë dot globalizmin, kështu që pos pagës dhe divergjencave mes arsimit dhe tregut, problem janë edhe kushtet e punës në sektorin privat – sidomos mosrespektimi i Ligjit të Punës.

Mosrespektimi i Ligjit të Punës ndikon negativisht më së shumti te gratë. Sipas të dhënave të ASK-së, rreth 30 për qind e tyre s’kanë punë, ndërkaq punësimi i grave është 15.9%. Fuqia joaktive në Kosovë kalon mbi 60 për qind, gratë e përbëjnë 77.3 për qind të kësaj kategorie.

Me Ligin e Punës, gratë që punojnë në sektorin privat e gëzojnë të drejtën e pushimit, përfshirë edhe të lehonisë.

Por, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka treguar që shumë gra pasi të shkojnë në pushimin e lehonisë përjashtohen nga puna. Një pjesë e grave, ashtu si edhe e burrave, punojnë pa kontrata – kjo nënkupton që janë ilegalë në treg dhe nuk cilësohen të punësuar.

Por, te burrat paraqitet edhe papunësia sezonale – sektori i ndërtimtarisë mbulon 9.4 për qind të punësimit. Gjatë periudhës së dimrit një pjesë e konsiderueshme e këtij sektori është joaktive.

Sipërmarrësit Kosovarë duan punëtorë e këta të fundit duan paga e kushte më të mira. Rishtazi, odat ekonomike të vendit e kanë pranuar pa hezitim propozimin e Qeverisë që paga minimale të rritet në 250 euro.

Që ky ngërç të mbarojë, arsimi dhe tregu duhet të bashkëveprojnë. Gjithashtu, është e domosdoshme të respektohen dhe garantohen të drejtat e punëtorëve siç garantohen me Ligjin e Punës.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.