Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Fundi i kinemasë apo kinemaja si fund

Kur isha i ri, unë kam besuar në tri gjëra:
në marksizëm, në  fuqinë shëlbyese të kinemasë, dhe dinamit.
Tani unë besoj vetëm në dinamit
.

Sergio Leone

 

Rënia e sistemeve metanarrative dhe ajo që ndodhi më pas shpeshherë konsiderohet si konsekuencë e së parës. Zhbërja e këtyre metarrëfimeve nuk kishte për qëllim të rikonstituonte diça që do të ishte antipodi i tyre, por që do të ishte kritika si një model, e cila do ta konstituojë narracionin partikular. Kur Lyotard-i shpalli ‘fundin e modernes’; Barthes-i shpalli ‘vdekjen e autorit’, kurse Foucault-ja shpalli ‘vdekjen e subjektit’, ishte pikërisht kjo – që të zhvendoset vëmendja nga metanarracionet tek rrëfimi partikular. Madje kjo më së miri u pa në letërsi dhe kinema. Këto njihen edhe si transformimet e mëdha paradigmatike. Ky debat rreth ndryshimit të paradigmave nuk e ka lënë të qetë as kinemanë. Mbase ‘vdekja e kinemasë’ ka qenë e paralajmëruar dekada më parë. Dikur regjisori i njohur gjerman Werner Herzog  mendonte se: “Akademia është vdekja e kinemasë. Ajo është krejt e kundërta e pasionit”, mendonte ai. Mirëpo, ajo që po paralajmëronin zhvillimet teknologjike, të cilat po ndodhnin me hapa rapid, ishte krijuar përshtypja se edhe kinemasë po i vinte fundi.

Kur Deleuze publikoi librat e tij mbi kinemanë, ishte pikërisht koha kur flitej për një krizë të thellë në kinema. Librat e Deleuze për kinemanë u bënë për këtë arsye, një kritikë pak a shumë latente e teorive që kishin shpallur vdekjen e kinemasë. Kjo nuk është vetëm për shkak se, sipas tij tipologjia-shenjë, është në parim pafundësisht e zgjerueshme, që do të nënkuptonte pashtershmërinë e kinemasë, por edhe për shkak se analizat e tij mbi kinemanë moderne provuan kështu zbulimin në lidhje me të ardhmen e kulturrës audiovizuele si një e tërë. Prandaj, me këtë Deleuze rithekson dhe koncepton se krahas modernizmit ekzistojnë edhe shumë karakteristika që kultura dixhital e viteve të ’90-ta pabesueshmërisht ka popullarizuar proporcionet. Kjo domethënë se jolinearitete, strukturua e kristaltë e tregimit, rastësia e botëve reciprokisht ekskluzive, dhe roli përbërës i hapsirës së çfardoshme janë komponentët që tanimë e rikontekstualizojnë një format të ri, që në njëfarë kuptimi edhe vetë filozofia e Deleuze ka për detyrë të kuptuarit e kulturaës audiovizuele.

Mirëpo përshtypja rreth shpalljes së vdekjes së kinemasë filloi të kalojë në bindje atëherë kur në shprehje erdhi digjitalizimi dhe shtrirja e internetit me përmasa globale; siç do të shprehet edhe Marshall McLuhan-i se tanimë bota është një ‘fshat global’. Ky ‘fshat global’ do të bëhet temë trajtimi nga Anne Friedberg-u, e cila shpjegon sesi teknologjitë e reja digjitale e kanë ndryshuar përceptimin edhe për kinemanë. Ajo shpjegon se edhepse teknologjia ka përmirësuar mënyrën e të bërit film, që ata të jenë dhe më të arritshëm, edhepse audienca shikon film, ata nuk janë duke përjetuar filmin në mënyrën se si ai kishte për qëllim. Mundësia e shikimit të filmit nëpër aparate të ndryshme digjitale, sipas Friedberg-ut, e zbeh fuqinë e imazheve, sepse ato pësojnë ndryshime të mëdha në stil dhe format. Gjithashtu ajo mendon se digjitalizimi e humb përkushtimin dhe vëmendjen që kinemaja kërkon, dhe e deformon hapësirën po ashtu, sepse vetë shkuarja në kinema tregon përkushtimin dhe si rrjedhim e shton edhe vëmendjen në të shikuarit e filmit. Kur shikojmë një film në kinema, vëmendjen e kemi të shtuar, sepse aty mundësia e ripërsëritjes se skenave të preferuara apo heqja e atyre që nuk na pëlqejnë nuk është e mundur, sikundërse është e mundur tani nëpër aparatet e ndryshme digjitale. Gjithashtu, mundësia e kontrollit mbi një film që shikuesit i mundësohet nga aparatet mobile e zbeh atë edhe nga ana artistike. Kjo tregon se mundësitë dhe preferencat ekzistuese të të shikuarit film nëpërmes këtyre mjeteve digjitale e humb vlerën që kinemaja na e ofron, por siç shprehet edhe Anne Friedberg-u, digjitalizimi ka dhe anën pozitive, sepse u mundëson njerëzve që për shumë arsye nuk mund të shkojnë në kinema që të shikojnë filma po nëpërmes këtyre aparateve.

Gjithashtu i tërë ky fenomen ka dhe një shpjegim interesant nga Paolo Cherchi Usai, i cili në librin e tij The Death of Cinema pohon se: “Vdekja e kinemasë është kryesisht një fenomen mendor, i cili ndodh pavarësisht nëse janë apo nuk janë faktorët e përmendur – ata të cilët do ta mundësojnë atë”. Andaj, nisur nga ky fakt ne jemi të prirë që shpeshherë t’i japim gjykimet tona pavarësisht trendeve dhe realiteteve që na rrethojnë. Kjo karakterizohet, siç shprehet Paolo Cherchi Usai se:”Rezultati përfundimtar i vdekjes së kinemasë është themeli i një etike të vizionit dhe transformimi i imazhit-model në imazhin-moral, duke pasqyruar ngushtësisht dhe vlerat e lidhura me aktin e shikimit”. Pra, nëpërmes këtij moralizimi që i bëhet kinemasë, është një tendencë që të arsyetohet edhe vdekja e saj. Mirëpo, siç edhe thekson Paolo Cherchi Usai se: “Unë nuk do të derdh lot për vdekjen e kinemasë. Kjo mund të jetë shansi i saj i parë i vërtetë që do të merret seriozisht”. Andaj, nga kjo nënkuptojmë se ‘vdekja e kinemasë’, më shumë është vdekja e një narracioni mbi të sesa realiteti i kësaj vdekjeje, dhe që kjo pastaj e rikonstituon dhe e riforcon pozicionin e saj në shoqëri.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.