Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Pasojat e krizës politike në politikën e jashtme të Kosovës

Illustration by BigEye.

Për të 29-tën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin. Këto dështime të vazhdueshme po paralizojnë funksionimin e institucioneve shtetërore dhe po e çojnë vendin drejt një krize të re kushtetuese. 

Për më tepër, kjo situatë e krijuar po e dëmton Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare. Në këtë periudhë të ndryshimeve rrënjësore gjeopolitike, mungesa e funksionimit të institucioneve e zvogëlon ndjeshëm përfaqësimin diplomatik të vendit, i cili veçse është mjaft i kufizuar në rrethanat aktuale.

Pamundësia për të marrë vendime

Mosfunksionimi i Kuvendit dhe mungesa e një qeverie të re kanë paralizuar mekanizmin institucional për të marrë vendime strategjike në politikën e jashtme.

Në një shtet me sistem parlamentar si Kosova, Kuvendi përfaqëson institucionin themelor të demokracisë, me rol të pazëvendësueshëm në legjitimimin e veprimeve të qeverisë dhe në mbikëqyrjen e saj. Në këto rrethana, pa një kuvend funksional, pushteti ekzekutiv mbetet i pambikëqyrur, rrjedhimisht jashtë kornizave të kontrollit demokratik.

Kjo situatë mund të krijojë vakum në aftësinë e shtetit për të ndjekur prioritetet afatgjata në politikën e jashtme dhe për t’iu përgjigjur me kohë dhe në përputhje me interesat kombëtarë zhvillimeve ndërkombëtare.

Së këndejmi, pamundësia për të marrë vendime nuk përbën vetëm pengesë administrative, por ndikon drejtpërdrejt në nxjerrjen e Kosovës jashtë ritmit të proceseve bilaterale e multilaterale, duke cenuar pozitën e saj ndërkombëtare, e cila edhe ashtu është mjaft fragjile.

Mospërfaqësimi shtetëror në nivel qeverie

Në mungesë të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re, Kosova nuk ka përfaqësim të rregullt në nivel qeverie në shumë takime rajonale dhe ndërkombëtare. 

Në shumicën e rasteve është vetëm institucioni i Presidencës që po përfaqëson Kosovën në institucionet ndërkombëtare, siç ishte rasti i presidentes Vjosa Osmani në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë më 16 maj. 

Gjithashtu, kjo gjë u vërejt veçanërisht gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili u takua vetëm me presidenten Osmani.

Edhe pse Kushtetuta i garanton presidentit kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme, roli i qeverisë në propozimin dhe implementimin e politikës së jashtme është i pazëvendësueshëm.

Mungesa e koordinimit institucional

Në mungesë të institucioneve, reagimet ndaj zhvillimeve ndërkombëtare janë të vonuara, jo të sinkronizuara dhe shpesh mungojnë fare, duke e dëmtuar kështu imazhin e Kosovës si një akter serioz dhe të besueshëm.

Shembull konkret është përplasja publike mes Presidencës dhe anëtarëve të Qeverisë lidhur me çështjen e tarifës doganore ndaj produkteve amerikane. 

Në prill të këtij viti, Shtetet e Bashkuara i vendosën Kosovës, së bashku me shumë vende të tjera të botës, tarifën prej 10%. Menjëherë pas vendosjes së kësaj tarife nga Administrata Trump, presidentja Vjosa Osmani i dërgoi kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat që Kosova u kishte vendosur mallrave që importohen nga SHBA-ja. 

Vetëm tre minuta pasi presidentja Osmani i dorëzoi zyrtarisht kërkesën Qeverisë, ajo u publikua në rrjetin social “X”, e shoqëruar me një reagim kritik dhe të menjëhershëm nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai akuzoi presidenten se nuk ka komunikuar në mënyrë të drejtë për heqjen e tarifës ndaj SHBA-së, meqë, sipas tij, veçse kanë qenë në diskutime qeveritare për pezullimin e kësaj tarife.

Një retorikë e tillë dëshmon për mungesën e qasjes strategjike dhe kolegjiale në formulimin dhe trajtimin e çështjeve me rëndësi të lartë në politikën e jashtme. Në vend që kjo çështje të adresohej përmes komunikimit zyrtar dhe kanaleve të brendshme shtetërore, qëndrimet janë bërë publike përmes rrjeteve sociale, duke ekspozuar përçarjen ndërmjet akterëve udhëheqës për një çështje shumë serioze. 

Rreziku për humbje të fondeve multimilionëshe

Pa një kuvend të konstituuar dhe një qeveri funksionale, Kosova është e paaftë të miratojë marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikojë fonde dhe të zhvillojë një diplomaci aktive dhe efektive. 

Mungesa e institucioneve funksionale e bën të pamundur ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së, duke rrezikuar kështu humbjen e 883 milionë eurove. 

Shto këtu faktin se Kosova aktualisht gjendet nën masa ndëshkuese/sanksione të BE-së që nga qershori 2024 për shkak të tensioneve në veri të vendit, andaj mungesa e institucioneve funksionale pengon vendimet e nevojshme për zhbllokimin e këtij procesi. 

Në këtë kontekst, sipas një analize të publikuar nga Instituti GAP, vlerësohet se, si pasojë e masave të vendosura nga Bashkimi Europian, Kosova i ka humbur tërësisht 7.1 milionë euro. Gjetjet e këtij instituti vënë në pah se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar vendit rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara, ose të shtyra për një afat të pacaktuar.

Situata e krijuar si rezultat i krizës politike dhe bllokadës institucionale prodhon pasoja të drejtpërdrejta në pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në një kohë kur bota po përballet me transformime gjeopolitike, Kosova ndodhet në një pozitë të brishtë diplomatike, të izoluar dhe të paralizuar institucionalisht. Mospjesëmarrja e rregullt e Qeverisë në forumet e rëndësishme ndërkombëtare, dështimi për të përfituar nga instrumentet financiare të BE-së dhe përplasjet publike mes institucioneve për çështje strategjike, janë dëshmi se mungesa e stabilitetit politik po ndikon negativisht në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.