Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Si ndikon konflikti Izrael-Iran në luftën Ukrainë-Rusi?

Illustration by Big Eye.

Më 13 qershor, Izraeli nisi operacionin ushtarak “Operation Rising Lion”, me qëllim të zhdukjes së fuqisë bërthamore të Iranit, të cilën Izraeli e sheh si rrezik ekzistencial. Operacioni përfshiu mbi 100 sulme si objektiva ushtarakë, qendra të kërkimeve bërthamore dhe selinë e Gardës Revolucionare, mes të tjerash. 

Irani u kundërpërgjigj me kundër-operacionin Operation True Promise 3, që përfshinte një ofensivë të koordinuar me mbi 300 raketa balistike dhe dronë mbi qytetet kryesore izraelite, si Tel Avivi dhe Haifa, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë.

Ky konflikt përbën një përshkallëzim serioz mes dy fuqive ushtarake të Lindjes së Mesme, që mund të prodhojë pasoja serioze për paqen, sigurinë dhe ekonominë rajonale e botërore.

Në aspektin ekonomik, Rusia mund të përfitojë nga ngritja e çmimit global të naftës, por në të njëjtën kohë, ndihma ushtarake e Iranit ndaj Rusisë mund të dobësohet dukshëm. Në anën tjetër, SHBA-ja mund ta zhvendosë fokusin te Lindja e Mesme, gjë që mund të rezultojë në më pak mbështetje ushtarake ndaj Ukrainës.

Çrregullimi i tregjeve të energjisë dhe përfitimet e Rusisë

Irani është një prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë. Andaj, çdo destabilizim i tij ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës. Me përshkallëzimin e luftës dhe me rrezikun e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon mbi 20% e naftës globale, eksportet iraniane dhe të vendeve të tjera të Gjirit Persik janë në rrezik të madh.

Pasojat në këtë drejtim ishin të shpejta dhe të vërejtshme në të gjithë globin. Menjëherë pas sulmeve, çmimi i naftës u rrit në mbi 7%, duke kaluar pragun e 95 dollarëve për fuçi. 

Mirëpo, jo çdokush është humbës nga rritja e çmimit të naftës. Ky çrregullim energjetik i jep Rusisë mundësinë e përfitimit financiar të konsiderueshëm, pasi Moska, e cila tash e sa kohë ndodhet nën sanksione të ashpra perëndimore, eksporton naftën me çmime më të larta përmes rrugëve alternative për në Azi. 

Çmimet më të larta nënkuptojnë fitime më të mëdha. Rritja e të ardhurave nga energjia i ofron Rusisë mbështetje jetike për të mbajtur gjallë operacionet dhe prodhimtarinë e saj ushtarake në Ukrainë, duke e zgjatur edhe më tej luftën.

Dobësimi i mbështetjes iraniane për Rusinë

Irani ka qenë furnizuesi më i rëndësishëm i Rusisë për dronët kamikazë “Shahed” dhe pjesë të tjera për prodhimin e dronëve. Të dhëna të publikuara nga agjencitë e inteligjencës perëndimore konfirmojnë se qindra dronë iranianë janë përdorur në sulme masive kundër infrastrukturës energjetike ukrainase dhe caqeve të tjera që nga fillimi i luftës. 

Tani që burimet e Iranit janë të përqendruara në mbrojtjen nga një ofensivë ajrore dhe raketore izraelite, si dhe në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm pas humbjes së krerëve ushtarakë dhe shkencëtarëve kryesorë të programit bërthamor, pritet ndërprerje ose reduktim i ndjeshëm i furnizimeve ushtarake drejt Rusisë.

Për më tepër, çdo sabotim ose goditje ndaj linjave të prodhimit të dronëve në Iran, siç është raportuar se ndodhi nga sulmi izraelit në Isfahan, do të ketë efekte zinxhir në kapacitetet ruse për të zhvilluar sulme ajrore efikase. Në këtë mënyrë, presioni mbi qytetet ukrainase dhe vijën e frontit mund të zbutet, duke i dhënë ushtrisë ukrainase mundësi për kundërsulme të reja.

Zhvendosja e prioriteteve strategjike të SHBA-së

Presidenti Donald Trump në disa raste ka shprehur hapur skepticizmin për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, duke kërkuar që vendet europiane të marrin më shumë përgjegjësi. Me Izraelin që përballet me një ofensivë ajrore të përmasave të paprecedenta, SHBA-ja mund të riorientojë burime ushtarake në mbështetje të Izraelit. 

Dëshmi e kësaj zhvendosjeje strategjike është fakti se Trumpi, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në deklaratën e tij, ishte i fokusuar kryesisht te lufta mes Izraelit dhe Iranit.

Këto zhvillime sugjerojnë tkurrje potenciale të kapaciteteve për të vazhduar ndihmën ndaj Ukrainës dhe vëmendjen strategjike amerikane ndaj saj. Kjo situatë mund të përkeqësojë balancën e fuqisë në fushëbetejë për Kievin, i cili edhe ashtu varet shumë nga armatimet dhe ndihma amerikane.

Zhvendosja e burimeve dhe vëmendjes amerikane drejt Lindjes së Mesme krijon boshllëk të menjëhershëm në mbështetjen për Kievin. Në këto rrethana, nëse Perëndimi nuk arrin të ruajë unitetin dhe të veprojë me një strategji të përbashkët për t’u ballafaquar me krizat e ndërlidhura që po zhvillohen si në Ukrainë, ashtu edhe në Lindjen e Mesme, rrezikon jo vetëm të humbasë ndikimin në të dy rajonet, por edhe t’u lërë kundërshtarëve përparësi strategjike në këtë moment vendimtar të zhvillimeve globale.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.