Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Projektligji për “Çmimet Tavan”, me paqartësi ligjore dhe dilema praktike

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, i njohur si “Ligji për Çmimet Tavan.”

Ky ligj parasheh kufizimin e çmimeve për produktet themelore, si: drithërat, buka, mielli, orizi, vajrat ushqimorë, vezët dhe produktet e higjienës personale, me qëllim parandalimin e rritjes së pakontrolluar të çmimeve në kohë krize.

Kjo është përpjekja e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje që ta zbatojë një ligj të tillë. Fillimisht, më 27 tetor 2022, Ligji ishte iniciuar dhe votuar në Kuvend, por nuk i kishte kaluar filtrat e Gjykatës Kushtetuese.

Në vend që Qeveria e Kosovës të fillonte hartimin e një projektligji të ri në harmonizim me vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria Kurti nuk pati ndërmarrë asnjë hap dhe kishte vendosur ta fajësonte opozitën.

Në të njëjtën kohë, situata ekonomike në Kosovë është rënduar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin mars 2026 inflacioni ka arritur në 6.7% krahasuar me marsin e vitit 2025.

Çmimi i bukës dhe drithërave ka shënuar rritje prej 4.1%, prodhimet ushqimore rritje prej 6.8%, frutat 13.1% dhe mishi 12.4%.

 

Krahas kësaj, që nga viti 2021, çmimi i energjisë elektrike është rritur tri herë, 17% në vitin 2022, 15% në vitin 2023 dhe 16% në vitin 2025.

Ndonëse narracioni i pushtetit ishte që Gjykata Kushtetuese ka refuzuar “Ligjin për Çmimet Tavan”, në realitet, Aktgjykimi i Gjykatës tregon se Kosova mund të zbatojë çmime tavan për produkte themelore, me kusht që bordi të jetë i pavarur dhe profesional, pra të mos kontrollohet nga pushteti.

Për ta përmbushur këtë vërejtje të Gjykatës Kushtetuese, të paktën në aspektin formal, pushteti në versionin e ri të Projektligjit për Çmimet Tavan ka paraparë kalimin nga një komision i emëruar nga ministri/ja e Tregtisë, në një bord që zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.

Por, ky bord votohet me shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, të cilën e zotëron Grupi Parlamentar i LVV-së.

Po ashtu, një dobësi në versionin e ri të Projektligjit lidhet me mospërputhjen ndërmjet detyrimit për rishikim mujor të masave dhe ritmit të funksionimit të bordit.

Për shembull, Neni 9 parasheh që masat e përkohshme të rishikohen çdo muaj në bazë të analizës së tregut, teksa Neni 1.8 përcakton se bordi mblidhet rregullisht vetëm një herë në tre muaj, duke mos e obliguar kështu mbledhjen e bordit çdo muaj.

Kjo krijon një hendek ndërmjet obligimit ligjor dhe mekanizmit institucional për ta realizuar atë, duke lënë të paqartë se si garantohet në praktikë rishikimi mujor.

Por, edhe rishikimi një herë në muaj është i rrallë, sepse dinamikat e tregut të ndikuara nga globalizimi ndryshojnë në baza javore, e shpeshherë në baza ditore.

Kjo mund të ndikojë në ulje të importit si pasojë e mosmbulimit të kostove nga importuesit. Për këtë, Oda Ekonomike alarmoi se mund të ketë mungesë produktesh në treg, apo produkte me cilësi të ulët.

Një tjetër problem i ngritur nga Oda Ekonomike dhe opozita është edhe mosqartësimi i nocioneve si “përkohshëm” and “destabilizim i tregut”, gjë që mund të interpretohet në çdo fazë kur i nevojitet Qeverisë për të zbatuar Ligjin për Çmimet Tavan.

Së fundmi, konflikti në Lindjen e Mesme ka zhvendosur fokusin në ngritjen e çmimeve të karburanteve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka mundësinë që përmes udhëzimit administrativ të vendosë marzhë tregtare në kufirin prej 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për atë me pakicë. Megjithatë, përkundër kësaj, çmimi i naftës kaloi mbi 1.90 euro.

Kjo tregon se marzha tregtare e përcaktuar nga MINT-i nuk ndikon në uljen apo kontrollin e çmimeve të produkteve të importuara, pasi çmimi i tyre formohet në tregjet ndërkombëtare dhe nga kostot e importit, të cilat nuk varen nga rregullimi i brendshëm i tregtisë. Po e njëjta logjikë praktike vlen edhe për produktet themelore të cilat importohen në Kosovë.

Duke u justifikuar në këtë marzhë tregtare joefektive, Qeveria nuk e ndërmori asnjë masë për çmimet e karburanteve, por as për ato të produkteve themelore.

Për rrjedhojë, Projektligji për Çmimet Tavan mbetet i diskutueshëm në raport me ekonominë e tregut të lirë, si dhe për nga funksionaliteti dhe efektiviteti i tij.

Projektligji mbetet i diskutueshëm, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë praktik. Paqartësitë në definime, mungesa e një mekanizmi të qartë dhe mospërputhja me dinamikat e tregut, e bëjnë të vështirë zbatimin efektiv të tij.

Duke mos adresuar faktorët strukturorë që ndikojnë në çmime, si varësia nga importi dhe tregjet ndërkombëtare, ligji rrezikon të ketë ndikim të kufizuar, ose edhe pasoja të padëshiruara në treg.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.