Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Thyerja e akullit diplomatik: mësimet për Kosovën nga tri njohjet e reja

Illustration by Big Eye.

Deri më 2025 u duk që njohjet e reja për Kosovën ishin pothuajse të pamundshme. Njohja e fundit kishte ardhur nga Izraeli në vitin 2020, me ndërmjetësimin e presidentit Trump, në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa Kosova para saj përballej edhe me një fushatë të çnjohjeve nga Serbia.

Por, ky akull diplomatik u thye më 26 mars 2025, me njohjen nga Kenia, pastaj tri javë më vonë nga Sudani dhe në tetor nga Siria. Viti 2025 është një vit i suksesshëm për Kosovën sa u përket njohjeve dhe këto të fundit sjellin mësime të rëndësishme për diplomacinë kosovare dhe një momentum të ri për njohje të reja.

Diplomacia personale dhe roli i Turqisë dhe Arabisë Saudite

Njohja e parë e Kosovës sivjet erdhi me ndërmjetësimin e ish-presidentit Behgjet Pacolli, i cili më 26 mars 2025 announced për njohjen nga Kenia, me një ceremoni zyrtare në Nairobi, të nënshkruar nga presidenti William Ruto.

Si profil i një biznesmeni të suksesshëm dhe një ish-presidenti e ish-ministri të Jashtëm me lidhje të shumta me shtete afrikane, Pacolli arriti një sukses të madh diplomatik për Kosovën. Njohja nga Kenia, një ndër shtetet më të rëndësishme afrikane, falë lobimit personal të Pacollit, ishte një tregues se si nganjëherë diplomacia personale mund të mbërrijë aty ku diplomacia formale nuk mundet.

Kjo lloj diplomacie u referohet aktiviteteve diplomatike nga individët të cilët i përdorin lidhjet, reputacionin dhe ndikimin e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Njohja tjetër për Kosovën erdhi vetëm tri javë më vonë. Më 12 prill, në premisat e Forumin Diplomatik të Antalias në Turqi, ministri i Jashtëm i Sudanit, Ali Yousif, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, njoftuan për njohjen e Kosovës nga Sudani.

Ndërsa, njohja më e fundit u zyrtarizua më 29 nëntor në Riad të Arabisë Saudite. Nën patronazhin e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, u takua në një ceremoni zyrtare me presidenten Vjosa Osmani, për ta shpallur njohjen.

Çka është karakteristike në këto njohje është fakti që nuk vijnë nga bota perëndimore, por nga vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme. Gjithashtu, vendet perëndimore nuk kishin lidhje me këto njohje, por ndihma Kosovës i erdhi nga diplomacia personale, lobimi i Turqisë dhe ndihma nga Arabia Saudite.

Sudani, gjatë viteve 2023-2025, kishte kaluar në një luftë civile në të cilën Turqia kishte përkrahur ushtarakisht dhe politikisht për të siguruar stabilitet në vend. Ngjashëm, Turqia kishte ndihmuar edhe Hay’at Tahrir al-Sham (HTS) që të marrë kontrollin në Siri dhe të rrëzojë regjimin e Asadit. Thellimi i raporteve me Sudanin dhe Sirinë i mundësoi Turqisë që në mënyrë efektive të lobojë në favor të Kosovës.

Njësoj, Arabia Saudite kishte përkrahur dhe ndërmjetësuar heqjen e sanksioneve të regjimit të ri të Sirisë nga SHBA-ja. Raporti i ngushtë i Arabisë Saudite me Sirinë ndihmoi në ndërmjetësimin e njohjes.

Mësimet për diplomacinë kosovare

Njohjet nga Kenia, Sudani dhe Siria, janë një shtytje e madhe e ngritjes së vetëbesimit të diplomacisë kosovare dhe konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Në mënyrë që ky momentum të vazhdojë, është e domosdoshme të nxirren disa mësime kryesore.

Fillimisht, suksesi diplomatik në Kenia nga një akter joshtetëror tregon për nevojën e diplomacisë kosovare për të angazhuar të deleguar të posaçëm me profile si të ish-presidentit Pacolli, që mund të depërtojnë aty ku shtetet zyrtarisht nuk munden. Shtetet mosnjohëse që refuzojnë kontaktin zyrtar me Kosovën mund të mbulohen efektivisht nga diplomacia personale.

Përvojat e individëve si Pacolli dhe të tjerëve me njohuri dhe profile të ndryshme mund të përdoren proaktivisht nga Kosova si shembull i diplomacisë personale që plotëson atë zyrtare. Akterët joshtetërorë, si ish-diplomatët, biznesmenët, artistët, shoqëria civile dhe akademikët, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Së dyti, Kosova duhet të shikojë përtej aleatëve perëndimorë për njohje të reja dhe t’i thellojë kontaktet me vendet aleate si Turqia dhe Arabia Saudite, të cilat mund të ndërmjetësojnë njohje të reja në rajone ku aleatët perëndimorë kanë më pak ndikim.

Në veçanti, raportet Kosovë-Turqi janë të shkëlqyera në raportin ekonomik, politik, kulturor dhe ushtarak, dhe në këtë kontekst Kosova duhet të koordinohet më shumë nga Turqia për njohje të reja, sidomos në Afrikë, ku Turqia ka rritur ndikimin.

Turqia po rishfaqet si një fuqi rajonale në një botë që po shkon drejt multipolarizmit. Rënia e ndikimit rus në Kaukazin Jugor dhe raportet e ngushta Turqi-Azerbajxhan mund të jenë një tjetër mundësi për Kosovën për njohje nga Azerbajxhani dhe vendet e tjera.

Gjithashtu, ulja e ndikimit të Iranit në Liban mund të krijojë një mundësi e re. Ndër arsyet e rritjes së ndikimit turk dhe saudit në Siri ishte edhe ulja e ndikimit rus. Ulja potenciale e ndikimit rus mund të krijojë edhe mundësi për njohje nga Ukraina, Moldavia dhe Armenia.

Për fund, njohjet nga Kenia, Sudani dhe Siria, janë tregues se përveç aleatëve perëndimorë, Kosova duhet të shfrytëzojë edhe aleatët joperëndimorë, si Turqia dhe Arabia Saudite, që janë fuqi rajonale në një botë gjithnjë e më multipolare. Thyerja e akullit diplomatik sivjet mund të shërbejë si një kapitull i ri për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.