(Në kujtim të Borka Paviçeviç)
***
Mbase kam qenë ,,tradhëtari,, më i ri i vendit, për ca hajvanë që nacionalizmin e kanë mënyrë jetese. Për mua le ta kenë gjithmonë. As që më çon peshë përderisa unë fuqishëm besoj sikurse Benedetti, tek një flamur i vetëm. Ai njerëzor. Pa përjashtuar fanatizmin, ligësinë, dhunën dhe apetitet e regjimeve të ndyra. Ta themi edhe këtë gjë. Që në zanafillë është thënë se çdo gjë e ka anën e saj të kundërtë dhe njeriu është produkt i asaj që zgjedhë. Unë kam zgjedhur me vetëdije të plotë që të jem krahë paqes, pajtimit, realitetit të ri, të ardhmes dhe së bukurës. Kjo mund të ketë pasoja. Dhe mund ta ketë një çmim. Unë jam këtu për të paguar çdo gjë.
***
E mbajë mend kur për herë të parë kam shkuar në Beograd. Isha duke u rritur dhe duke kuptuar më mirë luftën e përhershme ndaj terrorit. Stacioni im i parë atje, që rezultoi të ishte stacioni më i dinjitetshëm, ishte Qendra për Dekontaminim Kulturor. Një ndërtesë e vjetër por e mbushur me ide të reja. E mbushur me preokupime anti-nacionaliste, anti-fashiste. Dhe e hapur ndaj humanizmit, ndaj imagjinatës që i shërben së ardhmes paqësore. Në krye të kësaj qendre ishte Borka Paviçeviç. Një grua e ngjashme me një termocentral që shpërndante energji të autoritetit, dijes, disciplinës, rezistencës dhe punës së palodhshme për pajtim mes popujve. Më kujtohohet shumë mirë, pa dashur që të bëhemi melodramatik. Nuk isha bash i mësuar të gjeja një krahëror serb të ngrohtë. Që më uronte mireseardhje dhe më ofronte diçka për të pirë. Gjatë tërë kohës isha i zënë gafil, duke menduar se po mashtrohem, duke menduar se do të ma ngulin një thikë pas shpine, duke menduar se gjaku im ishte qëllimi i tyre. Natyrisht si një qenie post-traumatike e kisha dhënë veten para pushtetit të ankthit, frikës dhe së kaluarës. Por ishte pikërisht kjo grua, që quhej Borka, që më dha shansin e parë për të menduar ndryshe. Dhe për t’i parë qeniet njerëzore me një lloj dhembshurie, me një lloj dashurie që më duhej ta gjeja diku brenda vetes. Borka ishte gruaja e parë e Beogradit që më shtriu dorën dhe më quajti djalë të saj. (Kur njëra nga kamarieret e vjetra klasike në Beograd mendoi se shqiptarëve duhet të ju qihet nëna, ajo bëri një gabim të madh ose marrëzi. Shau nënën time të paqes. Që ishte Borka). Kjo për mua aq sa ishte e papritur ishte poashtu e njëmendtë dhe tepër e nevojshme.
Që nga atëherë foleja ime e vetme në Beograd ishte Qendra për Dekontaminim Kulturor, e cila si një qytezë e vogël mesjetare qëndron e pamposhtur nga hienat fashiste rreth saj, që janë të gatshëm çdoherë ta rrënojnë atë që nuk duhet të jetë e rrënueshme, ta shkatërrojnë atë që nuk duhet të jetë e shkatërrueshme dhe ta vrasin atë që nuk vritet dot. Komunikimi kulturor që ka ekzistuar dhe që ekziston në mes Prishtinës dhe Beogradit, mbase është i vetmi komunikim normal që nga pas lufta. Është e vetmja jehonë njerëzore në mes dy popujve të trazuar. Sipas gjeniut elegant letrar Ernesto Sabato-s, ferri ynë është vështrimi i të tjerëve. Në këtë kuptim fatkeqësisht Beogradi për mua vazhdon të jetë një ferr në përjashtim të Hapësirës për Dekontaminim Kulturor (CZKD), qendrës Krokodil në krye me Vladimir Arsenijevic dhe djemve të mrekullueshem të shtojcës kulturore Beton. Kudo që shkojë jashtë këtyre hapësirave ende në mua trubullohen gjykime të ndryshme, ndihem i pasigurt dhe ndjejë se jam i paftuar. Serbët nuk arrijnë përfundimisht të dalin në realitetin të cilën e kishte shtruar Borka. Taksistët e tyre ende betohen mbi aeroplanët e blerë kinez. Borka nuk ishte vetëm e tyre. Rëndom siç ndodhë më njerëzit e mëdhenjë, ata që nuk i përkasin vetëm popullit të tyre, pikërisht nga ai do ta marrin përçmimin, përjashtimin dhe hidhërimin. Zemërngushtësia e popujve është problemi më i madh i kësaj epoke. Dhe mungesa e personaliteteve sikurse ai i Borkës, është faktor shtesë që shëmton këtë periudhë të tensionit kudo mbi faqe të dheut. Ikja e Borkës do të jetë një hendikep i madh në hapat e mëtutjeshëm në mes nesh. Do të jetë një mungesë e cila zor se mund të zëvëndësohet. Stuhitë sikurse ajo janë të domosdoshme për të fshirë mendësitë primitive, që cënojnë qenien e ndjeshme humane.
***
Qyqarët meritojnë që grushti i Borkës të jetë gjithmonë në ajër. Në kërkim të presë, që rrezikon shpresën. Në kërkim të barbarëve, që kudo provojnë të fusin llahtar dhe dëshpërim. Prandaj Borka meriton të jetë një nënë e madhe, kudo që të jetë. Përgjithmonë.