Shtyrja e vizitës së Komisioneres Europiane për Zgjerim, Marta Kos, në Kosovë, për shkak të krizës politike në vend, është një sinjal i qartë për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova sot: një shtet i bllokuar institucionalisht, pa drejtim strategjik dhe me kapacitet të kufizuar për bashkëpunim ndërkombëtar.
Kjo vizitë mund të shërbente si një moment riangazhimi me Brukselin dhe procesin e zgjerimit të BE-së – sidomos pas vendimit të BE për heqje të masave ndëshkuese and ratifikimit të Planit të Rritjes.
Në vend të kësaj, ajo u shndërrua në një tjetër mundësi të humbur për Kosovën, që vazhdon të mbetet e zënë në ciklin e krizave të brendshme politike.
Kosova vazhdon të jetë e zhytur në një krizë institucionale, që përfshin vonesat në zgjedhjen e presidentit, ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja. Ky vakum politik e lë vendin të ngrirë në një moment kur mjedisi ndërkombëtar po ndryshon me shpejtësi të madhe.
Rëndësia e kësaj vizite bëhet edhe më e qartë në kontekstin e marrëdhënieve komplekse ndërmjet Kosovës dhe BE-së gjatë viteve të fundit. Tensionet në veri dhe përplasjet politike rreth dialogut me Serbinë kanë prodhuar një klimë të vështirë bashkëpunimi, duke rezultuar në masa ndëshkuese nga BE-ja dhe një distancim të dukshëm politik.
Masat ndëshkuese në kombinim me krizën e brendshme dhe mungesën e institucioneve funksionale, kanë reduktuar ndjeshëm angazhimin e Kosovës me Brukselin. Për më shumë se tre vjet, vendi ka qenë praktikisht jashtë një dialogu të mirëfilltë politik dhe teknik mbi procesin e zgjerimit.
Kjo shkëputje tashmë po prodhon pasoja konkrete. Kosova po përballet me kosto të drejtpërdrejta nga paraliza politike, siç është zvarritja e përfitimit të rreth 6% të shumës së saj nga Plani i Rritjes (2024-2027), apo rreth 60 milionë euro para-financim fillestar nga totali prej rreth 882 milionë eurosh të alokuara për Kosovën (253 milionë në grante dhe 629 milionë në kredi të buta).
Ky këst ishte paraparë të shërbente si nxitje për fillimin e reformave. Megjithatë, mungesa e funksionalitetit institucional e ka shtyrë aktivizimin e këtij mekanizmi, duke e lënë Kosovën prapa në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Në këtë kontekst, vizita e Marta Kos-it do të kishte pasur një peshë të veçantë politike. Ajo është një nga komisioneret më aktive në fushën e zgjerimit dhe ka marrë një rol të dukshëm në rajon, veçanërisht në raport me Shqipërinë dhe Malin e Zi, të cilat kanë avancuar në negociatat për anëtarësim.
Për më tepër, ajo ka artikuluar një qasje më kritike ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi, një element që Kosova e ka kërkuar prej kohësh nga BE-ja.
Prandaj, një riangazhim politik me Brukselin do t’i kishte dhënë Kosovës një mundësi për të balancuar asimetrinë politike në dialogun me Serbinë dhe për të rikthyer veten në agjendën e zgjerimit.
Por, mungesa e një qeverie funksionale dhe e një lidershipi të aftë për të mobilizuar vendin diplomatikisht po e lë Kosovën jashtë këtij momenti.
Problemi, megjithatë, shkon përtej kësaj vizite dhe Planit të Rritjes.
Kosova ende nuk ka marrë një përgjigje për aplikimin e saj për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor 2022. Deri tani, BE-ja ka konfirmuar vetëm pranimin formal të aplikimit, pa ofruar një drejtim të qartë për hapat e ardhshëm.
Shtyrja përpara e këtij procesi kërkon një angazhim të koordinuar diplomatik në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare, një përpjekje që është e pamundur pa stabilitet të brendshëm politik.
Ndërsa Kosova merret me kriza të brendshme, në BE po zhvillohen diskutime serioze për të ardhmen e zgjerimit, përkatësisht modelet e zgjerimit që do të aplikohen në rajon. Lufta në Ukrainë, rivalitetet gjeopolitike dhe sfidat energjetike, kanë rikthyer zgjerimin në agjendën strategjike të BE-së.
Megjithatë, në këto debate, Kosova pothuajse nuk figuron.
Kosovës i ka munguar drejtimi strategjik në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare mund të ishin shfrytëzuar për avancimin e interesave të saj. Në vend të kësaj, vendi është tërhequr në një pozicion defanziv, pa strategji dhe pa angazhim për të shtyrë përpara agjendën e tij ndërkombëtare.
Prandaj, shtyrja e vizitës së Marta Kos-it, nuk është thjesht një incident diplomatik. Ajo është simptomë e një problemi më të thellë: një elitë politike që vazhdon të humbasë momente kyçe për angazhim ndërkombëtar dhe për avancimin e interesave të vendit.
Në fund, faturën e kësaj paralize e paguajnë qytetarët. Sigurimi i një qeverie funksionale dhe angazhimi aktiv në debatet strategjike që po formësojnë të ardhmen e Europës nuk janë më çështje zgjedhjeje politike, por domosdoshmëri. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet jo vetëm në pauzë politike, por edhe jashtë proceseve që do të përcaktojnë të ardhmen e saj europiane.




























































