Sfidat me të cilat përballet një individ në ditët e sotme janë të shumta dhe të ndërlikuara, duke përfshirë jo vetëm aspektet personale dhe shoqërore, por edhe ato profesionale.
Sfidat në vendin e punës janë bërë gjithnjë e më të theksuara. Ritmi i shpejtë i punës, kërkesat për performancë të lartë dhe pasiguria për vendin e punës, ndikojnë seriozisht në shëndetin psikologjik të individëve.
Këta faktorë, të kombinuar me presionin për të ruajtur balancën mes jetës profesionale dhe asaj personale, mund të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e nivelit të stresit tek individi.
Përjetimi i stresit për periudha të shkurtra kohore nuk përbën problem serioz dhe është normal. Në fakt, mund të shërbejë edhe si forcë pozitive në përmirësimin e performancës së përgjithshme në punë.
Megjithatë, nëse stresi përjetohet për periudha të gjatë kohore, ai mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të individit.
Për më tepër, mund të shndërrohet në atë që njihet si stres kronik, që është një gamë gjendjesh ndaj së cilave një individ mund të ekspozohet, që variojnë nga ngjarje të vetme, por shumë intensive, deri te përvoja më pak intensive, por të përsëritura.
Në Kosovë mungojnë të dhëna sistematike, por analizat e bazuara në praktikën profesionale dhe ato pak studime shkencore tregojnë se vendi i punës është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në rritjen e stresit, veçanërisht në profesione specifike, si: sektori shëndetësor, sektori i burgjeve, apo shërbimi korrektues.
Simptomat që shfaqen si pasojë e nivelit të lartë të stresit në vendin e punës mund të ndikojnë në negativisht në trupin, mendimet, ndjenjat, si dhe sjelljen e individit.
Simptomat kryesore
Simptomat kryesisht manifestohen përmes lodhjes së vazhdueshme, dhimbjes së kokës, tensionit muskulor dhe problemeve me gjumin, si edhe përmes vështirësive në përqendrim, nervozizmit, ndjenjave të mbingarkesës emocionale, uljes së motivimit dhe ndryshimeve në sjellje, si: izolimi social dhe ulja e performancës në punë. Këto pasoja mund të jenë afatgjata dhe shkaktojnë gjendje më serioze, si depresioni dhe ankthi.
Pasojat e stresit mund të evidentohen duke vëzhguar me kujdes ndryshimet në funksionimin fizik, mendor, emocional dhe të sjelljes së individit. Identifikimi i hershëm i këtyre shenjave bazohet në vetë-monitorimin e simptomave, reflektimin mbi gjendjen emocionale dhe vlerësimin e ndryshimeve në performancën dhe sjelljen e përditshme, veçanërisht në kontekstin e vendit të punës.
Po ashtu, personat që përjetojnë stres të tepruar shpesh përballen me të në mënyra jo të shëndetshme, siç janë: ngrënia e tepruar, konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme, pirja e duhanit, ose keqpërdorimi me substanca narkotike dhe alkool.
Pra, stresi dhe mbingarkesa psikologjike dobësojnë vetëkontrollin dhe i shtyjnë njerëzit të zgjedhin “kënaqësi” afatshkurtra, të cilat shpesh janë të dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Megjithëse nuk është gjithmonë e mundur të shmangen tensionet në vendin e punës, është e mundur të ndërmerren hapa për të menaxhuar stresin e lidhur me punën.
Njohja e simptomave ndikon në menaxhimin e stresit
Është e rëndësishme që të identifikohen situatat që shkaktojnë më shumë stres, si dhe të kuptohet më mirë reagimi ynë ndaj tyre. Po ashtu, është e rëndësishme që të ketë informacione rreth mjedisit, duke përfshirë personat dhe rrethanat e përfshira, si dhe ambientin fizik dhe mënyrën se si reagojmë ndaj tyre.
Po ashtu, vendosja e kufijve është një tjetër hap i rëndësishëm për të menaxhuar stresin e lidhur me punën. Kjo mund të nënkuptojë, për shembull, vendosjen e një rregulli për të mos kontrolluar email-in e punës në mbrëmje nga shtëpia, ose për të mos iu përgjigjur telefonit gjatë kohës së darkës.
Edhe pse njerëzit kanë preferenca të ndryshme lidhur me ndërthurjen e jetës profesionale dhe asaj personale, krijimi i kufijve të qartë mes këtyre dy sferave mund të zvogëlojë konfliktet punë–jetë private dhe stresin që i shoqëron ato.
Përveç sigurisë fizike, edhe siguria psikologjike në vendin e punës është shumë e rëndësishme. Prandaj, kujdesi për shëndetin mendor dhe parandalimi i dëmtimeve psikologjike janë të domosdoshëm.
Një mjedis pune psikologjikisht i shëndetshëm, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e individit, rrit motivimin dhe përmirëson funksionimin e qëndrueshëm në punë.
Njohja e simptomave të stresit është shumë e rëndësishme dhe ndihmon në menaxhimin e tyre. Po aq e rëndësishme është që stresi të trajtohet nga profesionistët e fushës, në mënyrë që të evitohen probleme të tjera shëndetësore.






























































