Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Stigmatizimi dhe diskriminimi ndaj fëmijëve cenojnë shëndetin e tyre mendor

Ilustrimi: BigEye

“Festa e Abetares” do të duhej të ishte dita kur të gjithë fëmijët festojnë së bashku me bashkëmoshatarët e tyre mësimin e shkronjave të alfabetit. Por, jo në të gjitha shkollat e Kosovës ndodh kështu. Javë më parë, në Komunën e Pejës, në ceremoninë e Festës së Abetares, fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian u ndanë anash fëmijëve të tjerë duke u veçuar nga shoqet dhe shokët e tyre.

Një veprim i tillë diskriminues për fëmijët nga institucionet arsimore — përveçqë është i papranueshëm, kundërligjor, i turpshëm dhe i dënueshëm — rrit potencialin e ndikimit negativ dhe afatgjatë në shëndetin e tyre mendor.

Është e dëshmuar tashmë se mënyra se si trajtohen fëmijët në vitet e para të jetës ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillim e tyre. Stigmatizimi dhe diskriminimi ndaj fëmijëve janë faktorë të dëmshëm seriozë dhe cenojnë shëndetin e tyre mendor.

Ballafaqimi me këto situata mund të ndikojë gjithashtu në ndjenjën e tyre të përkatësisë ose në mënyrën se si ata/ato e perceptojnë identitetin dhe pozicionin e tyre në shoqëri.

Fëmijët që përjetojnë diskriminim mund të ndihen ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë. Ata/ato mund të ballafaqohen me mungesë vetëbesimi dhe vetëvlerësimi dhe njëkohësisht mund të ndihen të pafuqishëm e të frustruar, gjë që krijon vështirësi për ta zhvilluar potencialin e tyre të plotë, si dhe mund të jenë në rrezik më të lartë për t’u bulizuar nga të tjerët, në veçanti nga bashkëmoshatarët e tyre.

Stresi intensiv dhe i vazhdueshëm si pasojë e diskriminimit mund të ndikojë drejtpërdrejt te fëmijët, duke intensifikuar emocione negative si frika dhe përkeqëson performancën e tyren në mësime. Studimet kanë treguar gjithashtu se përvojat e fëmijëve me diskriminim në të shumtën e rasteve bashkëshoqërohen me gjendje të caktuara të shëndetit mendor, të tilla si depresioni dhe ankthi.

Në rastin konkret, në Komunën e Pejës, fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian u cenuan nga një e drejtë themelore e tyre: e drejta për të qenë bashkë më bashkëmoshatarët e tyre.

Rastet e stigmatizimit, por edhe të diskriminimit, si nga ana e qytetarëve, por edhe nga institucionet, nuk janë të reja e as të rralla në Kosovë. Fëmijët e këtyre komuniteteve ballafaqohen në baza ditore me situata diskriminuese dhe aspak të këndshme si: shmangia nga bashkëmoshatarët, në raste të caktuara nuk pranohen në shkollë ose mësimdhënësit i ulin në banka të veçanta, të ndarë nga shoqet dhe shokët e klasës.

Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja se sa raste të tjera të ngjashme duhet të ketë në të gjitha shkollat e Kosovës? Sa raste nuk raportohen fare dhe thjesht “menaxhohen” brenda përbrenda shkollave? Sa fëmijë nga komunitetet etnike të margjinalizuara trajtohen në mënyrë sistematike nga institucionet shkollore?

Tashmë është bërë zakon që pyetje të tilla shtrohen vetëm kur opinioni publik përballet me raste të tilla dhe pastaj, deri në një rast tjetër, askush nuk angazhohet për të ndikuar në adresimin serioz të kësaj problematike.

Indiferente në këtë drejtim janë sidomos institucionet relevante shtetërore, të cilat edhe për nga përshkrimi i detyrave të tyre zyrtare do të duhej të garantonin liritë dhe të drejtat themelore. Në të vërtetë, sistemi ligjor i Kosovës është i bazuar në vlera dhe parime të mosdiskriminimit. Në këtë drejtim, përmes Kushtetutës së Kosovës and Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi, garantohen si mbrojtja, ashtu edhe të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe në të njëjtën kohë ndalohet diskriminimi në bazë të kombësisë, etnisë, racës, ngjyrës dhe bazave të tjera.

Por, me qëllim që sjellje të tilla diskriminuese të kufizohen në maksimum, janë të pamjaftueshme vetëm reagimet e institucioneve në rastet kur ndodh një ngjarje si kjo në Komunën e Pejës. Paralelisht duhet që të ndërmerren masa urgjente dhe adekuate të cilat kanë në fokus planprogramet shkollore, mësimdhënësit, nxënësit, por edhe qytetarët në përgjithësi.

Fillimisht, është e nevojshme të bëhet maksimumi që të parandalohen raste të tilla segreguese dhe të punohet në aspektin e ndërgjegjësimit të nxënësve, por edhe të të gjithë shoqërisë.

Është shumë e rëndësishme që në tekstet shkollore të përfshihen informacione të nevojshme për komunitetet, të drejtat dhe liritë që ata gëzojnë, pa u diskriminuar dhe veçuar nga shumica e shoqërisë për asnjë lloj karakteristike identitare apo paragjykimi banal.

Gjithashtu, është më se e domosdoshme që mësimdhënësit e të gjitha niveleve të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme për mënyrën e qasjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, sidomos kundrejt grupeve të margjinalizuara.

Veçanërisht mësimdhënësit kanë një rëndësi të veçantë sepse përgjegjësia që kanë është e shumëfishtë. Modeli që ofrojnë përpara fëmijëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Shteti dhe shoqëria e Kosovës duhet të sigurojnë një sistem me mundësi të barabarta për të gjithë, jodiskriminues dhe gjithëpërfshirës. Fëmijët e çfarëdo komuniteti janë fëmijë të Kosovës. Ata duhet të mësojnë dhe festojnë së bashku. Diskriminimi, veçimi apo stigmatizimi kundrejt tyre, përveçse ka efekte të dëmshme në aspektin psikologjik për vetë ata, i jep imazh negativ edhe shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

You May Also Like

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analysis

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analysis

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.